Nga Marjana DODA
“Ata që nuk mund ta kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë.”.
Kjo thënie përsonifikon më së miri faktin se historia nuk është thjesht një rrëfim i së kaluarës, por një mësuese e çmuar për të tashmen dhe të ardhmen.
Më 9 maj 1945, pas gjashtë vitesh lufte brutale dhe mbi 60 milionë jetë të humbura në mbarë botën, Evropa u zgjua në heshtje. Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar. Në atë ditë të rrallë të qetësisë, mbi rrënoja e plagë të panumërta, lindte një shpresë e re, dhe një premtim unanim: “Kurrë më!”
Sot bota është përballë një tjetër lufte botërore, ndonëse e fragmentuar. Nga Europa në Azi e Lindjen e Mesme po zhvillohen luftëra të mirëfillta ushtarake. Së fundmi kemi përplasjen e dy fqinjëve shekullorë, Pakistan–Indi, përshkallëzimi i së cilës mund të sjellë pasoja jo vetëm në rajon, por edhe në botë.
80-vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore shënohet në këtë vit jubilar në një kontekst global gjithnjë e më të tensionuar. Institucionet ndërkombëtare, të cilat dikur ishin themeluar për të parandaluar një tjetër katastrofë botërore, sot po ballafaqohen me sfida të reja. Lufta në Ukrainë ka thelluar ndarjen midis Perëndimit dhe Rusisë, duke minuar besimin në strukturat që dikur u krijuan për të ruajtur paqen globale. Gjithashtu, në Lindjen e Mesme, konflikti i përgjakshëm në Gaza dhe tensionet në rajon po krijojnë një spirale dhune që përfshin aktorë rajonalë dhe globalë
Ndërsa përplasja aktuale mes Pakistanit dhe Indisë, dy vende që zotërojnë armë bërthamore dhe që kanë një histori konfliktuale mbi rajonin e Kashmirit, përfaqëson një nga rreziqet më serioze për paqen botërore.
Në këtë kontekst, përvjetori i 80-të i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nuk është thjesht një datë për t’u përkujtuar, por një mësim i madh për të gjithë botën. Një kujtesë që paqja nuk është e garantuar dhe se tensionet, padrejtësitë e konfliktet ende sot janë të pranishme, edhe pse jo gjithmonë me të njëjtin intensitet apo formë si në të kaluarën.
Sot, në një kohë kur nacionalizmi po rritet, kur tensionet gjeopolitike kërcënojnë stabilitetin global dhe kur historia rrezikon të përdoret si armë propagandistike, është më e rëndësishme se kurrë të ruajmë integritetin historik. Ndaj na duhet të rikujtojmë atë që ndodhi, por për të ndërtuar një të ardhme më të sigurtë.
Për këtë arsye, është e rëndësishme të theksojmë disa momente kyçe të interpretimit të historisë brenda një konteksti më të gjerë global, historik dhe njerëzor.
Në këndvështrimin historik, 80-vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore është një moment thelbësor. Është një mundësi për të reflektuar mbi shkallën e paimagjinueshme të vuajtjeve dhe sakrificave që riformuan shekullin e 20-të, ku dhjetëra miliona jetë njerëzore humbën dhe pasojat e luftës ende formojnë sot politikën, kufijtë dhe aleancat globale.
Nga një këndvështrim global, ky përvjetor është më i ndërlikuar se ata të mëparshmit. Vendet perëndimore po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të përkujtuar fitoren e përbashkët kundër Gjermanisë naziste, ndërkohë që duhet të ruajnë qëndrimin e tyre kritik ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Kjo krijon një dilemë të vështirë: si mund të nderohen sakrificat e ushtarëve sovjetikë të Luftës së Dytë Botërore, pa u interpretuar si mbështetje për politikat e sotme të qeverisë ruse?
Ndërsa nga këndvështrimi njerëzor, ky është ndoshta përvjetori i fundit ku do të ketë ende veteranë dhe të mbijetuar të gjallë që mund të ndajnë historitë e tyre në veten e parë.
Megjithate përkujtimi i Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në prag të 80-vjetorit, nuk ka të bëjë vetëm me nderimin e ushtarëve dhe civilëve që vuajtën apo sakrifikuan, por edhe me detyrimin për të ruajtur dhe përcjellë mësimet që kjo luftë e tmerrshme na ka lënë. Me kalimin e kohës bëhet gjithnjë e më urgjente rëndësia e kujtesës kolektive dhe trashëgimisë historike, për të mos harruar dhe për të parandaluar që e njëjta histori të përsëritet.
Në këtë kuadër, kujtesa shndërrohet në një mjet të fuqishëm kundër përpjekjeve për të ndryshuar ose manipuluar historinë, një veprim që është vënë në jetë në disa raste duke rrezikuar stabilitetin dhe harmoninë ndërkombëtare. Prandaj, është thelbësore të ruajmë një kujtesë të ndërtuar mbi fakte të vërteta historike, dhe të mos lejohet që pasojat e luftës të fshihen ose të deformohen.
Për më tepër, përvjetori i 80-të i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore na ofron një mundësi për të reflektuar mbi institucionet ndërkombëtare që janë krijuar për të parandaluar një tjetër katastrofë globale.
Në këtë reflektim, nuk mund të anashkalojmë faktin se shumë nga mekanizmat ndërkombëtarë që lindën pas Luftës së Dytë Botërore, si Kombet e Bashkuara, Traktatet për të Drejtat e Njeriut, Gjykatat Ndërkombëtare dhe institucionet e bashkëpunimit si Bashkimi Evropian, u konceptuan për të parandaluar përsëritjen e një tragjedie të përmasave globale. Ato lindën, si një përpjekje
për t’i dhënë rendit botëror një bazë të re, të ndërtuar mbi ligjin, dialogun dhe bashkëpunimin. Megjithatë, me kalimin e viteve, në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar dhe të fragmentuar, efektiviteti i këtyre mekanizmave është vënë në pikëpyetje. Raste si paraliza e Këshillit të Sigurimit përballë agresioneve të hapura, paaftësia për të ndaluar mizoritë në Gaza apo për të ndërmjetësuar paqe në Ukrainë, tregojnë se pa një reformim të thellë dhe pa një angazhim të ri politik për multilateralizëm, këto institucione rrezikojnë të bëhen thjesht simbole formale të një epoke që po mbyllet.
Aktualisht, po përballemi me trashëgiminë e sferave të ndara të ndikimit dhe vazhdimin e një balancimi të vazhdueshëm midis NATO-s dhe Rusisë, si dhe me pasojat e rendit ndërkombëtar të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Ky rend ka sjellë konfrontime të reja dhe tensione që janë drejtpërdrejt të lidhura me historinë e Luftës së Ftohtë dhe ndryshimin e kufijve dhe strukturave të pushtetit. Lufta nuk ndryshoi vetëm hartën gjeografike, por gjithashtu ripërcaktoi raportet e pushtetit dhe ndikimin që shtetet mund të kishin mbi njëra-tjetrën. Edhe pse ideologjitë totalitare dhe fashiste që sollën kaosin u mundën, ato ende kanë ndikim dhe jehonë në politikën globale të sotme, duke ushqyer debatet dhe konflikte që pasqyrojnë pasojat afatgjata të Luftës së Dytë Botërore.
Andaj, historia nuk shërben vetëm si një regjistër i asaj që ka ndodhur, por si një udhërrëfyes për atë që duhet të shmangim. Shekulli i 20-të, me shkatërrimin e shkaktuar nga dy Luftërat Botërore, i dha njerëzimit disa prej mësimeve më të vështira dhe më të dhimbshme, për rreziqet e agresionit të pakontrolluar, dështimin e diplomacisë dhe pasojat shkatërrimtare të ekstremizmit ideologjik.
Në dritën e zhvillimeve të sotme me nacionalizmin në rritje dhe tensionet e përshkallëzuara në skenën gjeopolitike bëhet gjithnjë e më e qartë se mësimet e Luftës së Dytë Botërore mbeten thelbësore. Paqja e brishtë që pasoi atë luftë nuk ishte vetëm rezultat i një fitoreje ushtarake, por fryt i diplomacisë së kujdesshme, pajtimit midis kombeve dhe ndërtimit të strukturave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, të cilat synonin të parandalonin një tjetër katastrofë globale.
Por kjo do të duhej të kishte ndodhur që në fillim përpara se bota ta paguante kaq shtrenjtë çmimin e mosmarrëveshjeve të saj
Mizoritë e Holokaustit, pushtimi i vendeve të tëra dhe bombardimi i civilëve janë dëshmi të qarta të kostos së tmerrshme njerëzore që vjen nga dështimi për të ndalur agresionin në fazat e tij të hershme. Pas Luftës së Dytë Botërore, bota ndërtoi një arkitekturë të tërë ligjesh ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe marrëveshje për parandalimin e krimeve të luftës. Megjithatë, rreziku i rrëshqitjes drejt sjelljeve të rrezikshme dhe të pakontrolluara mbetet gjithmonë i pranishëm. Kujtesa historike dhe përpjekjet për të ruajtur mësimet e saj janë më të rëndësishme se kurrë. Brezi ynë ka përgjegjësinë të mos e lejojë të kaluarën të zhduket në harresë, përndryshe, mund të na duhet të paguajmë një çmim edhe më të shtrenjtë për dështimin tonë në parandalimin e të njëjtave gabime.
Prandaj, për mua, ky përkujtim është mbi të gjitha një akt ndërgjegjësimi. Nuk ka të bëjë vetëm me pasojat e asaj lufte, por me njohjen e shkaqeve që çuan në luftë në radhë të parë. Është e nevojshme të kuptojmë se si dështimi për të adresuar shenjat e hershme të agresionit krijoi një efekt domino që shpërtheu në një konflikt shkatërrues. Mbi të gjitha, duhet të pranojmë se ka paralele moderne në politikën globale, të cilat kërkojnë vigjilencë dhe angazhim për të shmangur përsëritjen e këtyre gabimeve.
Një çështje kryesore është se rendi global që u shfaq pas Luftës së Dytë Botërore, ai i ndërtuar rreth institucioneve si OKB-ja, marrëveshjeve ndërkombëtare të tregtisë dhe idesë së zgjidhjeve diplomatike, ndihet më i brishtë se kurrë. Bashkëpunimi dhe institucionet e krijuara pas Luftës së Dytë Botërore kishin për qëllim të parandalonin vetë konfliktet që shohim të rishfaqen sot. Por tani, të njëjtat institucione shpesh shihen me skepticizëm dhe efektiviteti i tyre vihet në pikëpyetje.
Bota duket se po lëviz drejt një “rendi” të ri, por nuk është e qartë nëse kjo botë e re është ajo që i jep përparësi paqes dhe bashkëpunimit, apo nëse është ajo që është më e fokusuar në forcimin e pushtetit përmes forcës ushtarake, dominimit ekonomik ose epërsisë ideologjike.
Kjo ndjenjë e fragmentimit është shqetësuese. Në vend që të ndërtohet mbi mësimet nga e kaluara, duket sikur bota është e ndarë në mënyrë të rrezikshme, me liderët që ndonjëherë përdorin historinë në mënyrë selektive për të justifikuar veprimet e tyre aktuale, në vend që ta lexojnë historinë ashtu siç është
Por pyetja është, çfarë mund të bëhet? Është e qartë se ne kemi nevojë për një udhëheqje të fortë që nuk mendon vetëm për vendin e tyre ose pushtetin e tyre, por për komunitetin global në tërësi.
Ne kemi nevojë për liderë që shohin përtej kufijve kombëtarë, që krijojnë dialog dhe jo ndarje, dhe që kuptojnë se paqja dhe bashkëpunimi janë rruga e vetme e qëndrueshme përpara. Për këtë, hapi i parë është shkatërrimi i mureve mes nesh.
Është e dhimbshme të shohësh se si ndarjet mes nesh janë thelluar, veçanërisht që pas fundit të Luftës së Ftohtë. Edhe pse muret fizike ranë, muret mendore mbeten të forta dhe, në disa raste, janë bërë më të larta. Dallimet që u krijuan gjatë Luftës së Ftohtë duket se janë thelluar më shumë në këto tre dekada të fundit. Por duhet ta kuptojmë se këto mure nuk janë të përjetshme. Ndërsa liderët botërorë mund të hezitojnë, është detyra e secilit prej nesh që të bëjmë ndryshimin dhe të ndërtojmë ura mes njerëzve.
Sot, 80 vjet më vonë…
Tashmë kanë kaluar tetë dekada nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, por koha që pasoi nuk solli paqen e shumëpritur.
Globalizimi, i cili u promovua si ura që do të bashkonte njerëzimin përmes shkëmbimit ekonomik, teknologjik dhe kulturor, shpeshherë përfundoi duke thelluar pabarazitë dhe duke krijuar një iluzion të unitetit. Në vend të solidaritetit ndërkombëtar, kemi parë rritje të nacionalizmit, proteksionizmit dhe polarizimit shoqëror. Në vend të dialogut, po mbizotëron retorika e frikës dhe e përjashtimit.
Sot, jemi përballë kërcënimit real të një tjetër lufte. Një lufte që nuk ka domosdoshmërisht një front ushtarak klasik, por që shfaqet në shumë forma: luftë tregtare midis fuqive ekonomike, luftë teknologjike për dominim mbi të dhënat, inteligjencën artificiale dhe zinxhirët e furnizimit, si dhe, më shqetësuese, rreziku gjithnjë i pranishëm i një lufte bërthamore.
Në këtë epokë ku teknologjia zhvillohet më shpejt se etika dhe ku informacioni shpesh është më armë sesa mjet bashkëpunimi, njerëzimi ndodhet në një udhëkryq. Ne mund të vazhdojmë në rrugën e përçarjes dhe konfrontimit, ose mund të ndalemi për të ndërtuar një rend të ri botëror më të drejtë, më të barabartë dhe më të qëndrueshëm.
Ndaj, në këtë 80-vjetor të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe në prag të një rendi të ri botëror që duket se po formësohet mes pasigurive dhe sfidave, është koha të ndalemi dhe të hedhim një vështrim pas në arkivat e historisë. Le të lexojmë me kujdes mësimet që ajo na ka dhënë. Bota sot ka nevojë më shumë se kurrë për paqe, zhvillim dhe harmoni. Le të mësojmë nga e kaluara, për të ndërtuar një të tashme më të sigurtë dhe një të ardhme më të mirë për ne dhe për brezat që do të vijnë pas.
Sepse e ardhmja nuk është thjesht një projekt politik apo ekonomik, ajo është një trashëgimi e përbashkët e njerëzimit, një mundësi që na përket të gjithëve. Sot më shumë se kurrë, kemi nevojë të zgjedhim jetën mbi konfliktin, krijimin mbi shkatërrimin dhe shpresën mbi frikën.
Ky përvjetor nuk është vetëm për të kujtuar të kaluarën, por një mundësi për të ndërgjegjësuar të tashmen: Është koha për Paqe!
© 2025 Argumentum