Prof. Dr. Enver Bytyçi*
Sot është 28 qershor! Dita e shenjtë e Serbisë dhe e serbëve, e emërtuar si Dita e Shën Vidovdanit! Kjo ditë përkujton Betejën e Fushë-Kosovës të 28 qershorit 1389 midis forcave ballkanike dhe trupave ushtarake të Sulltan Muratit të I osman. Eshtë fakt se kjo betejë, kjo ditë, është mitizuar në shkallën më të lartë të mundshme dhe ka prodhuar aq shumë drama, viktima dhe tragjedi në konfliktet ballkanike, sidomos midis serbëve dhe shqiptarëve. Dhe duhet thënë se për gati dy shekuj dita e 28 qershorit është përdorur shumë herë si simbol i mitologjisë serbe për qëllime të manipulimit të opinionit brenda dhe jashtë kufijve të shtetit serb.
Më 28 qershor 1914, pra Ditën e Shën Vidovdanit, u përgatit dhe ndodhi atentati kundër princit austro-hungarez të kurorës, Franz Ferdinand dhe gruas së tij, Sofisë. Pse ai atentat u krye pikërisht në atë ditë? Për të dhënë mesazhin e frymëzuar prej mitit serb të Vidovdanit, se “Serbia nuk duron më të sakrifikohet” me protektoratin austro-hungarez në Bosnjë Hercegovinë. Ky atentat u bë shkaku i fillimit të Luftës së Parë Botërore. Më pas, Franca si nikoqire e Konferencës së Paqes, e çeli atë konferencë në Versajë pikërisht më 28 qershor 1919. Edhe kjo ndodhi për shkak se Franca donte ta përdorte Vidovdanin serb si simbol të fitores së luftës, e cila filloi në atë ditë pesë viteve më parë. Ndërkohë që vetë Serbia ishte përpjekur ta përkujtonte Vidovdanin, por këtë e realizoi vetëm në vitet 1930, kur e kishte konsoliduar pushtetin e sundimit të saj në Kosovë nën ish-Mbretërinë Jugosllave.
Edhe Josif Stalini e publikoi letrën e ashtuquajtur të Informbyrosë më 28 qershor 1948. Gjithnjë për t’u kujtuar serbëve se ata duhej të reagonin kundër Titos dhe ta rrëzonin atë nga pushteti. Shën Vidovdani i shërbeu atij për të mobilizuar serbët për rrëzimin e Josiph Titos, por nuk ndodhi kjo.
Megjithatë është Serbia, shteti, kisha, akademia e saj, të cilat e përdorën Shën Vidovdanin si mit dhe si motiv e mjet për homogjenizimin e popullit dhe të kombit serb kundër popujve të tjerë të rajonit tonë e sidomos kundër shqiptarëve. Kurdo që Serbia ka ndërmarrë fuashata ushtarake e policore të spastrimeve etnike kundër shqiptarëve, ka thirrë në ndihmë mitet e Betejës së Fushë-Kosovës të 28 qershorit 1389. I fundit ishte Sllobodan Milosheviçi ai që mblodhi në Fushë Kosovë më 28 qershor 1989 mbi një milion qytetarë të Serbisë dhe u betua “për ta mbrojtur Kosovën” kundër shqiptarëve!
Autorë të shumtë të huaj, por edhe serbë dhe shqiptarë e kanë trajtuar këtë fenomen në mënyrat e tyre kritike, shumë kritike, ose reflektive. Sigurisht që shumica e autorëve të Serbisë e kanë mbrojtur idenë e Kosovës si “djepi i popullit dhe shtetit serb”, si “Jeruzalemi i Serbisë”, si “toka e shenjtë serbe”, si “zemra e atdhut të serbëve” etj. Por nga të gjitha elaborimet e kësaj ngjarjeje më ka tërhequr vëmendjen më së shumti trajtimi dhe interpretimi që i bën asaj një profesor i shquar i historisë së Europës Lindore dhe Juglindore, Holm Sundhaussen. Paraprakisht dua t’ju them se profesor Sundhaussen ishte një studiues sqimatar më i madhi për historinë e rajonit tonë. Ai është marrë jo vetëm me mitet ballkanike e sidomos ato serbe, jo vetëm me zhvillimet historike politike te ne, por në detaje ka studiuar gjithashtu çeshtjet e zhvillimit ekonomik e social, kulturor e gjuhësor, si dhe demografik të popujve të Europës Juglindore, sidomos të Serbisë. Eshtë studiuesi më i kompletuar i historisë sonë të përbashkët në shtetet e rajonit tonë e sidomos të historisë së shtetit serb.
Vetëm një shembull po sjell. Në vitin 2007 Holm Sundhaussen botoi në gjermanisht librin e tij të kontestuar në Beograd, “Historia e Serbisë”, në të cilin e zhvesh këtë histori prej miteve dhe mitologjisë së ngulitur thellë në kulturën, tregimtarinë dhe interpretimin e autorëve serbë. Sapo ai libër u botua, mediet e Beogradit e kudo që jetojnë serbët reaguan me nervizizëm për atë që ata e quanin “lëndim dhe fyerje ndaj serbëve dhe historisë së tyre”! Ministria e Punëve të Jashtme në Beogrd thirri ambasadorin gjerman dhe i dorëzoi një notë protestë për atë që kishte shkruar Holm Sundhaussen. Debati vazhdoi me muaj. Ndërkohë autori i historisë së vërtetë të Serbisë i mblodhi të gjitha reagimet që ishin publikuar në mediet serbe e më gjerë, shënoi emrat e të gjithë atyre autorëve që kishin shkruar dhe i ftoi ata në një takim në Beograd për t’u ballafaquar me të vërtetën e shkruar. Mbajti një referat prej 22 faqesh, në të cilin ai u shpjegoi historianëve të Serbisë se çfarë ishte historia, ku ndryshon ajo nga mitologjia dhe si duhet shkruar e vërteta historike, pa u ndikuar nga mitet folklorike.
Por le të kthehemi te pikëpamjet e Holm Sundhaussen sa i përket Betejës së Fushë Kosovës të 28 qershorit 1389. Ai shkruan: “Kosova, si një pikë qendrore mentale e Serbisë së mesjetës, pra si vend “i tregimeve hyjnore të popullit serb”, “si Jeruzalemi i Serbisë”, po ashtu si kujtesë e Betejës në Fushën e Mëllenjave, krijon dy pjesë themeltare të miti serb. (Kjo e krahasuar me punimet e Zoran Janjetoviç). Njëra është se Beteja e vitit 1389 shihet si akt vdekje dhe asgjësimi në gjykimin e Zotit, trajtohet si rënie, si vuajtje dhe gatishmëri për t’u sakrifikuar. Ndërsa në anën tjetër, shkruan Sundhaussen, ajo betejë shihet si ringritje, si rithemelim i perandorisë tokësore dhe hakmarrje për atë çka populli serb vuajti në atë betejë”. Më tej ai e zbërthen mesazhin e mitit serb të kësaj beteje me padrejtësinë që i bëhet popullit serb e gatishmërinë e tij për t’u vetësakrifikuar, duke pasur parasysh vrasjen në betejë me Sulltanin të Princ Llazarit, ose gatishmërinë e Millosh Obiliçit për t’u hakmarrë, si dhe të “tradhëstisë” së Vuk Brankoviçit.
Interpretimi i Holm Sundhaussen është se për atë Betejë ka shumë pak ose aspak informacion të kronikanëce të luftës. Gjithçka, shkruan ai është në gojëdhëna. Edhe mbledhja e folklorit nga ana e gjuhëtarit Vuk Karaxhiç, shihet prej tij si një punë e paargumentuar. Madje shkruan dhe thotë se këngët që ai mblodhi nuk kanë burimin se nga vijnë. Ndërkohë që kronika e kësaj beteje është shkruar disa dekada më vonë, vëren Sundhaussen. Ai bën krahasimin e kësaj beteje me betejat e tjera të kësaj periudhe dhe arrin në përfundimin se dy prej tyre ishin më të rëndësishme sesa ajo në Fushën e Mëllenjave. P.sh përmend Betejën e vitit 1448, për të cilën thotë se ishte e sukseshme dhe më e madhe sesa Beteja e vitit 1389. Megjithatë në historinë e Serbisë iu dha vend kësaj të fundit. Arsyeja? Nevoja për përdorim politik të saj.
Pak a shumë të njëjtat argumente përdor edhe historiani britanik, Noel Malcolm, kur përcakton dhe provon me fakte se pse Kosova nuk është djepi shpirtëror i shtetit dhe popullit serb. Ai shkruan se as shteti dhe as kisha e Serbisë nuk lindën për herë të parë në territorin e Koovës. Shteti i parë serb lindi në Rashkë, ndërsa kisha serbe u krijua në një fshat afër Kragujevacit. Prandaj shkruan Malcolm, nuk mundet që Kosova të ishte e të jetë “djepi shpirtërë i popullit dhe i shtetit të Serbisë”! Duke sjellë argumente si këto, historianë të tillë me emër dhe famë europiane, e kanë zhveshur historinë e Serbisë nga mitet dhe kësisoj dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për interpretimin real të kësaj historie. Ndërkohë që historiani tjetër gjerman, Konrad Clewing, i trajton mitet si mjet ndikimi edhe në etnostrukturën e Kosovës, duke arritur në përfundimin se megjithatë “Kosova është ose jo homogjene me popullsi shqiptare, po aq sa është e tillë Gjermania me popullsi gjermane”!
Parimi themelor i konceptit të historisë për Holm Sundhaussen është vendosja në themel të saj të njeriut. Duke e zgjeruar pikëpamjen e tij në këtë aspekt ai shkruan se “Nuk ka territore të pushtuara ose jo të pushtuara. Të pushtuar ose jo të pushtuar janë njerëzit që jetojnë në ato territore”. Ndërsa duke iu referuar Betejës së Fushë-Kosovës ai e sheh atë si tendencë të Serbisë për të krijuar mitin e “popullit hyjnor”! Shqiptarët dhe grekët ushqejnë “të qenit banorët e parë të gadishullit”. Ndërsa serbët mitin e “të qenit hyjnor”, si askush tjetër, unikë. Ndërsa betejën e Car Llazarit me Sulltanin Sundhaussen e sheh si moment vendimi në dilemën “nëse princi serb do të luftonte për perandorinë tokësore të trashëguar nga Nemanjët dhe Stefan Dushani, apo në vend të kësaj do të ngrinte një kishë, me të cilën shihej krijimi i një perandorie ose mbretërie hyjnore serbe. Virtualiteti kësisoj shndërrohet në legjendë, legjenda në mit dhe miti përdoret si mjet lufte dhe beteje.
Eshtë interesant sesi Sundhaussen e trajton nga pikëpamja psikologjike zhvillimin e ngjarjeve. Edhe vrasjen e Car Llazarit ai e sheh si çeshtje nderi për t’u përballur në dyluftim me Sulltan Mratin I. Në këtë moment ai shkruan se Car Llazari mendoi sipas dilemës:- Nëse duhej të luftonte me ushtri për të mbrojtur “mbretërinë serbe”, ndonëse ai nuk ishte pasues i perandorisë, e cila kishte perenduar në vitin 1371, apo të binte në betejë si dishepull i krijimit të një mbretërie imagjinare hyjnore për serbët. Zgjodhi martirizimin, viktimizimin si model të mbretëërisë së “përjetshme”, shkruan Holm Sundhaussen. Dhe më pas përshkruan se si dhe pse emri i Car Llazarit u bë mit. Ai citon teologun serb, Nikolaj Velimiroviç, i cili shkruante se “Asnjë popull kristian nuk ka në historinë e tij, çfarë populli serb ka. Asnjë popull nuk ka një Kosovë… Kosova është një rast unik në historinë dymijë vjeçare të krishterimit”, citon Sundhaussen të ketë shkruar teologu serb i lartpërmendur dhe i shpallur shenjt nga Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe në vitin 2003.
Edhe sa i përket Millosh Obiliçit, Sundhaussen e shpjegon aktin e tij të vrasjes së Sulltanit me sedrën dhe egon e tij, për t’u dëshmuar. Baxhanaku i tij, Vuk Brankoviç, kishte nxjerrë fjalë se Milloshi “ishte një tradhtar, që punon për turqit”! Dhe ky i fundit për ta dëshmuar veten jo si “tradhtar”, por “si hero” në përfundim të betejës hyn në mirëbesim në çadrën e Sulltanit dhe e vret atë. Motivimi i këtij akti provon në fakt një sindromë të trashëguar edhe sot nga individë dhe grupe individësh, të cilët vendosin veten gjithnjë në provë, për t’u dëshmuar te të tjerët për aftësitë ose për cilsitë që ata kanë. Eshtë aq e përhapur një sindromë e tillë, sa nuk ke pse të mos e besosh edhe në rastin e Millosh Kopiliçit.
Sipas historianit të njohur, Sundhaussen, miti i Betejës së Fushë-Kosovës nisi si akt i grumbullimit të folklorit rreth kësaj ngjarjeje dhe përfundoi në shekullin e XIX në një mit kombëtar. Deri aso kohe ngjarja u transmetua përmes folklorit. Madje edhe në rapsoditë e kelmendasve në Shqipëri dhe te shqiptarët në Kosovë. Pas studimit të këtij folklori prej Vuk Karaxhiç, ajo u shndërrua në një ide fikse, sipas së cilës e gjithë bota rrotullohet rreth Fushë-Kosovës së 28 qeshorit 1389 e në kohën e sotme, rreth Serbisë e serbëve. Për ta shndërruar në mit këtë betejë, nisën që prej vitit 1870 e këtej të zhvillohen manifestime, përkujtimore, të shkruhen tregime, të bëhen gravura dhe tabllo të pikturës, të bëhet muzikë e në shekullin e 20-të edhe filma. Car Llazari u konsiderua si i pari dhe i vetmi pasues i Krishtit në botë. Teologë, historianë, artistë, kineastë, regjizorë, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, priftërinj, politikanë, akademikë, historianë, psikologë e profesorë të Serbisë u përfshinë në dalldinë e kultivimit të këtij miti, aq sa e çuan Serbinë në shumë fushata ushtarake, beteja e luftëra kundër popujve fqinjë të saj, në përpjekjen e saj për ta krijuar “serbinë e Madhe”!
Duke e interpretuar konjukturën e këtij miti, Holm Sundhaussen përmend rastin e fundit, kur Milosheviçi organizoi përkujtimoren e 600 vjetorit të Betejës në Fushë-Kosovë më 28 qeshor 1989, në të cilën deklarohet se “Ne do ta fitojmë betejën për Kosovën, pa marrë parasysh pengesat me të cilat përballemi brenda dhe jashtë vendit”. Ndërkohë që citon gjithashtu fjalën e Milosheviçit para turmave në Beograd me 19 nëntor 1988, kur ai imitoi Gëbelsin e Hitlerit. Milosheviç thoshte atë kohë se “Serbia ose do të bëhet e madhe, ose nuk do të ekzistojë fare”! Më pas u elaboruan, shkruan Sundhaussen, idetë për fertilitetin e nënave shqiptare në Kosovë, duke u konsideruar si akt genocidi kundër Serbisë dhe serbëve. Madje ai citon një prej anëtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë, kur shkruante se “Në 600 vjetorin e Betejës në Kosovë ne shpallëm se Kosova është dhe do të jetë serbe dhe kjo nuk varet nga fertiliteti i shqiptarëve ose mortaliteti i serbëve. Aty është derdh aq shumë gjak serb dhe gjenden aq shumë relike hyjnore, sa që Kosova gjithmonë do të jetë një territor serb, edhe nëse në këtë vend nuk do të jetojë asnjë serb”!
Ndërkohë, duke e trajtuar këtë ngjarje me rrezatim në kohët e sotme moderne, Sundhaussen i drejtohet edhe elitës së mendimit racional në Serbi. Ai citon psh Bogdan Bogdanoviç, i cili i kishte shkruar një letër Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë menjëherë pas shkarkimit të Stamboliç, në nëntor 1987. Në atë letër Bogdanoviç shkruante: “Serbët janë lodhur nga loja e dramës nacionale dhe nga kjo politikë ditore që i godet ata. Është e lodhur nga historia e saj, të cilën serbët nuk e kuptojnë e megjithatë mrekullohen me të. Ata janë të lodhur nga luftërat e vështira, tragjike dhe të pamenduara”. Sundhaussen më tej citon gjithashtu Danica Drashkoviçin, e cila në kulmin e luftës në Bosnjë, më 1994, shkruante se “Fshatarët serbë nuk kanë nevojë për territore, përkundrazi ata kanë nevojë për një jetë si p.sh në Amerikë e në Gjermani… Nga Serbia e Madhe ne kemi përfituar deri tani vetëm luftë, varfëri dhe uri”.
Megjithatë Holm Sundhaussen mendonte aso kohe (në villim të viteve 2000) se ndarja e Serbisë nga mitet për Kosovën është një proces ende i largët. Ajo çfarë ka ndodhur në këto më shumë se dy dekada dhe çfarë po ndodh ende sot, e provon këtë përfundim logjik të historianit të shquar gjerman!
*Kumtesa që u mbajt në kuadër të Konferencës të organizuar nga Instituti Octopus, Prishtinë
© 2025 Argumentum