Milan St. Protiç-Danas[i]
Drejt në sy
Cili është problemi më i madh i Serbisë? Cili është shkaku i gjendjes kaotike në vend? Përse këtu te ne mosdakordimet politike dhe dallimet në bindje shndërrohen në konflikte të hapura dhe të dhunshme?
Problemi kryesor, shkaku dhe arësyeja e një situate të till është sistemi poilitik ekzistues. Ky sistem politik, gjysmak dhe jo koherent, lejon, mundëson dhe i hap dyert keqpërdorimit të pushtetit. Vendimet e tij, institucionet dhe normativat janë të tilla ku shndërrimi i demokracisë së shpallur në autokraci faktike është diçka reale, zhvillim ngjarjesh i konstatuar dhe i parë shumë herë deri tani. Si nën Millosheviçin ashtu edhe sot.
Për hir të së vërtetës, as ajo periudha dymbëdhjetë vjeçare mes dy autokracive nuk është se ishte deri në fund e bazuar në respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve. Krahas kësaj, edhe mangësitë e Kushtetutës ekzistuese, e cila ishte në fakt Kushtetuta e rinovuar e Millosheviçit e vitit 1990, mbante në vetvete norma të cilat mund të keqpërdoreshin shumë lehtë. Sepse synimi i hartuesit të Kushtetutës të atij viti të largët nuk ishte ndryshimi total i sistemit politik nga autoritarizmi socialist në parlamentarizëm të vërtetë. Përkundrazi, synimi ishte që sistemi i vjetër në thelb të ruhej duke i mveshur një dekor demokratik në sipërfaqe. Kushtetuta e vitit 2006 e mori këtë ide duke lënë mjaft hapësirë për manipulime nga ana e pushtetmbajtësit. Me pushtetin aktual kjo tendencë e bë e hapur. Nuk ekziston asnjë autoritet institucional i cili do të mund të reagonte dhe pengonte përqëndrimin e pushtetit në duart e një njeriu dhe një partie.
Nuk ekziston sepse është parashikuar që të mos ekzistojë.
Përveç presidentit të gjitha levat e tjera të pushtetit janë shterpë dhe të pafuqishme nëse pas tyre nuk qëndron vetë ai, presidenti. Ndërsa fuqia e tij janë kombinimi i pushtetit formal me atë joformal. Kjo është traditë që këtu mbizotëron që në kohën e Titos, nëpërmjet të lartpërmendurit Millosheviç e deri te njeriu i parë i sotëm në Serbi. Një njeri- një parti dhe të gjithë organet shtetërore të nënështruara ndaj tyre dhe zgjatime të tyre. Demokracia në Serbi është thjesht një perde. Gjethe fiku për absolutizmin vetjak dhe partiak. Në Serbi çdo parti që arrin të marrë pushtetin, vende komanduese në sistemin politik, fillon t’i ngjasë partisë komuniste: pastërti ideologjike, bindje dhe nënshtrim i antarsisë, paprekshmëri e kryetarit, hierarki vertikale dhe horizontale dhe prani në të gjithë segmentet e pushtetit. Numuri i madh me qindra mijëra të antarëve të ndërlidhur dhe të ndërvarur. Tesera e partisë, e ashtuquajtura “kartë”, e cila vlen më shumë se çdo diplomë fakulteti, më shumë se çdo dije dhe çdo zanat. Krahas kësaj, natyrisht, vjen edhe militarizmi partiak, shpëlarja e truve të kombit, fabrikimi i një të vërtete te vetme, shpikja e armiqve “nga jashtë dhe nga brenda”, përhapja e ksenofobisë dhe teorive të komplotit, thirrje për patriotizëm dhe mbrojtje të shtetit.
Pra, sistemi politik përbën kuadrin. Mentaliteti popullor përbën truallin pjellor. Ne pra, si popull, jemi mësuar me një sistem të këtillë. Ne nuk njohim asnjë tjetër sistem. Ne nuk kemi jetuar asnjëherë në demokraci të vërtetë. Për ne autokracia është normalitet. Ne i drejtohemi këtij sunduesi të gjithëfuqishëm, monarku të pakurtorëzuar dhe më të dhunshëm se çdo mbret, atëherë kur na nevojitet diçka. Presim prej tij dhëmshuri dhe lajme të mira. Kemi frikë prej tij dhe i lëshojmë rrugë. Nuk përballemi me të, e përjetojmë si mbinjeri, i mveshim aftësi të pabesueshme në kufinjtë e gjenialitetit. “Biri më i madh i kombeve dhe kombësive tona. Të tillë nuk bën më nëna, kjo nuk ndodh më”, vetëm kaq sa për t’ia kujtuar lexuesit të ndershëm të brezit të ri. Serbët, një ideologji kolektiviste e zëvendësuan me një tjetër. Nacionalizmin komunist. Thelbi është ky: qytetari është i parëndësishëm, ai është ekskluzivisht në shërbim të qëllimit të përgjithshëm dhe idealit të lartë. Ai nuk ka të drejtë të ketë mendimin e tij, por është i detyruar të mendojë në përputhje me klasën e tij, domethënë me identitetin, etnicitetin dhe vetëdijen e tij. Aq sa komunizmi ishte një dogmë e thjeshtëzuar, triviale dhe antidemokratike, po aq është edhe ky nacionalizmi serb i shëmtuar, i shtrembëruar dhe i falsifikuar.
Për shumë gjenerata neve i kemi kaluar duke jetuar në kopé, tufë, koloni, apo çfarëdo shprehjeje tjetër, të pëlqen apo nuk të pëlqen, i dashur lexues i cilido brez. Por, kështu është. Dhjetëvjeçarë të tërë të kaluar në kolektivizmin trullosës, në grupimin ku nuk ka mundësi për afirmim të individualizmit, vetjakes, të ndryshmes. Prandaj për ne janë të huaja konceptet e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, liritë politike dhe barazia e njerëzve para ligjit. Të drejtat e njeriut dhe të drejtat e grave aq që po i përmend këtu.
Cila është më e vjetër, veza apo pula? Enigmë e vjetër dhe shumë e përdorur, e di këtë. Por në këtë rast nuk është bash me vend. Në të vërtetë enigma është nëse sistemi politik ka krijuar mentalitetin popullor apo mentaliteti popullor ka krijuar sistemin politik? Nuk do t’a marrim vesh derisa të çlirohemi. Nga bindjet e rrënjosura së brendshmi dhe zinxhirët e jashtëm. Derisa të jemi të aftë, shumica e madhe prej nesh, që secili një nga një për një mënyrë të menduari të arësyeshme dhe të bazuar. Derisa të pushojmë së enduri në shkretëtirat e pamasë të ideve të rrejshme. Mbi botën rreth nesh, mbi historinë, të tanishmen, vlerat, të mirën dhe të keqen, të dobishmen dhe normalen. Uzurpimi i pushtetit në Serbi është shfaqje normale. E pritshme dhe e njohur. E pranuar dhe e inkurajuar. Veti shkatërruese. Vërtetë shkatërruese.
Por, në anën tjetër ekziston dëshira e madhe e po këtij populli, domethënë e një pjese të tij, për liri dhe demokraci. Për kufizim dhe kontroll të pushtetit. Duke filluar nga revolta kundër autokracisë despotike të Millosheviçit, nëpërmjet lëvizjes së arësyes së lirë të Svetozar Markoviçit, deri te disidenca nën Titon, opozitarizmi nën Millosheviçin dhe revoltës studentore të ditëve të sotme. Kemi luftuar dhe luftojmë, në mënyrë që të dalim jashtë kolektivizmit, në mënyrë që të çlirohemi dhe të emancipohemi. Godasim me duart bosh kundër sunduesve dalë mendsh, u rekomandojmë rrugën dhe u kundërvihemi me kurajo të paparë. Jemi një popull rob i stereotipeve por në të njëjtën kohë edhe kundërshtojmë stereotipet. Thyhemi mes skajshmërive, lëkundemi nëpërmjet ecurisë historike, por nuk heqim dorë. Nga gjenerata në gjeneratë. Dikur na dukej sikur jemi pas zhytur në kolektivizëm dhe nuk kishim më shpëtim. Por atëherë, befas, si prej askundit, disa djem dhe vajza u revoltuan, u ngritën dhe e ftuan sistemin qeverisës në mejdan.
Deri tani, në periudha të gjata, ka fituar ajo e para, vetëdija servile e popullit. A thua ka ardhur momenti në të cilin, përfundimisht, fitoren ta ketë ideja e lirisë dhe e demokracisë? Më pas në radhë do të vinte edhe ndryshimi i sistemit politik. Dhe ndryshimi gradual i mentalitetit të atyre që janë të verbëruar dhe të magjepsur.
Do të desha që përgjigja ime, pa fije dyshimi dhe pa kurrfarë rezerve, të ishte absolutisht pohuese. Megjithatë….
[i] https://www.danas.rs/kolumna/milan-st-protic/demokratija-paravan-za-licni-i-partijski-apsolutizam/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA