萧条—[xiāo tiáo]—Depresion
Të enjten hyri në fuqi versioni i ri i “tarifave reciproke” i qeverisë amerikane. Si rrjedhojë, 69 vende dhe rajone të botës iu nënshtruan tarifave nga 10% deri në 41%. Aktualisht përqindja mesatare e tarifave amerikane ka arritur në 18.3% duke shënuar rekordin më të lartë në gati 100 vitet e fundit. Kjo masë tregon përshkallëzimin e mëtejshëm të proteksionizmit tregtar të qeverisë amerikane.
Në prill të këtij viti, qeveria amerikane njoftoi se do të vendoste tarifa në përgjithësi prej 10% mbi të gjithë partnerët tregtarë, duke ushtruar presion mbi ekonomitë me deficitin e madh tregtar.
Pas shumë raunde bisedimesh, pala amerikane përcaktoi hyrjen në fuqi të tarifave më 7 gusht. Por, a ka përfituar vërtet SHBA-ja nga tarifat? Shumë analistë vunë në dukje se kundërmasat e disa ekonomive kanë shkaktuar pakësimin e eksporteve të sipërmarrjeve amerikane, thyerjen e zinxhirëve industrialë dhe furnizues, rritjen e çmimeve të mallrave, acarimin e inflacionit etj.
Profesori i Institutit të Ekonomisë të Universitetit Renmin të Kinës, Wang Xiaosong është i mendimit se nën këtë sfond, vendosja e tarifave reciproke nga qeveria amerikane ka për qëllim të detyrojë partnerët tregtarë të heqin dorë nga më shumë interesa. Njëkohësisht të bëjë përgatitje për zgjedhjet në mes të mandatit që do të zhvillohen më pas për të fituar më shumë vota.
Kanali i Financave Yahoo vuri në dukje se po përshpejtohet ndikimi negativ i politikave tarifore. Treguesit e kohëve të fundit tregojnë se ekonomia amerikane është në prag recesioni.
Në sektorin e prodhimit, në korrik, PMI (Indeksi i Menaxherëve të Blerjeve) amerikan ishte 48%, pra në rënie për të pestin muaj radhazi. Të mërkurën, portali i gazetës amerikane “The Wall Street Journal” komentoi se politikat tarifore po ushtrojnë presion mbi sektorin e prodhimit amerikan. Pothuajse të gjitha aktivitetet ekonomike të lidhuara me prodhimin janë tkurrur këtë vit.
Në aspektin e punësimit, sipas të dhënave të publikuara ditët e fundit nga Departamenti Amerikan i Punës, përqindja e papunësisë e SHBA-së në korrik arriti në 4.2%, indeksi i punësimit ishte vetëm 43.4 duke shënuar nivelin më të ulët në pesë vitet e fundit.
Edhe gjendja e inflacionit në SHBA nuk është optimiste. Në qershor, PCE (Indeksi i Çmimeve të Konsumit Personal), një nga treguesit matës për inflacionin, u rrit 2.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Universiteti i Jeilit raportoi se pas hyrjes në fuqi të tarifave reciproke, çmimet e mallrave amerikane do të rriten 1.8% brenda një kohe të shkurtër. Krahas këtyre, rreth gjysma e sipërmarrjeve amerikane po planifikojnë shkurtim të vendeve të punës ose mbylljen e fabrikave për shkak të presionit të kostos.
CEO i Kompanisë Apple, Tim Cook paralajmëroi se këtë tremujor Apple do të pësojë 1.1 miliardë dollarë humbje për shkak të tarifave.
Po të enjten, Kina publikoi të dhënat përkatëse ekonomike. Sipas tyre, në 7-mujorin e parë të vitit, tregtia e mallrave kineze vazhdoi të përmirësohet duke u rritur 3.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Import-eksporti në ASEAN, BE, Afrikë dhe Azinë Qendrore pati rritje. Kjo tregon se tarifat nuk mund të prekin interesat afatgjata, ndaj vetëm hapja dhe bashkëpunimi do të sjellin përfitime të përbashkëta.
Në vitet 30’ të shekullit të kaluar, SHBA vendosi tarifa mbi 20 mijë mallra të importuara globalë duke ndëmarrë kundërmasa tregtare ndaj vendeve të tjera. Si pasojë, tregtia globale ra mbi 60% brenda 5 viteve dhe vetë SHBA u fut në depresion ekonomik. Politikanët amerikanë duhet të nxjerrin mësime nga historia./cgtn