Opozita iu rikthye tryezës se Këshillit Politike për reformën zgjedhore, por jo për të bërë propozime të tjera në lidhje me këtë temë, pasi këtë çështje e vlerëson si të shteruar para ndërprerjes së punës për shkak të koronavirusit.
Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI dolën me një deklaratë të përbashkët ku parashtruan tre kërkesa, që më shumë se përmbajtjen lidhen me procedurat dhe afatet e punës së Këshillit Politik. Kërkesa e parë e opozitës është që reforma të përmbyllet nga Këshillit Politik brenda 31 majit dhe më pas t’i kalojë për miratim Kuvendit, ku ky i fundit nuk duhet të ndërhyjë për ta ndryshuar.
Në kërkesën e dytë opozita thotë se mbledhjet e Këshillit Politik duhet të rikthehen në tryezë fizike, jo përmes platformave të komunikimit në distancë, ndërsa në kërkesën e tretë kërkohet prej mazhorancës që të japë një përgjigje në lidhje me propozimet që bëra nga opozita në tryezë.
Por, nga mazhoranca akuzojnë opozitën për tërheqje nga dakordësia e arritur deri më tani në Këshillin Politik. Damian Gjiknuri e vlerësoi si të arritshëm afatin e vendosur më 31 maj, por nëse ka vullnet politik.
“Nuk kemi të bëjmë me rifillim loje, por me vazhdimin e asaj ku e lamë. Nuk mund të rikthejmë më agjendat. Ka një metodologji të dakordësuar dhe nuk mund t’i rikthehemi lojës nga e para. Nuk mund të hapen çështje të reja”, deklaroi Gjiknuri në përfundim të mbledhjes online të Këshillit Politik.
Përfaqësuesi socialist u shpreh gjithashtu se mazhoranca është në pritje të propozimeve të opozitës sa i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor. Ai tha se ekspertët kanë dhënë një zgjidhje optimale sa i takon votës së emigrantëve.
Por, opozita akuzon mazhorancën për mungesë vullneti për të arritur një marrëveshje. Oerd Bylykbashi i vlerësoi si dytësore çështjet e ngritura nga socialistët në Këshillin Politik.
Ndërkohë, as PS dhe as PD nuk janë shprehur fort optimiste për sistemin. Socialistët kanë shmangur komentet e drejpërdrejta mbi këtë çështje, ndërsa nga demokratët këmbëngulin se problemi nuk qëndron tek sistemi zgjedhor, por tek shit-blerja e votës.
h.e./Argumentum