Mario Stefanov – [i]
Shfaqet si neutral, mik i Perëndimit, ndërsa nga ana tjetër është i afërt me Iranin, mik i palestinezëve dhe i tërë botës arabe. Krahas kësaj, Katarit i mvishet edhe aftësia e mbajtjes së lidhjeve me mjedise të ekstremizmit islamik dhe mundësisë të ndërmjetësimit mes tyre dhe Perëndimit.
Katari, shtet në territorin e të cilit ndodhet selia e Hamasit paletinez, një prej filialeve të korporatës globale të terrorit islamik, është i suksesshëm në ndërmjetësimin për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve mes Hamasit dhe Izraelit po krijon figurën mediatike të Zvicrës së Lindjes së Mesme. Shfaqet si neutral, mik i Perëndimit, ndërsa nga ana tjetër është i afërt me Iranin, mik i palestinezëve dhe i tërë botës arabe. Krahas kësaj, Katarit i mvishet aftësia e mbajtjes së lidhjeve me mjedise të ekstremizmit islamik dhe mundësisë të ndërmjetësimit mes tyre dhe Perëndimit. Të gjithë këto, sipas raporteve mediatike, Katari i bën njëkohësisht. Ai është njëkohësisht edhe vendi mikpritës i sistemeve luftarake kyçe amerikane në Gjirin Persik, në bazën Al-Udeid, ku ndodhet selia komanduese qendrore amerikane (U. S. Central Command – CENTCOM). Njëkohësisht në kryeqytetin e tij në Doha i jep mikpritje udhëheqjes së Hamasit, e cila, me që ra fjala, e paraqet veten si njëfarë “krahu politik” i kësaj organizate e cila, për hir të së vërtetës shprehet se nuk është e lidhur direkt me atë që bëri “krahu ushtarak” të Hamasit nga Gaza me 7 tetor 2023. Megjithatë kjo nuk funksionin kështu në realitet. Fjala është për një truk me ndihmën e të cilit të mund bisedohet me Hamasin, por për një udhëheqje unike të vendosur në Doha e cila, me ndihmën e Iranit, ka planifikuar dhe ka dhënë dritën jeshile për sulmin në vendbanimet izraelite dhe marrjen e pengjeve. Mundet, duke patur parasysh se udhëheqja efektive e Hamasit është vendosur në Doha, e mbështetur financiarisht, politikisht dhe ushtarakisht nga Katari, edhe të diskutohet për tezën se sulmi mbi vendbanimet izraelite i 7 tetorit të jetë inicuar nga Katari, e për pasojë vështirë se mund të flitet për ndonjëfarë neutraliteti kataras. Por përkundër këtyre fakteve, Katari paraqitet si vend i çudirave, si njëfarë llambe magjike e Aladinit me ndihmën e të cilit zgjidhet gjithçka. Madje edhe shefi i Mosadit izraelit, me zyrtarët e agjensive amerikane të informimit, në fundin e nëntorit, sikurse informojnë mediat, nenvizojnë gjoja rolin e Dohës në misionin e tërheqjes së pengjeve nga duart e Hamasit.
Vartësia e Perëndimit
Dhe kjo nuk është e gjitha. Kjo llambë katarase e Aladinit në dy dhjetëvjeçarët e fundit kërceu dy herë në ndihmë të ekonomisë së kalbur të Bashkimit Europian me hedhje të mëdha të fondeve të tij dhe furnizim me gaz të partnerëve europianë, të cilët nga ana tjetër, për shuma përrallore i shesin prodhime të sofistikuara të industrisë së tyre ushtarake. Por Katari në realitet nuk është kurrfarë llambe e Aladinit e cila plotëson dëshirat, por shtet i cili pasurinë e tij energjetike në mënyra të menduara mirë, inovative dhe jorrallë të mjegullta, e shfrytëzon për sendërtimin e qëllimeve të tij.
Do të vijë një moment kur Europa dhe Perëndimi do ta kuptojnë se Katari nuk është mirëbërësi i tyre, por një shtet i fuqishëm dhe i pasur me doktrinën e tij gjeostrategjike. Katari duket si një kazan në të cilin vlojnë të gjithë përbërësit e politikës së Lindjes së Mesme, por gjella që në fund do të gatuhet nuk ka për të qënë ajo që ka dashur Perëndimi, por ajo që është planifikuar kaherë në Doha.
Katari, në pamje të parë vetëm për shkak të rrethanave si një shtet i vogël me 1,5 milionë banorë, gradualisht po krijon vartësinë e Perëndimit prej tij, para të gjithëve të Europës, nëpërmjet eksportit të gazit të lëngshëm, investimeve dhe marrëveshjeve të mëdha ushtarake. Por në prapaskenë mund të merret vesh se nuk është fjala për rastësi dhe për një moment të vetëm të rastit të Katarit, por për një strategji të menduar mirë.
Katari është financieri kryesor i lëvizjes globale të ekstremizmit islamik qëllimi i të cilit është përhapja në Europë. Pyetjeve mbi veprimtarinë e Katarit të shtruara me këmbëngulje nga deputetë të Parlamentit europian kurrë nuk u është dhënë përgjigje, si as edhe për statusin e bashkëpunimit të Bashkimit Europian me shtetin i cili pothuajse haptazi merret me mbështetjen që u jep organizatave të ekstremizmit islamik. Po ashtu edhe kongresmenët amerikanë të cilat kanë kërkuar rishqyrtimin e raporteve të administratës amerikane me Dohan nuk kanë arritur asgjë.
Mbetet vetëm deklarata e kahershme e presidentit amerikan Bajden i cili atëbotë e pati shënjestruar Katarin si mbështetës të ISIL-it.
Zgjerim i planifikuar
Xho Bajdeni, si zëvendëspresident i atëhershëm i ShBA-ve në mandatin e Barak Obamës, që në vitin 2014 për lindjen e ISIL-it ka akuzuar direkt aleatët rajonalë amerikanë duke thënë: “Turqia, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kishin kaq shumë dëshirë ta rrëzonin Asadin saqë krijuan luftën sunito-shiite nëpërmjet ndërmjetësve duke u dhënë qindra milionë dollarë dhe me dhjetra tonë armatime të gjithë atyre që ishin të gatshëm të luftonin kundër Asadit. Ne nuk arritëm ti bindnim se duhet ta ndërpresin ndihmën që i japin këtij grupimi. Ecuria e një politike të tillë është sot e dukshme sepse na del se ata kanë armatosur Frontin Al-Nusra dhe Al-Qaedën dhe kjo shpuri në formimin e ISIL-it”
Sot administrata e tij hesht për këtë. Petrodollarët dhe interesat gjeopolitike në këtë rast janë më të rëndësishëm sesa përrallat për demokraci dhe luftë kundër terrorit islamik.
Megjithëse shumë analistë paralajmërojnë se nuk mund të ecet më kështu, sidomos pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023 dhe se, mes tjerash, Hamasi nuk duhet më të ketë vatrën e tij në Doha, raportet e Perëndimit me Dohën vazhdojnë mbi bazën e interesave të fitimeve të majme nëpërmjet partneritetit, ndërsa Katari bisedimet e suksesshme mbi pengjet i shtyn nën qilim dhe nënvizon rolin e tij si partner i paevitueshëm i Perëndimit në Lidnjen e Mesme.
Njëkohësisht ndërsa fiton pikë politike në të gjitha anët, vazhdon me agjendën e tij të depërtimit financiar dhe gjithnjë e më të fuqishëm të atij politik në integrimet perëndimore e ato po bëhen gjithnjë e më shumë të varura nga ai. Në prapaskenë nuk është vetëm përfitimi i pastër por edhe, sikurse do të shihet me kalimin e kohës, sëbashku me të edhe zgjerimi i ndikimit të ekstremizmit islamik.
Është naivitet të besosh se dikush mund të investojë miliarda në ekonominë europiane dhe të blejë aksione në korporatat europiane të mos ia japë vetes të drejtën edhe për paraqitjen e kërkesave politike ndaj partnerëve. Kapitali kataras dhe ai arab nga petromonarkitë e Gjirit ka qënë pararendësi i vërshimeve emigratore drejt Europës. Ai, krahas interesit të fuqive udhëheqëse europiane dhe bashkësivetë tyre të biznesit, ka qënë dhe ka mbetur në prapavijën e emigracioneve nga Lindja e Afërt drejt Europës.
Rregullat e lojës
Të dhënat për kapitalin kataras dhe arab që ka përmbytur Eyropën lënë pak vend për dyshime për atë nëse pas kësaj është strategjia e zgjerimit të ndikimit të petromonarkive të fuqishme të Gjirit të cilat sjellin pas vetes ngarkesën e mbështetjes së hapur ose të fshehtë të ekstremizmit islamik dhe zgjerimit të tij strategjik drejt Europës.
Kapitali arab dhe ai kataras si dhe ndikimi i tij gjeopolitik që mbart pas vetes, ndjek krizat europiane dhe investon në lojë kur i ofrohet shansi. Në dy valë të mëdha gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit ai ka depërtuar në Europë. Për herë të parë gjatë krizës ekonomike në fundin e dekadës së parë të shekullit 21 dhe atë të krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, dhe pastaj në valën e dytë të madhe të lindur pas agresionit rus me përmasa të plota në Ukrainë në muajin shkurt 2022, në situatën e shpenzimeve të mëdha të BE-së për financimin e mbrojtjes së Ukrainës dhe nevojës urgjente për zëvendësimin e energjentëve rusë me burime të tjera.
Katari mundi të ofronte si njërin ashtu edhe tjetrin – edhe energjentët edhe paratë e freskëta. Paratë rregullojnë rregullat e lojës dhe vendimet politike, ndërsa vendimet për t’ia hapur dyert europiane emigrimit nga vendet arabe, është shumë domethënëse kjo, janë marrë pasiqë investimet e stërmëdha të monarkive të pasura arabe, sponsorë dhe mbrojtëse të ekstremizmit sunit, Arabisë Saudite, Kuvajtit dhe në mënyrë të veçantë të Katarit, i kanë forcuar pozitat në Europë në të cilën hynë në mënyrë masive në fillim të krizës ekonomike me mision i pompimit direkt dhe shpëtimit të bankave dhe korporatave europiane.
Bëhet fjalë për investime të cilët në Europë rrjedhin pothuajse ekskluzivisht nga petromonarkitë arabe të Gjirit të grumbulluara rreth Arabisë Saudite në Këshillin për bashkëpunimin e Gjirit (Gulf Cooperation Council – GCC), në përbërje të të cilit, nën rolin drejtues të Arabisë Saudite, janë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, Bahreini dhe Omani.
Kriza e re ekonomike dhe energjetike në të cilën Europa dhe Bashkimi Europian drejt së cilës po rrëshqasin dalngadalë, si në rastin e krizës financiare të viteve 2007-2008, rrjedhimisht tërheq pas vetes investime të reja masive të kapitalit arab dhe me këtë edhe të ndikimit politik.
Fondet Saudite
Biznesi në Europë i fondeve më të mëdha arabe nga Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhje Kuvajti rritet pothuajse në mënyrë proporcionale me rritjen e krizës financiare në Europë. Më të shkathtit janë njëkohësisht edhe fondet shtetërore arabe, para të gjithëve Fondi i investimit i Katarit (Qatar Investment Authority), pastaj fondet na Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Emirati i Kuvajtit – Abu Dhabi Investment Authority – ADIA dhe Kuwait Investment Authority, si dhe fondi suadit The Public Investment Fund (PIF). Vlerësohet se secili prej fondeve të lartpërmendura nga Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një kapital më të madh se një bilionë dollarë, gjë që i ka bërë ata të rreshtohen ndër pesë fondet më të mëdha në botë për investimet.
Sipas të dhënave që ka sjellë Die Zeit, në muajin korrik të vitit 2017, Katari dispononte 17 përqind të akësioneve të Volkswagenit, 3 përqind të aksioneve të Siemensit, 14 pëqrind të aksioneve të Hapag-Looyd, i cili është për nga madhësia dhe kapaciteti transportuesi i pestë më ië madh i kontejnerëve, dhe me këtë edhe 8 përqind të aksioneve të Deutche Bankës.Në muajin mars të vitit 2017, Rojtersi informoi për interesimin e Fondit saudit shtetëror të investimeve fonda (Public Investement Fund – PIF) për investime në kompanitë financiare dhe teknologjike gjermane. Investimet intensive të kapitalit arab në kompanitë europiane, në mënyrë të veçantë atyre gjermane, kanë vazhduar edhe në vitet në vazhdim. Se sa e ashpër është lufta mes vetë investitorëve arabë për pushtimin e tregut europian tregon edhe fakti se fondet saudite për shkak të vazhdimit të bashkëpunimit të gjermanëve me Katarin dhe aleatët e tij kërcënuan me ndërprerje të bashkëpunimit. Por qarqet gjermane të biznesit dhe ato bankare nuk kanë zgjidhje tjetër, veçse, me çmimin e humbjes së bizneseve me sauditët, të vazhdojnë bashkëpunimin me Katarin i cili ka depërtuar thellë në kompleksin ekonomiko-financiar gjerman.
Ndërprerja e bashkëpunimit me Dohan dhe kapitalin kataras është bërë sot praktikisht i pamundur për ekonominë gjermane dhe atë europiane, jo vetëm për shkak të humbjeve tejet të mëdha dhe dëmit të stërmadh financiar por edhe sepse Katari është i involvuar thellë në ekonominë europiane dhe financiare nëpërmjet aksioneve të tij në bankat dhe korporatat e mëdha të saj dhe çdo lëkundje mund ta destabilizojë seriozisht bursën europiane. Krahas kësaj, Katari është edhe furnizues me rëndësi i Bashkimit Europain me gaz të lëngshëm.
Shoping në Angli
Pas agresionit rus në Ukrainë erdhi vala e re e investimeve arabe dhe katarase në kompanitë europiane. U shfrytëzua shansi i ri për hedhjen në treg të sasive të reja të karburantëve fosilë mbi të gjitha ato të gazit të lëngshëm natyror për BE-në, pas mbylljes graduale të flukseve të gazit nga Rusia. Ndërsa Europa lufton me recesionin kërcënues pas pandemisë së covidit-19 dhe gjatë luftës së madhe në truallin europian, Katari pasurohet akoma më shumë. Fondi monetar ndërkombëtar pret që suficiti i buxhetit të Katarit nga 57,6%, me 12,2 miliardë dollarë në vitin 2022, të shkojë në 19,3 miliardë dollarë në vitin 2023.
Pothuajse i panjohur para 20 vjetësh, Katari nuk dëshiron më të jetë vetëm një vend i pasur: dëshiron të jetë edhe i fuqishëm. Që nga fillimet e viteve 2000, ky shtet i Gjirit Persik përdor pasurinë e tij të stërmadhe për fitimin e ndikimit ndërkombëtar. Shumica e investimeve kanalizohet nëpërmjet Qatar Investment Authority (QIA), fond shtetëror ky që arrin shifrën 450 miliardë dollarë, i themeluar në vitin 2005. Ky Fond ka disa filiale, përfshirë edhe Qatar Holding, Qatar Sports Investment, Katar Hoteleri, Kasada Capital dhe Qatari Diar. Filiale të tjera investimi përfshijën edhe Qatar Foundation, Mayhoola Invest. Të gjithë këto organizata janë të lidhura ngushtë me familjen sunduese Al-Thani, shkruan Chloe Doamar në artikullin me titull “Qatar: Spending Cash Abroad” za Global Finance njujorkeze në muajin dhjetor të vitit të kaluar
Sipas analizës së Global Finance, Mbretëria e Bashkuar ka qënë destinacioni i parë për investimet direkte katarase me një shumë më të madhe se 40 miliardë dollarë. Emitari i Katarit ka blerë pronat më të vlerësuara të patundshme, përfishirë Hotel Ritz, Supërmarketin Harrod’s, qendrën financiare Canary Warf, një numur shumë të madh shtëpish private në lagjet më elitë të Londrës dhe ndërtesën më të lartë në vend, Shard. Numuri i shtëpive dhe i pronave në pronësi të individëve kataras në Mbretërinë e Bashkuar është dyfishuar në vitet 2018-2021, tregon studimi i para pak kohëve i kompanisë Alford Hughes me seli në Doha. Katari ka blerë kaq shumë prona saqë deri tani ai renditet pronari i dhjetë i tokës në Britaninë e Madhe, raporton MSCI Real Assets.
Industritë kyçe
Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, QIA ka blerë aksione në disa nga kompanitë më të mëdha britanike, siç janë Barclays Bank, supermarketet Sainsbury’s, Royal Dutch Shell, aeroportin e londrës Heathroy, British Airways, madje edhe në bursën londineze. Sipas të dhënave që ka mbledhur gazeta Guardian, Katari vetëm në dhjetë muajt e parë të vitit 2022 ka realizuar fitim prej 545 miljonë dollarësh dividendë nga kompanitë që kuotohen në Bursën e Londrës.
Në muajin dhjetor të vitit 2021, QIA njoftoi për një marrëveshje me vlerë 110 milionë dollarë me Rolls Roycin për zhvillimin e mjediseve teknologjike të specializuara për novacione në inxhinjerinë e gjelbër. Projekti mund të krijojë deri në 10.000 vende pune në rajonin mes Anglisë Veriore dhe Dohas. Në muajin maj të vitit 2022, kryeministri i Katarit sheiku Tameem al-Thani, vizitoi Londrën, ku premtoi se do të investohen akoma edhe 12,4 miliardë dollarë në partneritetin strategjik në mbështetje të industrive bazë siç janë sektori financiar, shkencat dhe teknologjitë e reja.
Franca dhe Anglia renditen në vendin e dytë dhe të tretë si marrës të investimeve katarase, nga 27 vende të botës ku ka investime katarase, ose më mirë të themi 24 miliardë dollarë.
Po ashtu siç ka ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar, Katari ka blerë prona të patundshme luksoze edhe në Paris dhe aksione në një sërë kompanish udhëheqëse franceze: grupin mediatik Lagardere, kompaninë e naftës TotalEnergies, divin e ndërtimit të avionëve EADS, kompaninë komunale Veolia, prodhuesin e energjisë bërthamore Areva, brendin e modës Balmain, supermarketin Printemps, Klubin e futbollit Paris Saint Germain dhe grupin francez të hotelerisë Accor.
Nga viti 2008, Franca i nxit këto investime nëpërmjet çlirimit nga taksat. Analistët pohojnë se kje heqje taksash shkakton një humbje vjetore për shtetin francez që shkon nga 150 deri në 200 milionë dollarë.
Në Gjermani, Katari është aksioner udhëheqës i Grupit Volkswagen dhe ka aksione edhe në kompaninë teknologjike Siemens, Deutch Bank, kompaninë e anijeve (tankerëve) Hapag-Lloyd dhe divin e ndërtimeve Hochtief.
Shuma të mëdha
Katari gjithashtu hedh para edhe në ShBA. Marrëveshja më e njohur Golden Pass, prej 10 miliardë dollarësh, është sipërmarrje e përbashkët mes Qatar Energyja dhe Exxon Mobilit për ndërtimin e eksportuesit më të madh amerikanoverior të gazit Natyror të Lëngshëm (GNL) në Teksas. Katari, si eksportuesi më i madh GNL-së në botë, tani posedon 70 % të aksioneve në makineritë e Golden Pass-it, të cilat do të jenë operative në vitin 2024.
Krahas pronave të patundshme elitë në Nju Jork dhe Uashington, Katari e zgjeron akoma më tej rrjetin e tij të investimeve.
Investime në rripin e Diellit në ShBA
“Investimet tona janë kryesisht të zhvilluara në rripin e Diellit në ShBA dhe në qytetet me rritje pozitive demografike”- thotë Alexandre Bernassau, udhëheqës për investimet në Lesha bank LLC, e njohur më parë si Qatar First Bank (QFB) e cila është tani banka e parë e pavarur që i ka harmonizuar kushtet e saj të biznesit me Sheriatin. “ShBA-të janë treg efektiv dhe likuid, me protokolle shumë mirë të definuara të blerjes dhe shitjes dhe me shumë blerës dhe shitës. Gjithashtu mendojmë se rreziqet valutore janë të ulëta sepse rijali i Katarit është i lidhur me dollarin amerikan”- thekson Bernassau.
Ndërsa Katari dhe petromonarkitë e tjera anëtare të Këshillit të Gjirit për Bashkëpunim (Cooperation Council for the Arab States of the Gulf, i njohur si Gulf Cooperation Council ose shkurt GCC) nëpërmjet financimeve të tyre direkte dhe blerjen e aksioneve shpëtuan bankat dhe kompanitë europiane, krahasimisht për interesat e tyre manipuluan me ekstremizmin islamik, financuan dhe në mënyrë operative me armë dhe instruktorë duke ndihmuar grupimet ekstremiste përfshirë edhe ISIL-in, Hamasin, Al Qaedën dhe filialet e holldingut të terrorit islamik. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me kalimin e kohës tërhoqën frenat e dorës në këtë punë sepse ekstremistët kërcënuan edhe dorën që i ushqente, ndërsa Katari përkundrazi, i dha gaz akoma më shumë kësaj pune me organizatat islamike, madje njëfarë kohe ishte edhe nën bllokadë dhe sanksione nga ana e shteteve të tjera të GCC-së.
Kësisoj, Katari edhe pse një shtet i vockël, me paratë e tij po hap të gjitha dyert e botës duke u bërë njëkohësisht edhe financier i Europës me aksione të mëdha edhe në ShBA, nga ana tjetër është donator dhe mbrojtës i organizatave të ekstremizmit islamik, ose më mirë të themi fuqitë europiane dhe ShBA-të ia kanë pranuar këtë rol. Sot zyrtarët kataras, kritikave për shkak të mikpritjes që i japin Hamas-it, në mënyrë jozyrtare e drejtojnë gishtin për nga ShBA-të, që e kanë lejuar këtë në mënyrë që udhëheqja e Hamasit të largohej nga Damasku armiqësor, ku ka patur më parë selinë para se të vinte në Katar. Kjo është bërë në mënyrë që kjo organizatë të vëzhgohej më me lehtësi dhe, sipas nevojavee dhe të negociohej me të, por ndoshta Hamasi është shfrytëzuar edhe për punë të ndyra ndërmjetësimi në arenat e luftës në Lindjen e Afërt dhe ato palestineze.
Theqafje morale
Gjithsesi, në një rast pati sukses – të shkatërrojë Organizatën për Çlirimin e Palestinës e cila lidhi marrëveshje me Izraelin dhe kësisoj të vërë nën vete korpusin palestinez nga pozitat e ekstremizmit islamik.
Si pasojë kemi një situatë perverse që paraja katarase mund të bëjë gjithçka – të shpëtojë ekonomitë europiane dhe perëndimore, të financojë terrorizmin islamik, të nxisë luftëra dhe të përfundojë luftëra si dhe të lidhë ujdi për shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish mes armiqsh për vdekje.
Pamja e fëmijëve, të cilët si pengje të tij Hamasi i shpie për ti shkëmbyer në sytë e mbarë botës, shënon fillimin e shkatërrimit të rendit juridik botëror, i cili është formuar pas Luftës së Dytë Botërore, dhe legalizimin praktik të krimeve të luftës si instrument luftimi. Hamasi, pastaj edhe Izraeli me mbështetjen e ShBA-ve dhe fuqive europiane, me veprimet e tyre vetëm për një muaj ditë e hëngrën karremin, ndërsa Katari i paevitueshëm i tërhoqi në një theqafje morale.
Perëndimi mbahet sikur Aladini është në Katar, por puna është se në cilat duar është llampa e tij në këtë moment.
Sigurimi kompaninë RWE është thjesht marrje nën kontroll e kompanisë amerikane
Në muajin tetor të vitit 2022, Fondi shtetëror i Katarit (Qatar Investment Authority), nëpërmjet filialit të tij në Gjermani, Qatar Holding e cila është në pronësi të tij njëqind përqind, lajmëroi investimin prej 2,5 miliardë dollarësh në gjingantin elektroenergjetik gjerman RWE AG me seli në Essesn. Në këtë biznes hyri pikërisht në momentin kur RWE lajmëroi për blerjen e prodhuesit amerikan dhe operatorit të sistemeve diellore Con Edison Clean Energy me vlerë prej shtatë miliardë dollartësh në mënyrë që të forconte pozicionin e tij në tregun e biznesit të burimeve të rinovueshme të eneregjisë. RWE gjermane për një kohë të gjatë kërkonte mënyrat për të hyrë në strukturën aksionare të kompanisë së lartpërmendur amerikane, dhe obsioni i vetëm për mbylljen e konstruksionit financiar ishte marrja e kredive, me të cilat do ta realizonte blerjen. Dhe bash në këtë moment, në mënyrë aspak rastësore, hyri në lojë Katari dhe i siguroi RWE-së marrjen nën kontroll të kompanisë amerikane.
*Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA
[i] https:/www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-kljucni-financijer-globalnog-islamistickog-ekstremizma-ciji-je-cilj-sirenje-na-europu/