Pas vizitës në Kiev, ku zhvilloi një takim me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe kryebashkiakun Vitali Klitshko, kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar se Bashkia e Tiranës do të ndihmojë Kharkivin e bombarduar nga Rusia të rimëkëmbet pas përfundimit të luftës.
Veliaj, në një lidhje live me “Skype” për mediet, rrëfeu mbi vizitën e tij në disa prej qyteteve më të goditura nga lufta dhe tha se vendi ynë, përveçse me ndihmën konkrete në ringritjen e shkollave dhe infrastrukturës, në Ukrainë do të kontribuojë edhe me ekspertizën e një vendi të saporindërtuar pas një tërmeti si i ai 26 nëntorit 2019.
“Në disa qytete në periferi të Kievit, sidomos në Irpin edhe në Bucha, që vizituam dje, situata ishte vërtet dramatike. Për ne ishte tragjedi tërmeti, por natyrës nuk ke çfarë i bën, kurse këtë në fakt, e bën dora e njeriut, vendime të politikës. Ndaj, besoj se në një botë dhe në një Europë që është shumë e trazuar, vendet kanë nevojë për stabilitet, kanë nevojë për lidership të fortë për të kaluar këtë situatë dhe sidomos situatën e dimrit që, siç po parashikohet nga të gjithë do të jetë sfiduese për çështjet e energjisë edhe të karburantit,” u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë ka folur edhe në lidhje me marrëveshjen në kuadër të rrjetit Eurocities, si dhe atë të binjakëzimit të Tiranës me Kharkivin, i cili tha ai, edhe sot po bombardohet nga forcat ruse.

“Rrjeti i Eurocities ka rreth 200 qytete – ne ishim vetëm përfaqësia, bordi i organizatës. Tirana është një qytet binjak me Kharkivin. Ajo është zona në fakt, ku po bombardohet aktivisht. Ne ishim në Kiev, në kryeqytet, kështu që kryetari i Bashkisë së Kharkivit e kishte të pamundur të vinte, duke qenë se edhe dje ka patur bombardime, humbën jetën 20 vetë në Kharkiv. Kharkivi fatkeqësisht është në një zonë kufitare me Rusinë, aty ku edhe bombardimet janë të përditshme. Pra, në qoftë se në Kiev bie alarmi dhe në fakt janë zonat periferike ato që janë sulmuar më shumë, në Kharkiv nuk është çështje alarmi, bie realisht një shi me bomba. Ajo që ne kemi marrë përsipër si Këshill Bashkiak, tashmë kemi vendosur që do të rindërtojmë një shkollë. Është diçka që kthen një lloj mirënjohjeje. 5 mijë shqiptarë kanë jetuar në harmoni me atë komunitet dhe bëhet fjalë për familje të vjetra shqiptare që kanë ikur që nga koha e Skënderbeut,” u shpreh kreu i Bashkisë.
Ai deklaroi gjithashtu se në Tiranë do të mblidhet një forum arkitektësh dhe donatorësh për t’i ardhur në ndihmë Ukrainës gjatë procesit të rindërtimit./ata