Themelimi i saj u bë realitet në bazë të marrëveshjes së përfunduar nga Mufid Libohova në emër të Qeverisë shqiptare dhe Mario Alberti në emër të një grupi financiar italian. Qendra administrative e Bankës Kombëtare të Shqipnis do të ishte qyteti i Durrësit, ndërsa Komiteti Administrativ do ta kishte qendrën në Romë. Kjo bankë u themelua më 2 shtator 1925, dhe në shkurt të vitit 1926 hodhi në qarkullim monedhën e parë kombëtare shqiptare, frangun ar me nënfishat e tij lekë.
Kjo bankë vinte si një nevojë e menjëhershme pas pavarësisë së vendit, kohë kur në tregun shqiptar kishin filluar të shfaqeshin filiale bankare të shteteve të ndryshme, të cilat kryesisht kishin shtrirje lokale dhe nën patronazhin e bashkive përkatëse. Bisedimet për krijimin e Bankës Kombëtare filluan që në vitin 1921, kur pjesë përbërëse e monitorimit të krijimit të bankingut shqiptar do të bëheshin ekspertet më të mirë të kohës të dërguar nga Lidhja e Kombeve. Ekspertët e panë të udhës që Banka Italiane do të mundej më mirë të ishte tutori i krijimit të bankingut shqiptar dhe për këtë arsye, nisën bisedimet dypalëshe.
Kapitali i bankës do të ishte 12.500.00 franga ari dhe do të derdhej sipas nevojave të bankës. Kapitali mund të rritej një herë a më shumë, me vendim të mbledhjes së përgjithshme të aksionerëve. Banka do të drejtohej nga një Këshill Administrimi me përbërje nga dy grupet themeluese dhe me përfaqësues shqiptarë. Këshilli ia delegonte fuqitë e veta Komitetit Drejtues me dy deri në katër anëtarë.
Vetëm në vitin 1938, pala italiane që mbizotëronte në terma aksionesh, vendosi që godina e re e bankës duhet të ndodhej pranë kryeqytetit dhe jo më në Durrës, në një ndërtesë të projektuar nga arkitekti Morpurgo./ATA