Eljanos Kasaj*
Vizita në Moskë për të shënuar tetë dekada që nga fitorja e Bashkimit Sovjetik ndaj nazi-fashizmit në Luftën e Dytë Botërore(1939-1945) dhe takimi me presidentët e dy vendeve të fuqishme botërore, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, nuk do të thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ia hodhi “të gjitha kartat” Rusisë dhe Kinës dhe as nuk hoqi dorë nga një politikë e jashtme e bazuar në katër shtylla dhe neutralitet ushtarak te inicuar prej presidentit Boris Tadiq. Përkundrazi, ai e ka forcuar më tej partneritetin e Serbisë me Kremlinin dhe Pekinin, kundrejt “kërcënimeve bosh” që vijnë nga pjesë të BE-së.
Kështu e analizojnë opinionistët e mediave pro-qeveritare serbe, ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sigurisë kombëtare, vizitën e kreut të shtetit serb për Ditën e Fitores, gjë që çoi në kërcënime të reja nga Brukseli për masa të mundshme ndëshkuese për Beogradin dhe vlerësimin e një pjese të opozitës vendase se “heroizmi i Vuçiqit”, siç e quajti presidenti Putin aktin e presidentit të të qenit në Moskë pavarësisht kërcënimeve – do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë.
Pas Paradës së madhe të Fitores më 9 maj, presidenti Putin falënderoi udhëheqësit e vendeve të huaja që erdhën në Moskë pavarësisht kërcënimeve, shantazheve dhe pengesave(të cilat u quajtën me një gjuhë finoke si “vështirësi logjistike”), dhe theksoi se ata ishin “udhëheqës të vërtetë në karakter, në gatishmërinë e tyre për të mbrojtur bindjet e tyre dhe në guximin e tyre të jashtëzakonshëm”:
“Vendimi i tyre për të ardhur në përkujtimin e 9 majit është një shenjë e rëndësishme solidariteti në luftën për të vërtetën historike, rreth vlerës së një fitoreje të përbashkët “- theksoi presidenti Putin në fjalimin e tij për median, duke iu referuar në veçanti vizitave të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, Presidentit të Republika Srpska Milorad Dodik dhe Kryeministrit sllovak Robert Fico. Kreu i Kremlinit theksoi gjithashtu se marrëdhëniet midis Rusisë dhe vendeve evropiane, herët a vonë, do të rivendosen në të njëjtin nivel që ato qenë përpara vitit 2022.
Në analizën e tij për këto zhvillime,diplomati serb Zoran Millivojeviq thotë se nuk ka argumente që mbështesin pretendimet se Vuçiq bëri një kthesë në kursin e politikës së jashtme të Serbisë duke shkuar në Moskë dhe “se është plotësisht në përputhje me interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë, si dhe me parimet, kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj Luftës së Dytë Botërore, historisë, rishikimit të së cilës ne jemi kundër”.
Në takimin e presidentit Vuçiq me presidentin Putin morën pjesë edhe shefi i diplomacisë ruse Sergej Lavrov dhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitrij Peskov, ministri rus i ekonomisë Maksim Reshetnikov, drejtori i Rosatom Alexej Lihaçjev, drejtori i Fondit Rus të Investimeve Kirill Dmitriev – ndërmjetësi kryesor në negociatat midis Vladimir Putinit dhe Donald Trump.
Gjatë këtyre bisedimeve, Vuçiq theksoi se Serbia është në rrugën evropiane, por se nuk duhet të heqë dorë nga miqtë tradicionalë, ndërsa Millivojeviq theksoi për median serbe “Novosti” se integrimi i Serbisë në Bashkimin Evropian ka ngecur për një kohë të gjatë dhe se ai nuk sheh se çfarë masash të reja mund të përdoren për të ndëshkuar Serbinë:”Kërcënimet vijnë nga përfaqësuesit e vijës së ashpër në BE, që përfshin vendet baltike dhe anëtarët veriorë, disa parti politike evropiane të së majtës, socialdemokratë dhe liberalë, për shkak të lidhjeve tona me Rusinë. Le të themi, nuk patëm asnjë koment nga Uashingtoni apo Makron, kështu që ka një ndryshim në atë pjesë perëndimore, jo të gjithë mendojnë njësoj. Nuk ka konsensus në BE për nevojën e largimit të Serbisë nga procesi i negociatave, nuk ka konsensus midis shteteve anëtare për këtë, dhe përveç Hungarisë dhe Sllovakisë, as Franca dhe as Italia nuk do të ishin në favor të kësaj. Nuk pres ndonjë pasojë për Vuçiqin personalisht, nuk besoj se ai do të lihet jashtë tubimeve të rëndësishme në Tiranë këtë javë ose se Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Kosta do të anulojë vizitën e tij të planifikuar në Beograd, siç po kërkojnë disa në BE”.
“Veçanërisht të rëndësishme, vijon ai, janë bisedat me dy nga tre njerëzit më të fuqishëm në planet, Putinin dhe Xi-në: “Ato tregojnë se Serbia ka një pozicion të rëndësishëm ndërkombëtar. Ne morëm garanci për çështje me rëndësi të veçantë për ne, mbështetje për sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, Kosovën dhe Metohinë, parimet tona të neutralitetit ushtarak dhe pavarësisë politike, dhe u shpreh mbështetje për autoritetet dhe stabilitetin e brendshëm të Serbisë. Ekziston edhe çështja e ekonomisë, e cila ishte një temë e rëndësishme e bisedimeve të Vuçiçit me Putinin dhe Xi-në, veçanërisht rreth gazit dhe energjisë, të cilat janë të rëndësishme si për stabilitetin ekonomik ashtu edhe për atë politik, si dhe për zhvillimin e vazhdueshëm të vendit tonë”.
Në një bashkëbisedim me mediat serbe,në përfundim të takimit me presidentin Putin,presidenti Vuçiq bëri të ditur esencën e bisedimeve midis palës serbe dhe asaj ruse:” Folëm për Kosovën dhe Metohinë, folëm se si dhe në çfarë mënyre ka standarde të dyfishta në këtë pjesë të botës, nëse presionet shtesë do të na detyronin të pranonim ndarjen e Kosovës dhe Metohisë nga Serbia, për presionet për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, folëm për sanksionet kundër NISH-it”. Presidenti i Serbisë tha gjithashtu se ishte e rëndësishme që Serbia pati mundësinë të shprehte mirënjohje për rolin kyç që luajti Ushtria e Kuqe në çlirimin e vendit tonë. Vuçiç theksoi se nuk mban mend që “Serbia të jetë respektuar në këtë mënyrë dhe të jetë treguar ky lloj mikpritjeje”. Ai theksoi se në takim u fol për ruajtjen e përbashkët të kujtimit të heronjve dhe tha se është e rëndësishme të mos rishikohet historia.
“Jam i kënaqur me rezultatet e bisedimeve dhe me vëmendjen e respektin e Putinit për Serbinë, dhe sigurisht, ne kemi treguar të njëjtin lloj respekti për Federatën Ruse”, tha Vuçiq.
Sigurisht që jashtë analizës së mediave serbe nuk mund të ngelej dhe takimi i presidentit Vuçiq me presidentin kinez Xi Jinping, si dhe marrëdhënia e veçantë midis Serbisë dhe Republikës Popullore të Kinës. Ku mesazhet e përcjella nga Presidenti kinez diplomati Millivojeviq i “lexon” si një shenjë të qartë se Pekini e sheh Serbinë si një partner kyç në këtë rajon:”Mesazhet për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, koordinimin e ndërsjellë, mbështetjen në shkallë globale dhe se Kina është adresa së cilës mund t’i drejtohemi në çdo kohë, përfaqësojnë rezultate me rëndësi të madhe”.
Të njëjtin mendim ndan edhe Dr. Sanja Arezhina, eksperte në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe autore e librit “Kina në Evropë”, duke thënë për “Novosti” se as Vuçiq dhe as Serbia nuk po heqin dorë nga politika e tyre e jashtme e mbështetur në katër shtylla – SHBA-të, BE-në, Rusinë dhe Kinën: “Takimet në Moskë shkuan mirë dhe u theksua se Serbia përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën. Ne jemi i vetmi vend evropian që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Moskës dhe, në këtë kontekst të rivendosjes së marrëdhënieve midis Rusisë dhe SHBA-së, Serbia mund të shërbejë si urë për ndërtimin e marrëdhënieve midis Lindjes dhe Perëndimit. Presidenti kinez plotësoi disa kërkesa të bëra nga pala serbe, në lidhje me investime të mëtejshme në rrethinat e Pçinjit dhe Jabllanicës, në fabrikën “Simpo”, dhe veçanërisht në lidhje me ndërtimin e një fabrike trenash në vendin tonë, e cila është e rëndësishme për ne sepse një prodhim i tillë nuk ekziston sot në Evropë”.
Fjalët e zonjës Arezhina, ashtu si dhe ato të zotit Millivojeviq, duket se pasqyrojnë shumë mirë ideologjinë neo-jugosllave të ndjekur prej qeverisë serbe post-Millosheviq, e cila kërkon konstruktimin e një politike të jashtme të Serbisë të bazuar në parime pragmatiste dhe në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore-njëkohësisht, ajo tregon qartë një devijim të elitave politike serbe prej vijës euro-pragmatiste dhe të një afrimi me amerikanët në kuadër të bashkëpunimit ushtarak me NATO-në, ku me thyerjen e unitetit brenda bllokut evropian, rritjen e forcave politike euroskeptike dhe afrimin e një triumfi të mundshëm të Rusisë në konfliktin e armatosur në Ukrainë, skena duket e hapur edhe për ndryshime të tjera në arenën tashmë kaotike ndërkombëtare, ku ashtu siç historia dhe ka treguar, Serbia do të jetë në pritje dhe gati për të arritur realizimin e objektivave të saj kombëtar dhe shtetërore.
*Fakulteti i Shkencave Politike dhe Politikave Botërore,Universiteti i Wrocłw(Poloni)
/Argumentum.al