U zhvillua sot (19.09) ceremonia e betimit të anëtarëve të rinj të Këshillit të Ministrave para Presidentit të Republikës. Pas leximit të Dekretit të Presidentit për emërimin e Këshillit të Ministrave, ministrat e rinj u betuan me dorën mbi Kushtetutë sipas formulës së betimit:
“Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”
Qeveria e re u dekretua me këtë përbërje:
Z. Edi Rama, Kryeministër; Kryeministri ushtron dhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual të inteligjencës artificiale Diella

Znj.Belinda Balluku Zv.kryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë
Znj. Albana Koçiu, Ministër i Brendshëm
Znj Elisa Spiropali, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Z. Petrit Malaj, Ministër i Financave
Z.Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
Z. Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
Znj. Mirela Kumbaro Furxhi, Ministër i Arsimit
Znj. Evis Sala, Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Znj, Delina Ibrahimaj, Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit
Z. Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
Z. Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
Z. Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Z. Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
Znj. Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociatore
Znj. Adea Pirdeni, Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
Z. Toni Gogu, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Kryeministri Rama zhvillon mbledhjen e parë të qeverisë së re

Pas betimit ne Presidence, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në ambientet e Kryeministrisë mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave me kabinetin e ri qeveritar.
Pas ceremonisë së betimit para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, Kryeministri Rama dhe 16 ministrat e kabinetit qeveritar iu drejtuan godinës së Kryeministrisë, duke ecur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Ashtu siç e parashikon edhe protokolli zyrtar, Kryeministri Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar realizuan fillimisht foton familjare në shkallët e Kryeministrisë dhe më pas iu drejtuan sallës së mbledhjeve të Këshillit të Ministrave.
/Argumentum.al