Ndërsa jemi në 100 ditët e para të luftës së Rusisë në Ukrainë, Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri Volodymyr Shkurov në një koment për Argumentum.al paralajmëron rrezikun me të cilin mund të përballet e gjithë bota, një krizë globale ushqimore, madje deri në zi buke.
“Rusia ka bllokuar portet detare të Ukrainës, ka minuar zona të detit dhe vazhdimisht po përpiqet të depërtojë në mbrojtjen e Odesës dhe qyteteve të tjera bregdetare në Detin e Zi. Ukraina ka humbur tashmë mundësinë për të eksportuar produkte bujqësore nga deti. Rreth 22 milionë tonë drithë janë ngecur në porte dhe nuk mund të arrijnë tek konsumatorët, veçanërisht në Afrikë dhe Azi”, thekson Ambasadori.
Ai ka një thirrje për Rusinë që të zhbllokojë menjëherë portet detare të Ukrainës, të ndalojë bombardimin e Odesës dhe qyteteve të tjera bregdetare, të tërheqë marinën e saj në një distancë që do ta bëjë të pamundur sulmin ndaj anijeve tregtare dhe të mos krijojë pengesa për lundrimin ndërkombëtar.
Gjithashtu Ambasadori Shkurov thekson se Ukraina mbetet e përkushtuar për të gjetur mënyra për të zhbllokuar rrugët në Detet e Zi dhe Azov për të parandaluar një krizë të zgjatur globale të ushqimit, por nga ana tjeteri ai u bën thirrje vendeve, siguria ushqimore e të cilave mund të vuajë më shumë nga agresioni rus kundër Ukrainës, të përdorin kontaktet e tyre me Moskën për ta detyruar atë të heqë bllokadën e porteve detare të Ukrainës dhe t’i japë fund luftës.
Koment i Ambasadorit Volodymyr Shkurov
Pas sulmit ndaj Ukrainës, Rusia ka bllokuar portet detare të Ukrainës. Ushtria ruse ka minuar zona të detit dhe vazhdimisht po përpiqet të depërtojë në mbrojtjen e Odesës dhe qyteteve të tjera bregdetare në Detin e Zi.
Si rezultat i bllokadës së Rusisë, Ukraina ka humbur tashmë mundësinë për të eksportuar produkte bujqësore nga deti. Rreth 22 milionë tonë drithë janë ngecur në porte dhe nuk mund të arrijnë tek konsumatorët, veçanërisht në Afrikë dhe Azi. Rrugët alternative tokësore nuk do ta zgjidhin plotësisht problemin, pasi ato kanë gjeresi të ulët. Për më tepër, Rusia po vjedh grurin ukrainas në territoret e pushtuara për t’ua shitur ilegalisht vendeve të treta.
Veprimet e Rusisë mund të çojnë në një krizë globale ushqimore dhe, në disa rajone, në një zi buke. Rusia duhet të zhbllokojë menjëherë portet detare të Ukrainës, të ndalojë bombardimin e Odesës dhe qyteteve të tjera bregdetare, të tërheqë marinën e saj në një distancë që do ta bëjë të pamundur sulmin ndaj anijeve tregtare dhe të mos krijojë pengesa për lundrimin ndërkombëtar.
Ukraina diskuton me partnerët mënyrat për të krijuar një mision ndërkombëtar nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, i cili do të marrë përsipër funksionimin e rrugëve detare për eksportin e mallrave bujqësore ukrainase. Ne mirëpresim gatishmërinë e një numri vendesh për t’iu bashkuar procesit të rivendosjes së sigurisë në Detin e Zi dhe Detin Azov.
Si hap i parë, Rusia duhet të tërheqë forcat e saj nga ujërat territoriale të Ukrainës dhe të ofrojë garanci sigurie kundër sulmeve ndaj porteve dhe autokolonave tregtare.
Ukraina mbetet e përkushtuar për të gjetur mënyra për të zhbllokuar rrugët në Detet e Zi dhe Azov për të parandaluar një krizë të zgjatur globale të ushqimit. Ne u bëjmë thirrje vendeve, siguria ushqimore e të cilave mund të vuajë më shumë nga agresioni rus kundër Ukrainës, të përdorin kontaktet e tyre me Moskën për ta detyruar atë të heqë bllokadën e porteve detare të Ukrainës dhe t’i japë fund luftës.
/Argumentum.al