Shënime për librin “Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën” të Hajdar Munekës
Nga Xhevdet Shehu
Historia e Shqipërisë komuniste është e çuditshme dhe vazhdon të ngjallë interes ngado që ta marrësh me të përpjetat, kthesat, përplasjet dhe fundin e saj. Është gjysmë shekulli histori e Shqipërisë moderne dhe si e tillë është e pashmangshme. Një nga enigmat më të mëdha janë lidhjet dhe zgjidhjet që bënte Enver Hoxha dhe Shqipëria e vogël e udhëhequr prej tij me fuqitë më të mëdha të kohës. Por padyshim, lidhja vëllazërore e Shqipërisë së vogël me Kinën, vendin që kishte një të katërtën e popullsisë së botës është padyshim më e çuditshmja dhe më interesantja. Jo vetëm se ishte më jetëgjatja nga miqësitë që lidhi Shqipëria gjatë historisë komuniste të saj, por edhe për shumë arsye të tjera dhe impaktin që pati kjo miqësi në gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë globale. Shqipëria e vogël faktorizoi Kinën pasi ishte aktori kryesor për pranimin e Republikës Popullore të Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke përjashtuar Taivanin. Nga ana tjetër ishte Kina që faktorizoi Shqipërinë duke e bërë atë një vend me peshë dhe dinjitet në rang global, në saje të ndihmave që ajo dha. Mbase është pikërisht kjo miqësi dhe mandej prishja e saj që mund të zbërthejë shumicën e enigmave dhe zhvillimeve shqiptare në 30 vitet e fundit të regjimit komunist në Shqipëri deri në rënien e tij.
Pyetjet që nuk kanë marrë përgjigje ende përfundimisht dhe në mënyrë shterruese nga historianët dhe politologët janë të kësaj natyre: Si dhe pse u lidh Enver Hoxha me Kinën? Kush përfitoi më tepër nga kjo marrëdhënie? … Misteret e revolucionit kulturor kinez dhe ndikimet e tij në Shqipërinë e vogël… Pse u prishën këto marrëdhënie dhe sa ndikoi kjo në fundin e regjimit komunist në Shqipëri.
Kemi një libër të rëndësishëm dhe interesant në duar, librin e një diplomati dhe gazetari, ish-ambasadorit tonë në Kinë, Hajdar muneka, nën titullin “Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën”. Është një nga librat e rrallë të botuar për Kinën pas vitit 1990. Më përpara, në kohën e marrëdhënieve më të ngushta shqiptaro kineze janë botuar libra, por ky është më i ploti, më i kompletuari dhe më analitiku. Ky libër me histori, kujtime, analiza dhe refleksione të një ambasadori është shumë i vlershëm jo vetëm për politikanët e politologët, por edhe për diplomatët e lexuesin e gjerë. E vlerësoj këtë libër edhe për faktin se gjeste si ky i zotit Muneka janë të rrallë ndër diplomatët tanë, ndërkohë që libra të kësaj natyre janë më se të nevojshëm. Që nuk shkruhen libra të kësaj natyre, ose që janë fare të pakët, ka shumë arsye: që nga formimi i atyre që zgjidhen për diplomatë, nga talenti e kultura e tyre dhe sidomos nga përkushtimi për t’i shërbyer sa më mirë vendit të tyre dhe ndërtimit të atyre tepër të domosdoshme të bashkëpunimit e të miqësisë midis vendeve. Fatmirësisht tek Muneka i gjejmë të mishëruara edhe formimin e tij, edhe talentin, edhe përkushtimin. Muneka jo vetëm e simpatizon, por e do Kinën, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Ai duket sikur psherëtin në çdo faqe të librit të tij për humbjen e shanseve shqiptare nga lidhjet dhe bashkëpunimi me gjigandin aziatik.
Them kështu sepse ky libër është shkruar pa imponim në një kohë tjetër, në kushtet e një shoqërie të hapur dhe, i distancuar në kohë me disa dekada nga miqësia e madhe, autori ka mundur të gjykojë me gjakftohtësi dhe të analizojë me objektivitet, arsyet e lidhjes e të zgjidhjes së kësaj miqësie që, sikurse thotë Muneka, çuditi botën. Çuditi botën për mënyrën se si u lidhën dy kombe krejt të ndryshëm nga njeri tjetri, në histori e zhvillim. Çuditi botën për distancën e madhe që i ndante dy vendet. Çuditi botën me panatyrshmërinë e lidhjes së një vendi gjigand me qindra milionë, ose sa një e katërta e botës me një vend të vogël me pak më shumë se një milion banorë sa ishim ne atëherë.
Këto enigma përpigjet të deshifrojë diplomati Muneka në librin e tij të botuar vitin e fundit dhe mendoj se ia ka arritur qëllimit.
***
Historia e miqësisë shqiptaro-kineze ka nisur qysh në vitin 1949, kur Shqipëria ishte ndër të parët vende të botës që njohur Republikën Popullore të Kinës të shpallur nga Mao Ce Duni. Por lidhjet e para mes dy vendeve kanë filluar me një telegram. Më 17 nëntor 1950, vetëm një vit nga shpallja e Kinës së re, kryeministrit shqiptar, Enver Hoxha, i ka ardhur i ka ardhur telegrami i parë nga homologu kinez Çu En Lai bashkë me tri dhurata: dy vazo porcelani ngjyrë blu, 20 paketa cigare dhe një servis duhani. Në vijim, marrëdhëniet mes dy vendeve erdhën duke u bërë më të ngushta, duke shënuar kulmin e tyre në fundin e viteve ’60 dhe fillimin e viteve ’70.
Kur flitet për Kinën, shifrat dhe faktet janë marramendëse, në kufijtë e së pamundurës.
Në koncertin që u dha në Pekin për nder të vizitës së Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos në maj të vitit 1966, u angazhuan rreth 6 mijë artistë profesionistë dhe amatorë të kombësive të ndryshme, të cilët interpretuan valle dhe këngë në gjuhën kineze dhe shqipe. Kënga “Pekin-Tiranë” u këndua nga një kor prej 1600 vetësh.
Në tetor 1967 Mehmet Shehu ishte sërish në Kinë, kur revolucioni kulturor ishte në kulm. Me porosi të Maos, për nder të delegacionit shqiptar në Wuhan të provincës Hubei, (atje ku u shfaq për herë të parë korovavirusi COVID 19 më 2020) u organizua një miting madhështor me pjesëmarrjen e mbi një milion vetëve. Çu En Lai iu drejtua të pranishmëve me fjalët: “Revolucioni Kulturor do të fitojë, pasi ai përkrahet edhe nga populli shqiptar”. I gjithë sheshi u ndez nga brohoritjet e ovacionet, të cilat e shoqëruan gjithë fjalimin e Mehmet Shehut.
Por po të tilla janë edhe shifrat e ndihmave që Kina i ka dhënë Shqipërië për më shumë se 20 vjet. Në kohën kur u lidh ngushtë kjo miqësi, më të madhen pasuri që kishte me shumicë Shqipëria e për të cilën Kina kishte nevojë, ishte fjala. Ne ishim anëtarë të OKB-së, ndërsa vendin e Kinës në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit e kishte Taivani. Shqipëria u bë njëfarë mënyre zëdhënëse e Pekinit për vite me radhë, derisa rezoluta e propozuar nga Shqipëria, u përkrah nga shumica e vendeve anëtare, dhe Kina zuri vendin e saj të merituar në këtë organizatë të fuqishme ndërkombëtare dhe në Këshillin e Sigurimit më 25 tetor 1971, një fitore që u festua me fishekzjarre në Pekin dhe Tiranë.
Kina kishte më shumë arsye të festonte se sa Shqipëria, ky vend i vogël europian. Në kohët moderne kishte filluar të vihej në lëvizje projekti madhor kinez i rreth 12 shekujve më parë: Rruga e Mëndafshit. Nëpër Rrugën e Mëndafshit, e gjatë mbi 7000 kilometra, qëllimi kryesor i së cilës ishte që të lidhin Mesdheun me Azinë Lindore, nuk kanë qarkulluar vetëm mallrat, erëzat, mëndafshi, por edhe religjionet dhe kulturat.
Të ishte Shqipëria komuniste në avangardën e vendeve europiane për realizimin e projektit të lashtë kinez?
***
Kinezët kanë një fjalë të urtë që thotë: “Sa herë të pish ujë, kujto atë që bëri pusin”. Ne shqiptarët kemi jo vetëm të drejtë, por duhet t’i kujtojmë kinezët sa herë flasim për shumë nga veprat e mëdha që u ndërtuan gjatë socializmit me ndihmat e Kinës, që nga hidrocentralet, projekteve ushtarake si dhe shumica e uzinave, fabrikave e kombinateve anembanë vendit të cilat jo vetëm i dhanë frymëmarrje ekonominë shqiptare, por edhe e mbajtën në këmbë atë regjim. Muneka bën të ditur se përpara së të hartoheshin planet 5-vjeçare të Shqipërisë, në Kinë shkonin vazhdimisht delegacione të nivelit të lartë me projekte të bëra gati në Tiranë dhe në bazë të ndihmave që garantonte qeveria kineze, planifikoheshin veprat që do të ngriheshin.
Por, pas vizitës së Niksonit në Kinë dhe kritikave të ashpra nga Tirana, këto ndihma erdhën duke u zvogëluar dhe miqësia e ngushtë po ftohej gjithnjë e më tepër. Fakt është se me ndërprerjen e ndihmave kineze ekonomia shqiptare filloi të atrofizohej, deri sa kapitulloi.
***
Pasi lexon librin e Hajdar Munekës, ish-ambasadorit të Shqipërisë në Pekin bindesh se Kina nuk ka nevojë për hiperbola. Ajo është vetë një hiperbolë e stërmadhe dhe nuk ka nevojë t’i shtosh të tjera. Edhe misteri i saj është zbuluar pjesë-pjesë ndër vite, për aq sa ka nevojë të dijë një njeri për një vend e për një komb tjetër. Termi mbase më i përshtatshëm në rastin e këtij gjigandi aziatik është të themi se Kina, me një nga qytetërimet më të lashta të botës, aktualisht është një realitet i pamohueshëm dhe absolutisht i pashmangshëm i historisë së njerëzimit. Në këtë libër njihesh me një botë tjetër të pasur dhe shumë interesante, me një histori dhe një kulturë që mendoj se përbën një mangësi të madhe po të mos e njohësh.
Revolucioni Kulturor që njihet si një fatkeqësi për Kinën, nisi si ide e Kryetarit Mao kur ai mendoi se i ishte lëkundur pushteti. Kjo katastrofë vazhdoi mbi dhjetë vjet. Revolucioni kulturor i ka hequr Kinës dhjetë vite histori zhvillimi, thotë autori Muneka, çfarë janë shumë në jetën e një vendi dhe të një kombi. Dhe përgjegjësi kryesor, autori dhe ideatori ishte vetëm një: Mao Ce Duni, ai që edhe sot e kësaj dite adhurohet si një zot nga kinezët dhe nderohet si askush, ndërsa një fotografi e madhe e tij prej më shumë se katër dekadash qëndron në sheshin qendror të Pekinit, në Tien An Men.
Për zhdukjen e mareshalit Lin Biao, numri 2 në hierarkinë më të lartë kineze në 13 shtator të vitit 1971, Kryetari Mao nuk ishte as befasuar, as tronditur. Ai e kishte pritur me qetësi njoftimin dhe i kishte artikuluar këtë poezi lajmëtarit: “Koha është për shi, vajza dëshiron të martohet. Lëreni të fluturojë, mos e ndaloni”.
Ten Hsiao Pini, u bë dy herë viktimë e atij revolucioni. Por jo vetëm mbijetoi, (pasi Maoja vetëm e mënjanoi dhe e izoloi në një vilë të veçantë), por ishte pikërisht ai që do të udhëhiqte Kinën pas Maos dhe do t’i hapte rrugët e një zhvillimi të paparë që do të mahniste botën dhe do ta bënte Kinën një superfuqi botërore. Teni, pavarësisht se ishte viktimë e atij revolucioni ka thënë se “Revolucioni Kulturor e ka edhe një të mirë të madhe. Ai na dha një eksperiencë negative, pa të cilën nuk do të përcaktonim rrugën tonë politike, ideore dhe organizative, si dhe një sërë politikash të tjera”. Është pikërish Teni që shpiku termin “socializmi me ngjyra kineze”. Është po ai që ka thënë shprehjen proverbiale që është edhe sot e kësaj dite dominuese në filozofinë kineze të zhvillimit të vendit: “nuk ka rëndësi nëse macja është e bardhë apo e zezë, mjafton që ajo të kapë miun”. Hajde merre vesh se sa marksiste është kjo filozofi. Diplomati Muneka thotë se “diplomacia kineze nuk ka qenë asnjëherë mirëfilli diplomaci marksiste-leniniste”. Arritja në këtë konkluzion është mundësuar pas përjetimesh të gjata në këtë fushë, por edhe hulumtimesh nga historia dhe filozofia kineze, e lashtë dhe moderne.
Tek filozofia e Sun Zi-së për të mbajtur “mikun afër, por armikun edhe më afër” mund të gjendet një nga arsyet e hapjes së Kinës, e cila filloi që kur Maoja ishte gjallë dhe vazhdoi pastaj me ritme të shpejta nën udhëheqjen e Ten Hsio Pinit. Po gjenerali Sun Zi rreth pesëqind vjet para Krishtit ka thënë se “Fitorja më e mirë është ajo që arrihet pa luftuar dhe ky është dallimi midis njeriut të matur dhe injorantit”. Dhe është e saktë ajo që thuhet në libër se historia ka dëshmuar se “Arti i Luftës” i Sun Zi-së ndër shekuj ka frymëzuar jo vetëm perandorë e strategë ushtarakë kinezë, por i ka kaluar edhe kufijtë e Kinës. Ajo filozofi ka frymëzuar edhe Napoleon Bonapartin.
Një krenari kombëtare e Kinës është padyshim Konfuci dhe filozofia e tij aq ndikuese prej njëzetepesë shekujsh te kinezët e më gjerë. Ai mund të ngjallë debate për idetë filozofike të tij, por gjithnjë ka qëndruar mbi të tjerët, asnjëherë nuk i janë marrë këmbët dhe nuk është vënë në dyshim.
Por një ditë edhe ai u vu në dyshim. Dhe u vu nga Mao Ce Duni në kulmin e Revolucionit Kulturor, kur emri i filozofit të lashtë u lidh me atë të mareshalit Lin Biao.
Kryetari Mao nuk ishte njeri dogmatik dhe as komunist fanatik, nënvizon ambasadori Muneka një konsideratë tashmë të konfirmuar nga të gjithë sinologët. Me pesë hieroglife, apo me një të lëvizur të dorës, Mao Ce Duni ngrinte në këmbë qindra milionë njerëz, fillonte luftëra e bënte revolucione. Në Kinë armiqtë e partisë, popullit e revolucionit i largonin nga politika, por nuk i pushkatonin. Shembulli tipik mund të konsiderohet i lidhur me dy emra mjaft të njohur në Shqipërinë e asaj kohe si Liu Shao Çi dhe Ten Hsiao Pin. Për Tenin Kryetari kishte shkruar vetëm nëntë hieroglife ku shprehte vlerësimin e tij: “shoku Xiaoping është një talent i rrallë, me ide të forta politike”.
Por aleati më i fuqishëm deri në verbëri i Kinës në vitet e Revolucionit Kulturor ishte Shqipëria dhe ajo nuk mund të ngelej jashtë ndikimit të ati revolucioni. Metodat kineze u futën gjerësisht në jetën e përditshme që nga heqja e gradave, uniformat e ushtarakave dhe deri tek fletë-rrufetë që ishin imitim i dacibaove të Kinës. Tek ai Revolucion duhen kërkuar edhe zhvillimet politike dhe spastrimet e mëdha që u bënë në udhëheqjen shqiptare në vitet ’70 dhe fillimin e viteve ’80, të cilat ishin një amalgamë e metodave sovjetike me ato kineze.
***
Një shprehje shumë e përhapur në Kinë është se “Më mirë të presësh tre minuta, se sa të kërkosh të rrëmbesh një sekondë”. Kjo shprehje e mençur sintetizon sa filozofinë aq dhe psikologjinë kinezë të mendimit dhe veprimit të tyre, kjo shpjegon pse ata janë të duruar….
Vizita e Presidentit Nikson nga 21 deri më 28 shkurt 1972 ishte kthesa e madhe historike e Kinës moderne dhe nga më të mëdhatë në historinë e saj. Vetë presidenti amerikan e ka quajtur “java që ndryshoi botën”. Por takimi i tij me Maon zgjati vetëm një orë e pesë minuta. Të dyja palët ranë dakord të mbahej sekret çdo gjë që u bisedua në atë takim. Biseda Mao-Nikson është zbardhur shumë vjet më pas. Amerikanët kanë pohuar më vonë se u është dashur gati një javë të kuptonin se çfarë mesazhesh u kishte dhënë Kryetari në një orë të vetme dhe me një gjuhë larg formatit zyrtar. Amerikanëve iu desh që shënimet e atij takimi t’i dërgonin në Uashngton për t’u zbërthyer nga specialistë sinologë, të cilët mes fjalëve, humorit e shprehjeve të shkëputura të Kryetarit, kanë nxjerrë kuptimin real të mesazheve të tij. Pas atij takimi, ishte Çu En Lai që bëri rreth dhjetë takime me Niksonin.
Maoja i gjithëpushtetshëm në krye të Kinës e njihte shumë mirë botën ku jetonte dhe drejtonte. Njihte Kinën dhe botën si të ishte udhëheqësi numër 1 i saj. Kjo ishte e mjaftueshme për të që t’i shihte të gjithë nga lart poshtë. Edhe presidentin amerikan. E vërtiste botën që e rrethonte me lehtësinë më të madhe, bënte poezi dhe humor dhe të tjerët vrisnin mendjen me ditë, javë, muaj e vite se pse e shkroi këtë hieroglife Kryetari dhe ku donte të dilte me shakanë që bëri. Kur u takua për herë të parë me Niksonin ndër të tjera i tha se do të fillonte të mësonte gjuhën angleze. Niksoni e mbajti mend këtë dhe kur u takua me Maon pas katër vjetësh e pyeti se si kishte ecur me mësimin e anglishtes. Kryetari iu përgjigj se kishte mësuar dy fjalët më të rëndësishme: TIGËR PREJ LETRE. Ishin pikërisht fjalët me të cilat ai kishte stigmatizuar imperializmin amerikan dhe bombën e tyre atomike.
***
Se sa komuniste është Kina sot e kësaj dite nuk ka nevojë të vrasësh shumë mendjen. “Socializmi me ngjyra kineze” i Ten Hsiao Pinit i ka thënë të gjitha. Aty mund të gjendet edhe arsyeja e shtypjes së përgjakshme të protestave të studentëve në sheshin Tien An Men në vitin 1989. Udhëheqësit kinezë ecin besnikërisht dhe me vendosmëri në rrugën që u hapi Teni. Ata nuk vishen me kostume ushtarake si Kryetari Mao. Ata mbajnë kostume dhe kravata si udhëheqësit perëndimorë. Ekonomia e tregut ka hyrë gjerësisht dhe aktualisht Kina është një nga partnerët më të fuqishëm tregtarë në të gjithë botën. Diplomacia kineze është lindur shumë kohë para marksizmit. Kinezët kanë filozofinë e tyre të lashtë ku mbështeten në politikë, në diplomaci e në të gjitha zhvillimet e tjera që ata mendojnë se është rruga më e mirë për ta fuqizuar parreshtu vendin e tyre.
Megjithëse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga miqësia e ngushtë shqiptaro-kineze, për shumëkënd ajo mbetet një periudhë e bukur dhe kujtohet me nostalgji si në Shqipëri, ashtu dhe në Kinë. Kjo nostalgji e argumentuar dhe e justifikuar shprehet edhe në librin e ambasadorit Muneka. Shumëkush mund të habitet me bumin kinez, por jo Muneka që ka kaluar në Kinë rininë e tij si student dhe mandej si diplomat pas viteve 1990.
Por kohët kanë ndryshuar shumë. Në Kinë kemi një realitet krejt tjetër. Kina nuk është më e njëjta, ashtu sikurse edhe ne nuk jemi po ata të viteve ’60-’70. Ne ndoqëm një rrugë tjetër zhvillimi nga ajo e Kinës, ne zgjodhëm izolimin total dhe mbështetjen në forcat e veta, kurse Kina zgjodhi hapjen me botën dhe partneritetin me gjithë botën. Rruga e re e Mëndafshit ka vite që ka filluar të funksionojë. Me investime të fuqishme, Kina po kërkon rrugë të reja tregtie përmes Rrugës së Mëndafshit, sa të lashtë aq dhe të re. Pa asnjë dyshim që edhe Shqipëria është pjesë e këtyre projekteve kineze qoftë dhe afatgjata. Kina e kishte kuptuar shumë para nesh se nuk mund të shkohej më tej me slogane dhe sidomos me ato marksiste-leniniste.
Në të vërtetë jemi ne që kemi humbur më shumë nga këto zhvillime me Kinën. Rivendosja e marrëdhënieve të ngushta të dikurshme ishte e pamundur pas vitit 1990. Mjafton të kujtojmë një protestë në Tiranë para ambasadës kineze nga ata që po vinin me revan në pushtet. Në ballë të protestave antikineze ishte dikush, Alfred Serreqi, që pak më vonë do të bëhej ministër i jashtëm i Shqipërisë dhe si ministër do të bënte një vizitë në Kinë për të kërkuar ndihmë. Por kinezët kanë një kujtesë historike të gjatë dhe sidomos në realitetin e ri gjërat i shikojnë ndryshe nga koha e miqësisë sonë të ngushtë me ta. Këtu mund të gjendet arsyeja e mosrealizimit të shumë projekteve që mund t’i realizonin shumë mirë kinezët, si ai i hidrocentralit të Bushatit, që ka kaluar në kalendar greke dhe nuk është realizuar as sot e kësaj dite. Ne, duke ndjekur terapinë shock dhe atë të nivelit Zero, i prishëm të gjitha fabrikat, uzinat e kombinatet që u ndërtuan me ndihmën e kinezëve. Kanë ngelur vetëm hidrocentralet. Qeveritë shqiptare të pas vitit 1990, të djathta e të majta, nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur marrëdhënieve me Kinën dhe ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit në kushtet e reja. Fatkeqësisht!
Nëse herën e parë ne u gjendëm rastësisht, aksidentalisht apo ramë qëllimisht për parime ideologjike në “kurthin”e Rrugës kineze të Mëndafshit, këtë herë “kurthi” është i pashmangshëm. Nuk është vetëm Shqipëria pjesë e këtij “kurthi”apo plani tashmë global. Është një botë e tërë pjesë e këtij projekti dhe partneriteti. Europa sidomos. Problemi është fare i thjeshtë: duke respektuar partneritetin dhe reciprocitetin, qoftë dhe me një superfuqi globale si Kina, sa do të jemi në gjendje ta shfrytëzojmë këtë shans?
***
Publikuar ne DITA. Botohet ne Argumentum me lejen e autorit, ndalohet ribotimi pa leje me shkrim nga media qe e ka botuar.