200 vjet më parë lindi ideologu i Rilindjes Kombëtare, Pashko Vasa.
Me këtë rast Bashkia Shkodër, Biblioteka Publike e qytetit si dhe institucione të tjera kanë përgatitur aktivitete kushtuar poetit, publicistit e rilindasit Pashko Vasa.
Në mëngjes u kryen homazhe në Varrezat e Dëshmorëve dhe bustin e tij në Shkodër. Ndërkohë më vonë do të zhvillohet një Konferencë Shkencore për jetën dhe veprën e Pashko Vasës, në shtëpinë-muze Pashko Vasa.
Veprimtari i shquar i Rilindjes Kombëtare lindi në Shkodër, më 17 shtator 1825 dhe ndërroi jetë në Bejrut, më 29 qershor 1892.
Arsimin fillestar e mori në qytetin e lindjes, ndërsa më pas punoi si sekretar pranë konsullatës britanike në Shkodër. Në vitet 1878–1882, Pashko Vasa ishte një nga figurat kyçe të Komitetit të Stambollit, që punoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të “Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja shqip”. Ai shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; “Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe” (“L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise”, Konstandinopojë 1878, “Gramatika shqipe për t’u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi” (“Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître”, Londër 1887).
Pashko Vasa ka një rol të veçantë në historinë e letërsisë shqiptare. Ai është autor i vjershës së njohur “Moj Shqypni, e mjera Shqypni” (1880). Pashko Vasa vdiq në Liban, më 29 qershor 1892. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1978-n dhe prehen në Shkodër./ATSH