Të mërkurën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pekin me homologun e tij indonezian Prabowo Subianto, që ndodhet në Kinë për të marrë pjesë në veprimtarinë përkujtimore me rastin e 80-vjetorit të fitores së Luftës së Rezistencës të Popullit Kinez kundër Agresionit Japonez dhe të Luftës Antifashiste Botërore.
Xi Jinping-u u shpreh se ardhja e presidentit Subianto në Kinë duke kapërcyer vështirësitë, për të marrë pjesë në veprimtarinë përkujtimore, tregon rëndësinë e marrëdhënieve Kinë-Indonezi dhe miqësinë e sinqertë të popullit indonezian ndaj popullit kinez. Kina e mbështet presidentin Subianto dhe Indonezinë të rivendosin sa më parë rendin dhe qëndrueshmërinë.
Kreu i shtetit i Kinës theksoi më tej që pala kineze dhe ajo indoneziane duhet të thellojnë bashkëpunimin e gjithanshëm strategjik dhe ndërthurjen e strategjive të zhvillimit, të forcojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, të nxitin ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”, të zgjerojnë hapjen ndaj njëra-tjetrës dhe bashkëpunimin në industrinë minerare, ekonominë digjitale, inteligjencën artificiale, bujqësi, peshkim etj. Kina dëshiron të ndajë përvojën e pakësimit të varfërisë me Indonezinë dhe të shtojë shkëmbimet njerëzore. Të dy vendet duhet ta kundërshtojmë hegjemoninë e ngacmimin dhe të mbrojnë paqen e qëndrueshmërinë rajonale, si edhe drejtësinë ndërkombëtare.
Prabowo Subianto e njohu presidentin Xi Jinping me situatën e brendshme në Indonezi dhe theksoi se gjendja po shkon drejt stabilizimit. Ai u shpreh se Indonezia dhe Kina janë vende miq të vërtetë dhe zhvillimi i marrëdhënieve me Kinën është përparësi e politikës së jashtme indoneziane. Indonezia e falënderon Kinën për ndihmën afatgjatë në zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe pret të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fushën e tregtisë, investimeve, financave, infrastrukturës etj./cgtn