Zoran Meter[i]
- Pendesa e befasishme e të fuqishmëve të Europës më shumë më duket pasojë e hakmarrjes ndaj ShBA-ve dhe Donald Trumpit – si aleatët dhe sponsorizuesit më të mëdhenj të Izraelit – për shkak të largimit të hapur nga Europa dhe përpjekjeve për të rirregulluar botën tërësisht sipas interesave amerikane
- Me këtë rast metropolet europiane kërkojnë hapësirë për tërheqjen e monarkive të pasura arabe – atë që u përpoq dhe në një masë të mirë dhe madje arriti ta bëjë Trumpi në turneun e sapopërfunduar në Lindjen e Mseme. Por me arabët pragmatikë dhe tregtarë dinakë nuk mund të jesh kurrë i sigurtë. Aq më shumë që pikërisht tani po formojnë “botën arabe” – një qendër të re të fuqisë gjeopolitike të botës, në të cilën në të ardhmen nuk duan që ndokush nga jashtë t’u diktojë rregullat e lojës dhe ku duan të bashkëpunojnë me të gjithë kur dhe ku të kenë interes.
Nuk është sekret fakti se kreu shtetëror izraelit është i pakënaqur nga bisedimet që po zhvillojnë amerikanët me Iranin rreth programit të tyre bërthamor dhe kjo jo vetëm për dinamikën e këtyre bisedimeve, por thjesht për faktin se po bisedojnë. Sepse shumë veta në Izrale kanë ushqyer shpresat se me ardhjen në pushtet në Uashington të Donald Trumpit, Teheranit do t’i jepej ultimatum për ndërprerjen e përherëshme të ambicjeve të tij bërthamore por edhe për programin raketor që është duke zhvilluar ky vend. Por në vend të kësaj, administrata e Trumpit zhvillon bisedime me Iranin me synim arritjen e një marrëveshje diplomatike në lidhje me programin e tij bërthamor.
Gjithashtu, nuk është sekret se marrëdhëniet mes Trumpit pragmatist dhe i prirur nga biznesi dhe radikalit Benjamin Netanjahu nuk janë tejet të mira, dhe se Trumpi është i prirur për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët të të gjithë problemeve të Lindjes së Mesme në bashkëpunim me vendet arabe – gjë që e tregoi edhe turneu tij i javës së kaluar nëpër Lindjen e Mesme.
Në këto rrethana (megjithëse ndokush mund të thotë se gjithçka sa u tha më lart është vetëm lojë amerikano-izraelite e “policit të mirë dhe policit të keq” me të njëjtin qëllim, gjë që nuk nuk jam i prirur t’a besoj duke patur parasysh faktin se interesat amerikane në këtë rajon janë ku e ku më të gjëra se ato izraelite në po këtë rajon), është interesant të drejtojmë vëmendjen në lajmin që publikoi CNN amerikan dhe i cili ka të bëjë me mendimet e zbuluesve amerikanë në lidhje me temën e bisedimeve amerikane me Iranin.
Lajmi nënvizon se të dhënat e zbulimit që kanë grumbulluar Shtetet e Bashkuara sugjerojnë se Izraeli po përgatit një sulm kundër sistemeve bërthamore iraniane. Një goditje e tillë do të ishte goditje e rëndë (e Izraelit) ndaj presidentit Donald Trump, thanë disa zyrtarë amerikanë. Gjithashtu ky sulm mund të shkaktojë edhe një konflikt shumë më të gjërë në Lindjen e Mesme – gjë të cilën ShBA-të këmbëngulin t’a evitojnë sepse lufta në Gaza ka ngritur tej mase tensionet rajonale. Zyrtarët në fjalë paralajmërojnë se nuk është ende e qartë nëse zyrtarët izraelitë e kanë marrë vendimin përfundimtar dhe se ekziston ndarje mendimesh në qeverinë aemrikane rreth mundësisë që Izraeli do të veprojë, dhe se vendimi nëse Izraeli do të sulmojë ose jo ndoshta varet nga ajo se çfarë mendon për bisedimet amerikane me Teheranin mbi programin e tij bërthamor.
Por, “mundësia e sulmit izraelit kundër objekteve bërthamore iraniane është rritur ndjeshëm mujat e fundit”, tha një person tjetër i njohur me të dhënat amerikane të zbulimit në lidhje me këtë çështje. “Dhe shanset që marrëveshja mes ShBA-ve dhe Iranit, që ka propozuar Trumpi, e cila nuk eleminon tërë uraniumin iranian, e bëjnë mundësinë e sulmit akoma më të madhe”.
Të martën, kreu suprem iranian Ali Hamnei tha se kërkesat amerikane që Teherani të ndërpresë pasurimin e uraniumit “janë të tepruara dhe të padëgjuara”, raportuan mediat shtetërore, duke shprehur kësisoj dyshimin mbi sukesesin e bisedimeve mbi një marrëveshje të re bërthamore.
Rritet presioni ndërkombëtar mbi Izraelin: BE-ja dhe Britania e Madhe janë të zemëruar dhe ndërmarrin masat e para
Paralelisht me lajmin e mësipërm duhet të përmendim se ditët e fundit është rritur presioni ndërkombëtar mbi Izraelin dhe kjo në lidhje me çështjen e Gazës. Kjo rritje vjen për shkak të akuzës për mungesën e ndihmës humanitare që arrin në Gaza dhe kjo në kohën kur qeveria e Netanjahut ka nisur një ofensivë të re ushtarake në këte enklavë palestineze. Kështu, të martën përfaqësuesja e lartë e BE-së Kaja Kallas, pas takimit të ministrave trë jashtëm të bllokut tha se Bashkimi Europian do të rishikojë paktin që rregullon lidhjet e tij politike dhe ekonomike me Izraelin për shkak të situatës “katastrofale” në Gaza. Kallasi tha se “një shumicë e fuqishme” e ministrave në këtë takim në Bruksel e mbështeti një revizionim të marrëveshjes me Izraelin, të njohur si Marrëveshja për përbashkimin, duke patur parasysh ngjarjet në Gaza. “Situata është katastrofale. Ndihmat që ka lejuar Izraeli, natyrisht që janë të mirëpritura, por ato janë një pikë uji në det. Ndihma duhet të vazhdojë, pa pengesë dhe në sasi të mëdha, sepse është ajo që nevojitet”, u tha Kallasi gazetarëve.
Diplomatët u shprehën se 17 nga 27 shtete antarë të BE-së e kanë mbështetur revizonimin, i cili do të fokusohet në atë nëse Izraeli respekton klauzolat për të drejtat e njeriut në marrëveshjen e re, gjë që e ka propozuar ministri hollanez i punëve të jashtme Caspar Veldkamp.
Në letrën në të cilën propozohet revizionimi, Veldkampi shpreh shqetësimin për shkak të politikës izraelite e cila “përkeqëson situatën edhe kështu të rëndë humanitare”. Gjithashtu nënvizon se “deklaratat e antarëve të kabinetit qeveritar izraelit mbi praninë e përherëshme të cilat aludojnë në një ripushtim (të disa pjesëve) të Rripit të Gazës, Sirisë dhe Libanit” dhe “përkeqësojnë akoma më shumë situatën në Bregun Perëndimor”. Veldkampoi e quajti revizonimin “një sinjal të fuqishëm dhe me rëndësi”, duke përsëritur ndjenjat e zyrtarëve nga Franca dhe Irlanda.
Por ministra të tjerë nuk e mbështetën revizonimin. Ministri çek i punëve të jashtme Jan Lipavsky propozoi që blloku të mbajë një takim me Izraelin në kuadër të marrëveshjes eksistuese për përbashkimin në mënyrë që të shprehë shqetësimin e tij. Kallasi tha se sanksionet e BE-së kundër të zhvendosurve izraelitë me dhunë në Bregun Perëndimor janë përgatitur, por deri tani ato i ka bllokuar një shtet i vetëm. Diplomatët thanë se ky shtet është Hungaria.
Ministrja suedeze e punëve të jashtme tha të martën se vendi i saj do të punojë brenda BE-së për vendosjen e sanksioneve kundër disa ministrave të caktuar izraelitë për shkak të veprimeve të izraelitëve në Gaza. “Meqënëse nuk shohim përmirësim të qartë për civilët në Gaza, duhet ta rritim akoma më shumë tonin”, tha ministrja e punëve të jashtme Maria Malmer Stenergard në deklaratën e saj për AFP-në dhe shtoi se për këtë shkak “tani gjithashtu do të këmbënguluet për sanksione të BE-së kundër disa ministrave të caktuar izraelitë”.
Londra shkon akoma më tej
Qeveria britanike të martën ndëpreu bisedimet mbi tregtinë e lirë me Izraelin dhe u vendosi sanksione të zhvendisurve me dhunë në Bregun Perëndimor, vetëm disa orë pasi premtoi “aksione konkrete” nëse Izraeli nuk ndëpret ofensivën e tij ushtarake në Gaza. Ministri britanik i punëve të jashtme David Lammy tha se qeveria nuk mund të vazhdojë bisedimet mbi marrëveshjen ekzistuese të tregtisë me qeverinë izraelite që është duke realizuar, sikurse tha, për shkak të politikës së padëgjuar në Gaza dhe në Bregun Perëndimor që ka pushtuar Izraeli. “Historia do të më gjykojë”, tha Lammy. “Bllokim i ndihmës. Zgjerim i luftës. Anashkalimi i shqetësimeve të miqve dhe partnerëve tuaj. Kjo është e pajustifikueshme. Dhe duhet të pushojë”. Tha se vendbanimet ilegale izraelite për shtrihen gjithandej në Bregun Perëndimor “me mbështetjen e hapur të qeverisë izraelite”.
Presioni i aleatëve të afërt me Izraelin është duke u rritur pas pothuajse bllokadës tre mujore të furnizimive në Gaza gjë që ka çuar në shenja urie. Madje edhe Shtetet e Bashkuara, aleati besnik, kanë shprehur shqetësimin për shkak të krizës së urisë. Zëdhënësi i ministrisë izraelite të punëve të jashtme Oren Marmorstein i quajti sanksionet kundër të zhvendosurve në Bregun Perëndimor “të pajustifkuara dhe për të ardhur keq” dhe tha se Britania e Madhe gjithsesi po përparon në bisedimet mbi tregtinë e lirë. Kjo deklaratë erdhi pas komentit të kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili vuajtjet e fëmijëve në Gaza i quajti “plotësisht të padurueshme” dhe përsëriti thirrjen e tij për ndëprerjen e zjarrit. “Dëshiroj të deklaroj publikisht sot se jemi të tmerruar nga përshkallëzimi i Izraelit”, tha Starmeri. Ambasadorja izraelite në Britaninë e Madhe Tzipi Hotolevy, u thirr në Ministrinë e punëve të jashtme, ku Ministri për Lindjen e Meësme Hamish Falconer, bllokadën e planifikuar11-javëshe e quajti “të egër dhe të pajustifikueshme”.
Ashpërsojnë qëndrimin e përbashkët edhe Franca dhe Kanadaja
Të hënën Starmerit i’u bashkua edhe presidenti francez Emanuel Macron dhe kryeministri kanadez Mark Carney në adresimin e një prej kritikave më të ashpra të aleatëve më të afërt të Izraelit për shkak të mënyrës sesi po luftohet në Gaza dhe aksioneve të tij në Bregun Perëndimor. Treshja e krerëve kërcënoi me marrjen e “aksioneve konkrete” nëse qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu nuk ndëpret menjëherë përsëritjen e ofensivës dhe nuk heq kufizimet e ndihmës humanitare.
Netanjahu këtë deklarata e quajti “çmim të madh” për Hamasin.
Konkluzion
Ndërgjegja e zgjuar kaq befasisht e Bashkimit Europian dhe antarëve të tij kryesorë, si edhe Britanisë së Madhe dhe Kanadasë për shkak të vuajtjeve të papara të popullit palestinez në Rripin e Gazës që vazhdojnë që nga fundi i tetorit të vitit 2023, e fundi as që u shihet – ndoshta më shumë se përshendetje meriton përbuzje. Sepse ndërkohë kanë ndodhur shumë gjëra të tmerrshme në mënyrë që kësisoj, me deklarata shterpë dhe të vonuara me karakter antiizraelit të përpiqen të pastrojnë ndërgjegjen e tyre para viktimave sepse vështrimi memec i këtyre krimeve të papara – pa ndërmarrë asgjë konkrete në nivel të bashkësisë ndërkombëtare – nuk ka sesi të harrohet dhe të falet!
Pendesa e befasishme e të fuqishmëve europiane më shumë më duket si pasojë e hakmarrjes së tyre ndaj ShBA-ve dhe Donald Trumpit personalisht – si aleatët dhe sponzorizuesit më të mëdhenj të Izraelit – për shkak të largimit të hapur nga Europa dhe përpjekjeve për të rirregulluar botën tërësisht sipas interesave amerikane. Uashingtoni e sheh Europën si lojtar të kategorisë së dytë në lojën gjeopolitike, ndoshta vetëm si një konkurrent të pakëndshëm tregtar, të cilit pikërisht për këtë “i është vënë njëfarë zjarri sigurie” në krahun e saj Lindor dhe i ka dhënë rolin e zjarrfikësit të përjetshëm nëpërmjet marrjes së përkujdesjes për Ukrainën dhe pengimin e zgjerimit të interesave të Rusisë në Kontinentin e Vjetër. Elitat europiane e pranuan këtë rol në mënyrë naive dhe pa e menduar që në fillim të qeverisjes së Xho Bajdenit dhe nuk mund të dalin më nga kjo situatë pa dëme të stërmëdha politike dhe të reputacionit për veten e tyre.
Por mund të përpiqen të hakmerren! Të fuqishmit europianë e kanë kuptuar qartazi tërë rëndesën e pozitës së pakëndshme në të cilën i ka vënë Trumpi dhe po përgatiten për kundërpërgjigjen e tyre. Njëra prej tyre është edhe lidhja e marrëveshjes së përkohëshme tregtare BE – Britania e Madhe, si përgjigje e qartë ndaj luftës doganore të Trumpit. Në këtë kuptim mbetet për tu parë sesi do të zhvillohen marrëdhëniet mes BE-së dhe Kinës dhe nëse dëshiron Londra të vazhdojë edhe më tej t’i frenojë ato në emër të aleancës britaniko-amerikane (Trumpi dhe Starmeri nuk e durojnë njëri tjetrin ideologjikisht dhe janë në anë plotësisht të kundërta) apo gjithçkja do të vazhdojë të zhvillohet sipas logjikës së tregut.
Përgjigje e dytë e Europës ndoshta orientohet me goditjen ndaj aleatit kyç amerikan në Lindjen e Mesme – Izraelit, i cili dhjetëvjeçarin e kaluar në BE ka arritur të gjejë vende që do të frenojnë marrjen e çfarëdolloj vendimi apo miratim rezolute që mund të kenë karakter antiizraelit. Me këtë rast metropolet europiane kërkojnë hapësirë për tërheqjen e monarkive të pasura arabe – atë që u përpoq dhe në një masë të mirë arriti ta bëjë Trumpi në turneun e sapopërfunduar në Lindjen e Mseme.
Por me arabët pragmatikë dhe tregtarë dinakë nuk mund të jesh kurrë i sigurtë. Aq më shumë që pikërisht tani po formojnë “botën arabe” – një qendër të re të fuqisë gjeopolitike të botës, në të cilën në të ardhmen nuk duan që ndokush nga jashtë t’u diktojë rregullat e lojës dhe ku duan të bashkëpunojnë me të gjithë kur dhe ku të kenë interes.
Lojërat globale dhe kontinentale po bëhen gjithnjë e më të nxehta!
[i] https://www.geopolitika.news/analize/meter-o-izraelskoj-pripremi-napada-na-iran-i-o-naglo-probudenoj-savjesti-europe-zbog-patnji-palestinaca/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA