Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria ka marrë dritën jeshile për implementimin e programit për rimëkëmbje ekonomike, kjo pas miratimit të vendimin për “tejkalim të rregullave fiskale”.
Hoti ka thënë se ai me ministrat e tij do të angazhohen në gjithë resorët shtetërorë për t’i futur mbi 1 miliard euro në ekonominë e Kosovës.
“Me miratimin e vendimit për “Tejkalim të rregullave fiskale” nga Kuvendi i Kosovës, ne si Qeveri sot kemi marrë dritën jeshile për implementimin e Programit për rimëkëmbje ekonomike. Gjatë viteve 2020 – ’21, me ministrat e kabinetit tim, do t’i angazhojmë të gjithë resorët shtetërorë për t’i futur mbi 1 miliard euro në ekonominë e Kosovës.
Hoti ka thënë se bashkë me kabinetin do të sigurohemi që ky program të jetë gjithëpërfshirës.
“Ashtu sikur shumica e vendeve të BE-së të prekura nga #COVID19, edhe ne e kemi ndjekur rregullin e rritjes së deficitit buxhetor, në mënyrë që të garantojmë qëndrueshmëri financiare. Bashkë me kabinetin do të sigurohemi që ky program ekonomik e social të jetë gjithëpërfshirës, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim”, ka thënë më tej.
Kurse, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i është drejtuar me një shkresë kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrave përkatës për të kërkuar që fondi i garancisë kreditore si pjesë e pakos së rimëkëmbjes ekonomike të jetë së paku 300 milionë euro, kjo pasi që sipas kësaj ode bizneset në këtë periudhë të vështirë në të cilën po kalojnë, kanë nevojë për mjete në mënyrë që të kenë mundësi për të operuar.
Kjo kërkese vjen si rrjedhojë e analizave që OAK thekson se ka bërë dhe takimet e shumta me bizneset që i përfaqësojnë.
“Si rezultat i kësaj ne kemi arritur në konkluzion se një fond nën shumën prej 300 milionë euro nuk do të ndihmonte bizneset mjafueshëm për gjendjen e rëndë në të cilën jemi. Si pasojë e mosgjenerimit të të hyrave dhe vonesat në ekzekutimin e pakos fiskale emergjente dhe miratimit të pakos së rimëkëmbjes, kanë shkaktuar që shumë biznese të ndodhen në vështirësi të rëndë financiare, andaj, garantimi i kredive nga ana e shtetit, me një grace periudhë së paku 2 vite dhe afat 10 vjeçarë të kthimit, do të ndihmonte ato që biznesi të ruajë stabilitetin, fleksibilitetin dhe rimëkembjen nga pasojat e pandemisë. Shpejtësia e zgjatjes së dorës së shtetit në këtë periudhë është e domosdoshme për rivitalizimin e ekonomisë dhe rikthimin në funksion të shumë bizneseve të cilat kanë qenë më të atakuara gjatë kësaj periudhe, thuhet në kërkesën e OAK-së”.
Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, ka treguar se deri në fund të muajit maj të hyrat totale kanë qenë për rreth 128 milionë më pak se sa që ishin planifikuar në buxhetin e vitit 2020, duke shënuar kështu rënie vjetore prej 14.5 për qind.
Sipas saj, deri në fund të vitit, të hyrat e rregullta të nënperformojnë rreth 230 milionë euro në raport me të hyrat e buxhetit 2020.
Tutje, ministrja e Financave gjatë seancës parlamentare tha se për shpenzime buxhetore që lidhen direkt me COVID-19 përgjatë vitit 2020 pritet të jenë 180 milionë euro.
Kuvendi i Kosovës me 59 vota për, 41 kundër ka kaluar propozimi i qeverisë për shqyrtimit e vendimit për ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit, si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm.