Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka mirëpritur njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës nga Australia, Britania e Madhe dhe Kanadaja, duke e cilësuar si një njohje të aspiratave legjitime të popullit palestinez për një shtet të pavarur dhe sovran.
“Njohja e sotme, nga këto tre vende, është pjesë e përpjekjeve të koordinuara ndërkombëtare për të krijuar klimën e duhur për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete,” tha Presidenti Abbas.
Ai theksoi se njohja e Palestinës është një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm drejt arritjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, në përputhje me rezolutat e legjislacionit ndërkombëtar.
Sipas Abbas ky vendim do të hapë rrugën për zbatimin e zgjidhjes mes dy shteteve, duke lejuar që Shteti i Palestinës të jetojë pranë Shtetit të Izraelit në siguri, paqe dhe fqinjësi të mirë.
Ai nënvizoi gjithashtu se prioritetet aktuale janë: armëpushimi, hyrja e ndihmave humanitare, lirimi i të gjithë pengjeve dhe të burgosurve, tërheqja e plotë e Izraelit nga Gaza, marrja e përgjegjësive të plota nga Shteti i Palestinës, fillimi i procesit të rikuperimit dhe rindërtimit, dhe ndalimi i aktivitetit të vendbanimeve dhe terrorizmit nga kolonët.