Editorial
Qarku i Fierit ka prodhuar një fitore historike për Partinë Socialiste, duke i dhënë kësaj force politike plot 12 mandate deputetësh, një rezultat që e bën atë një nga qarqet më të fortë elektoralë për PS-në në këto zgjedhje. Drejtuesja politike e kësaj fushate ishte zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila edhe vetë garonte si kryesuese e listës. Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen maksimale mediatike dhe publike ishte një emër tjetër: Zegjine Çaushi.
Nuk dihet nëse ishte një strategji e mirëfilltë nga drejtuesit politikë të PS-së në këtë qark, apo thjesht një efekt spontan i fushatës, por ajo që ndodhi është se e gjithë vëmendja u përqendrua te Çaushi, duke zbehur në mënyrë të dukshme figurën e çdo kandidati tjetër në listë, përfshirë edhe vetë Ballukun. Një emër i ri në politikë, e panjohur më parë për publikun, por që me një stil agresiv (tipike sjellje TikToku), arriti të bëhet qendra e vëmendjes, sidomos përballë opozitarit Gazment Bardhi të Partisë Demokratike.
Çaushi, e frymëzuar dukshëm nga retorika e liderit të PS-së Edi Rama dhe përplasjet virtuale me Lulzim Bashën, zgjodhi të përqendrohet në përballjen e saj direkte me sulme dhe tallje ndaj kundërshtarit politik, Gaz Bardhi, duke ngjallur jo pak kritika për mënyrën se si një grua dhe një vajzë zgjedh të vetë-degradohet në përpjekje për të fituar simpatinë e elektoratit.
Me frazen “Gazo… o Gazo, hajde te motra jote ti”, arriti të tërheqë vëmendjen e kryeministrit dhe ta bëjë atë të qeshë me veprimet e saj kundër Gaz Bardhit, por pyetja që mbetet është: a do të arrijë të bëjë të qeshë edhe komunitetin që kërkon të përfaqësojë me votën e tij?
Është shqetësuese të shohësh se një kandidate e re, që pretendon të jetë zëri i halleve dhe shqetësimeve të qytetarëve të Fierit, zgjodhi rrugën e shfaqjes dhe jo të përmbajtjes, duke u kthyer në një lloj “loloje politike” që prodhoi një shfaqje të shëmtuar virtuale.
Nuk dihet pse duhet të shkontë “Gazi” tek ajo, por dihet që kjo thirrje mbuloi zërin e çdo kandidati tjetër në listën e PS-së. Media, gjithashtu, ra në këtë kurth, duke spostuar vëmendjen nga kualifikimet, programet dhe historiku i kandidatëve, në një fokus tërësisht të pamerituar ndaj një figure që prodhoi më shumë zhurmë se substancë.
Por spektakli nuk mbaroi vetëm me 11 majin. Fitorja e një mandati deputeti në listën e hapur nga Zegjine Çaushi e bëri kritikën publike të mendohej dy herë, para se të qeshte sërish. Ajo që për shumë u duk si një “show” elektoral, u kthye në një realitet politik të pamohueshëm: Zegjine Caushi nuk është një shaka, por një realitet. Ajo mori votën e qytetarëve të saj në Fier, u pozicionua si përfaqësuese e popullit dhe pas fitores filloi përgatitjet për në Akademinë Politike të Partisë Socialiste.
Por fenomeni Çaushi nuk përfundon këtu;
Gjithçka ndryshoi, kur pas kërkesës për rinumërim votash, Çaushi humbi për disa orë mandatin. Pas rinumërimit të votave në qarkun e Fierit, një tjetër kandidate po në këtë liste, znj. Maldrita Bardho rezultoi fituese e mandatit për deputete.
Gjatë atyre orëve, shumë vetë u gëzuan dhe madje u lehtësuan, duke shprehur hapur se “ajo figurë që përfaqëson Zegjine, nuk mund të na përfaqësojë në Kuvend”.
Por pas disa orësh, përmbysja ndodhi sërish.
Bardho, fituesja me votat e qytetarëve, vendosi të mos e pranojë mandatin dhe të tërhiqet nga Kuvendi. Lajmin e bëri të ditur vetë ajo përmes një deklarate në Instagram, ku falënderoi mbështetësit dhe sqaroi se vendimin për të mos marrë mandatin e kishte marrë që më parë, para rinumërimit. Ajo premtoi të vazhdojë të kontribuojë për Partinë Socialiste dhe për Lushnjen, por jashtë Parlamentit.
Pas dorëheqjes së Bardhos, mandati i kaloi sërish Zegjinë Çaushit, e cila ishte vetëm 10 vota prapa saj në renditje. Bardho shprehu mbështetje të plotë për kolegen, duke vlerësuar angazhimin e saj gjatë fushatës.
E pra Zegjine Çaushi, jo vetëm si një realitet që duhet pranuar, por tashmë edhe si një projekt i qartë politik, i krijuar, mbështetur dhe promovuar nga vetë struktura e PS-së.
Megjithatë doreheqja e Bardhos, nuk duhet kaluar kaq lehte, pasi kjo situatë ngre shqetësime serioze mbi besueshmërinë dhe drejtësinë e procesit demokratik. Kur një kandidat që ka marrë besimin e qytetarëve përmes votës së lirë tërhiqet dhe ia kalon mandatin dikujt tjetër, kjo përbën një tjetërsim të vullnetit qytetar dhe një tradhti ndaj demokracisë. Si mund të kërkosh votën e qytetarëve, të marrësh besimin e tyre, dhe pastaj t’ua mohosh përfaqësimin që ata kanë zgjedhur?
Po ti moj zonjë, (Maldrita Bardho) kur nuk kishe besim as te vetja, as te forca e votës qytetare, pse dole në garë? Pse kërkove votën e njerëzve, kur nuk ishe gati ta përfaqësoje me përgjegjësi? A ke menduar një çast për qytetarët që të votuan? A e kupton çfarë përfaqëson vota në një demokraci? Është arma e tyre e vetme, mjeti i vetëm për të ushtruar sovranitetin. Dhe ti vendose ta tjetërsosh.
Kush je ti që vendos se kujt i takon mandati? Votuesit nuk votuan për “mundimin” e Zegjinës, por për atë që ata panë më të denjë. Ky veprim është një precedent i rrezikshëm, që na kthen pas në kohë, kur gjithçka ndodhte pas dyerve të mbyllura, dhe jo përmes kutive të votimit.
Demokracia nuk funksionon kështu. Mandati nuk është një shpërblim që i jepet kujt ka punuar më shumë në prapaskenë; është përgjegjësi publike që jepet nga qytetari, me emër dhe mbiemër.
Nëse nuk ke besim në vetvete dhe nuk je gati të përballosh detyrën për të cilën të votuan njerëzit, pse hyre fare në garë? Si mund të thuash që kolegia ka luftuar më shumë për skuadrën, kur vota është shprehje e një zgjedhjeje personale dhe qytetare?
Kjo nuk është vetëm një çështje e brendshme partiake, por një precedent i rrezikshëm që cenon themelet e demokracisë dhe legjitimitetin e përfaqësimit parlamentar. Vota nuk është një çmim që mund të jepet apo merret sipas “mendimit” apo “munduese” së dikujt tjetër, por është shprehja e vullnetit të qytetarëve që duhet respektuar dhe mbrojtur me fanatizëm.
Përfaqësimi i popullit është detyrë, jo privilegj. Dhe ajo që ndodh sot, kur mandate jepen e hiqen me kalkulime partiake apo dorëheqje “me arsye personale”, e çon demokracinë në rrëshqitje. Çdo mandat i fituar nga qytetarët duhet të jetë reflektim i vullnetit të tyre, jo një shpërblim për lojtarë të zhurmshëm të lojës politike.
Nëse nuk kërkojmë standarde më të larta për ata që marrin përgjegjësinë të na përfaqësojnë, atëherë Kuvendi do të vazhdojë të degradojë në një sallë spektaklesh, ku përfaqësimi është vetëm në emër, dhe jo në vepra. Dhe këtë nuk e bën vetëm një emër si Zegjinë Çaushi, e bën toleranca jonë kolektive ndaj zëvendësimit të përmbajtjes me zhurmë.
Duket se maxhoranca ka zgjedhur qartë figurën që do t’ua ofrojë në tryezën politike të parlamentit të ri këtë vjeshtë… Opozita do të shënjestrojë politikisht fenomenin Çaushi, deputeten atipike me sjellje të ngjashme me ato të adoleshentëve në TikTok, ndërsa karvani qeveritar do të ecë përpara, pa pengesa.
Shfaqja vijon në shtator…
© 2025 Argumentum