Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka analizuar të dhënat e listëpagesave në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2019 dhe ka gjetur se 316 profesione në të gjithë vendin deklarojnë paga me të ulëta se sa marrin realisht.
Sipas burimeve në tatime në total janë evidentuar 19.446 pozicione pune në këto profesione që vlerësohen të nënpaguar. Nisur nga këto gjetje tatimorët u dërguan punëmarrëseve 19.229 letra të personalizuara dhe gjithashtu ndaj 11.942 tatimpaguesve në të cilët këto punëmarrës janë të punësuar.
Për të gjetur informalitetin në tregun e punës tatimet morën në analizë pozicionet e punës ku është punuar mbi 20 ditë pune. Gjithashtu u analizuan të dhënat për të punësuarit e larguar nga puna, pavarësisht nga data e shkëputjes dhe orët e punuara gjatë muajit qe subjekti punëdhënës deklaron. Analiza u bë në të gjitha llojet e bizneseve të vogla, të mesme të mëdha.
Analiza më të hershme kanë treguar se, Shqipëria karakterizohet nga një nivel i lartë i infomalitetit sidomos në tregun e punës, nga më të lartët në Rajon dhe Europë.