Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar sqarim, se çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik. Ky afat ishte përcaktuar nga një aktgjykim i mëhershëm i Gjykatës, por nuk ishte sqaruar, se cilat do të ishin pasojat juridike në rast të mosrespektimit të këtij afati për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Presidentja Osmani po ashtu tha në një konferencë për medie se ka kërkuar edhe masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor. “Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha Osmani, duke shtuar se “në aktgjykimin paraprak të Kushtetueses lidhur me moskonstituimin e organit ligjvënës pas zgjedhjeve të shkurtit nuk janë sqaruar pasojat juridike”.
Parandalim i dëmeve
“Qëllimi është që të sqarohet situata e moskonstituimit brenda afatit, por edhe se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendi. Po ashtu, duhet të sqarohet se çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas 26 korrikut”, tha Osmani dhe rikujtoi se “me këtë kërkesë po synohet të parandalohen dëmet që do të mund të shkaktoheshin”.
Osmani theksoi, se “kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme”. Një pezullim i afatit do të parandalonte shkeljen e Kushtetutës nga deputetët, konstituimin e Kuvendit pas afatit, që do të ishte jokushtetues, dhe mundësinë e zgjedhjes së një qeverie, e cila po ashtu do të ishte në kundërshtim me aktin më të lartë ligjor, sipas presidentes.
Shpresa për trajtim urgjent nga Gjykata Kushtetuese
Presidentja shpreson që kërkesa për masë të përkohshme të trajtohet me urgjencë nga Gjykata Kushtetuese. “Ne shpresojmë që së paku pjesa e masës së përkohshme të trajtohet urgjentisht, në mënyrë që të mbetet një ose dy ditë e pashfrytëzuar e këtij afati, që në momentin kur Gjykata e publikon vendimin e plotë lidhur me pasojat juridike, ndër të tjera, atëherë deputetët t’i kenë së paku këto dy ditë që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën”, tha Osmani. Sipas saj, nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës bien dakord që ta konstituojnë Kuvendin para datës 26 korrik, atëherë ajo do ta tërheqë kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 21 korrik, për herë të 50-të, dështuan ta konstituonin Kuvendin, duke mos arritur të gjejnë konsensus mes tyre. Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhje dhe mori 48 mandate, këmbëngul me kandidaten e saj Albulena Haxhiu për kryetare Kuvendi, por ajo kundërshtohet ashpër nga partitë e deritashme opozitare, duke mos marrë numrin e mjaftueshëm të votave. Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse dhe nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryetarit të Kuvendit. Konstituimi i Kuvendit të Kosovës do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re./DW