Përjetim në karantinë,
Nga Bedri RAMIZI
Nuk mund ta fsheh, jam tërësisht i marrë mbas ngjyrave! E verdha, bluja, e bardha, kafja, lejlaja, e gjelbëra, portokallija më ndezin çdo copëz të natyrës në shtëpinë time të vogël, tashmë karantinë. Me to në sfond, në telajo, a në çdo skutë të mbretërisë sime, as dua t`ia di për izolimin. Por, me të kuqen, nuk e di, kam një marrëdhënie tjetër, jam marrëzisht i dashuruar.
Tërë qenia ime më ngjan sikur më kanë hedhur në prush kur ajo më beh përpara. Dua të marr flakë dhe të përvëloj tërë të keqtë e universit, të bëhem gjak e të ndihmojë të sëmurët, të bëhem buzëkuq për vashat në dasma, të bëhem trëndafil për vajzën në ditëlindje, të bëhem poezi në mbretërinë e dashurisë.
Aq shumë të dua moj e kuqe saqë, në telajo, nuk hedh dot më asgjë, veç teje. Sepse ti je magjia vetë. Je kontrasti i jetës sime, je shkrepëtima që më ndjek në lindje dhe në perëndim, je shamikuqja e dëshpëruar e ëndërrave të heshtura. Por mbi të gjitha, je ngjyra e flamurit tim!
Ndaj të dua me pasion të çmendur, ndaj qenia ime përhumbet kur të hedh në telajo, ndaj shpirti im zemërohet që nuk jam dot si ti.
Se ti je esenca e jetës sime, je aroma e ditëve të bukura, je oqeani i gëzimeve pafund, je puhiza e ndjenjave të vrara, je shpërthimi i ngjyrave njerëzore, je simboli i lirisë së fituar me gjak. Ti je pikëllimi i shpirtit që lëngon, je lëmshi i zjarrtë që përvëlon nga malli, je triumfi i jetës më pas!
Tiranë, Maj 2020
© Argumentum