Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi sot Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur pozicionin e saj negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grup-kapitullin 5: “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
Lajmin e bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se ky vendim vjen në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria nuk ndalet. Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë grup-kapitullin 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni””, u shpreh Rama.
35 kapitujt e negociatave për pranimin në BE janë ndarë në gjashtë grup-kapituj. Shqipëria vlerësohet se ka përparuar me shpejtësi në hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësimin në BE, proces i cili ka nisur në tetor 2024.