Të paktën 20 persona kanë vdekur nga sulmet izraelite në spitalin Nasser në Gaza, përfshirë 5 punonjës të medias, mjekë dhe punonjës të Mbrojtjes Civile, të cilët nxituan të ndihmonin nga sulmi i parë.
Nga sulmet u vranë fotoreporteri i Reuters Hossam al-Masri, reporteri i NBC Moaz Abu Taha, fotoreporteri i Al Jazeera Mohammed Salama si dhe Mariam Abu Dagga, një gazetare që punonte për disa media, përfshirë Independent Arabic dhe Associated Press. Ndërsa gazetari i pestë, sipas Sky News, është Ahmed Abu Aziz, i cili humbi jetën në spital për shkak të plagëve që kishte pësuar.
Sipas Reuters, kameramani u vra teksa transmetonte drejtpërdrejt pamjet e sulmit të parë. Al Jazeera kërkoi reagimin ndërkombëtar dhe marrjen e masave për mbrojtjen e gazetarëve e civilëve.
“Këto krime sistematike kundër gazetarëve kërkojnë një reagim të fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe të gjitha qeveritë përkatëse. Nevojiten masa urgjente dhe efektive për të mbrojtur gazetarët, civilët dhe të drejtën themelore për informacion.”, tha në një deklaratë rrjeti mediatik.
Një mjek në Spitalin Nasser në Khan Yunis, Saber al-Asmar, tha se pacientët po largoheshin nga spitali nga frika e një sulmi tjetër izraelit.
“Ne ishim si të gjithë të tjerët në spital, thjesht duke bërë punën tonë me një mungesë të madhe pajisjesh, mjetesh dhe ilaçesh. Dhe ndërsa të gjithë po bënin punën e tyre, ndodhi ky sulm masiv”, tha al-Asmar, duke shtuar se bastisja ndodhi ndërsa studentët, mjekët dhe gazetarët ishin në spital.
Ushtria izraelite dhe zyra e Netanyahut nuk e kanë komentuar ende ngjarjen. Spitali Nasser, i vendosur në Khan Younis , ka përjetuar sulme dhe granatime gjatë gati dy viteve të luftës.
Sulmi vjen vetëm dy javë pasi gazetari i njohur i Al Jazeera-s, Anas al-Sharif, u vra së bashku me katër kolegë të tij të medias përpara Spitalit al-Shifa në qytetin e Gazës. Sipas vëzhguesve të medias, afërsisht 200 gazetarë janë vrarë në gati dy vjet luftë midis Izraelit dhe Hamasit.
Reporterët pa kufij, Reuters dhe Associated Press reagojnë për vdekjet e gazetarëve në rripin e Gazës
RSF – Thibaut Bruttin, drejtor i përgjithshëm i Reporterëve pa Kufij, duke komentuar sulmin e ushtrisë izraelite në Spitalin Nasser në Khan Younis, deklaroi se mbrojtësit e lirisë së shtypit nuk kishin parë kurrë një pengesë kaq serioze për sigurinë e gazetarëve. Bruttin theksoi se gazetarët janë vrarë si në sulme pa dallim ashtu edhe në sulme të synuara që ushtria izraelite ka pranuar se i ka kryer.
AP – “Associated Press është e tronditur dhe e trishtuar kur mësoi për vdekjen e gazetares Mariam Dagga, së bashku me disa gazetarë të tjerë, në Spitalin Nassar në Khan Younis, Gaza.” Kjo u tha në një deklaratë nga Associated Press, e ribotuar nga Reuters në faqen e saj të internetit. “Mariam udhëtonte rregullisht në spital për mbulim mediatik. Puna e saj e fundit përfshinte histori prekëse të fëmijëve të uritur dhe të kequshqyer në Gaza. Ajo punoi si punonjëse e pavarur për Associated Press dhe organizata të tjera lajmesh. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar sigurinë e gazetarëve tanë në Gaza.”
REUTERS – “Jemi të tronditur nga lajmi për vdekjen e kontribuesit të Reuters, Hussam al-Masri, dhe plagosjen e një tjetër kontribuesi tonë, Hatem Khaled, në sulmet izraelite ndaj Spitalit Nasser të Gazës sot”, tha Reuters në një deklaratë të postuar në faqen e saj të internetit. “Ne po kërkojmë urgjentisht më shumë informacion dhe u kemi kërkuar autoriteteve të Gazës dhe Izraelit të na ndihmojnë të marrim kujdes mjekësor urgjent për Hatem”, thuhej në deklaratë.
/Argumentum.al