Fokus
Kur dëgjojmë fjalën Jalta, menjëherë na vjen ndër mend imazhi historik i tre liderëve të mëdhenj botërorë e vitit 1945, ku Roosevelt, Churchill dhe Stalin ndanin botën pas Luftës së Dytë Botërore. Ishte një moment vendimtar që vendosi fatet e shumë kombeve pa praninë e tyre në tryezën e negociatave. Ndër zërat që mungonin në atë kohë ishte edhe ai i Francës, dhe bashkë me të, interesi më i gjerë i Europës kontinentale.
Sot, kur Presidenti Trump përgatitet të takohet me Presidentin Vladimir Putin në Alaskë, rikthehen frikërat për një Jaltë të dytë, këtë herë pa përfaqësim europian dhe pa ndonjë aktor tjetër që të balancojë diskutimet. Takimi është planifikuar të ndodhë pa dëshmitarë, me një bisedë kokë më kokë midis dy liderëve. Deklaratat paraprake të Trump, që përmendin “shkëmbime tokash” në Ukrainë, kanë rritur ndjeshëm shqetësimin në kryeqytetet europiane.
Diplomacia e fshehtë dhe marrëveshjet dypalëshe mbi territore të tretë janë pikërisht ajo që George Kennan e paralajmëroi si rrezik – “rreziku më i madh është që ne të kthehemi në njësoj si ata me të cilët përballemi.” Takimet e mbyllura, si ai i mundshëm Trump–Putin, shkojnë në drejtim të kundërt me transparencën dhe legjitimitetin që kërkon një rend i drejtë ndërkombëtar.
Por a mund të quhet ky takim një Jaltë 2.0?
Mungesa e një rendi shumëpalësh
Në vitin 1945, tre superfuqi formësuan botën e pasluftës. Sot, nëse Trump dhe Putin tentojnë të riformatojnë rendin botëror përmes një takimi të mbyllur, mungon një element kyç: një aktor i tretë që përfaqëson fuqinë globale të së tashmes. As Europa dhe as Kina nuk janë përfshirë në këtë kornizë diskutimi megjithëse të dyja janë thelbësore për një rend të qëndrueshëm ndërkombëtar.
Europa mbetet në periferi të kësaj skene. Britania e Madhe është shtyrë gjithnjë e më shumë në periferi nga politika e jashtme e Trump. Ndersa Franca, pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara të Macron për të qenë pjesë e peizazhit global, nuk arrin të imponojë peshë të mjaftueshme. Gjermania, edhe pse sot një fuqi ekonomike e madhe dhe politikisht më e balancuar, mbetet jashtë loje në këtë konfigurim strategjik që Trump projekton. Europa, për Trump-in, nuk është një palë me të drejtë fjale në tavolinën globale, është më shumë një fushë loje shahu, gurët e secilës i leviz Trump. Madje në këtë rast Vladimir Putin.
Kina – aktori që mungon në tavolinë
Nëse dikur Kina u la jashtë tryezës së Jaltës pavarësisht kontributit të saj në luftën e Dytë Botërore, sot një përjashtim i saj është i pakuptimtë dhe i rrezikshëm. Kina e vitit 2025 nuk është thjesht një fuqi rajonale. Kina e sotme është një fuqi ekonomike globale, e pakontestueshme, dhe një aktor kyç në trajtimin e krizave ndërkombëtare. Ky është një realitet që nuk mund të anashkalohet nga asnjë aleancë e re apo e vjetër në arenën gjeopolitike.
Nuk mund të ketë riformësim të rendit botëror pa praninë e Kinës në tryezë. Politika e saj e jashtme e ndërtuar mbi parime si respekti për sovranitetin, bashkëjetesa paqësore dhe përfitimi i ndërsjellë nuk është vetëm retorikë; ajo pasqyron përvojën historike të një shteti që ka vuajtur ndërhyrjet e huaja dhe tani kërkon të ndikojë përmes platformave multilaterale. Iniciativat si “Një Brez, një Rrugë” (BRI), Iniciativa për Zhvillim Global dhe roli aktiv në BRICS dhe SCO janë dëshmi e kësaj qasjeje përfshirëse.
Takimi Trump–Putin, ashtu siç është parashikuar, nuk përfaqëson një Jaltë të re, por një rinegocim dypalësh i interesave ruso-amerikane – veçanërisht në raport me Ukrainën. Në këtë skenar, Ukraina nuk trajtohet si një realitet sovran, por si një pikë në hartë për të cilën negociohet në mungesë të saj.
Për më tepër, ky takim nuk jep sinjale për një rend të ri shumëpalësh apo për një angazhim të përbashkët për paqe dhe stabilitet. Pa një përfshirje të barabartë të Europës dhe pa Kinën në tavolinë, çdo përpjekje për të ndarë sferat e influencës përbën një rikthim në logjikën e shekullit XX – jo një hap përpara në ndërtimin e një bote të re.
Siç theksonte edhe Kissinger, “paqja nuk është e mundur pa fuqitë e mëdha, por nuk është e qëndrueshme nëse përjashton aspiratat e të tjerëve.” Një takim që përjashton Europën, Kinën dhe vetë Ukrainën nuk mund të ndërtojë stabilitet afatgjatë.
A po humbet Trump një mundësi historike?
Në vend të një takimi të mbyllur me prapavijë strategjike dhe synime të dyshimta, Trump mund të kishte marrë iniciativën për një konferencë globale, një “Yaltë e Alaskës” ku të gjitha fuqitë e mëdha të uleshin si të barabarta për të diskutuar sfidat e shekullit XXI: sigurinë, teknologjinë, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Një tryezë ku ulen SHBA, Rusia, Kina dhe një përfaqësim real i Europës do të ofronte jo vetëm legjitimitet, por edhe shpresë për një botë më të drejtë dhe më të sigurt. Pa këtë përmasë gjithëpërfshirëse, çdo takim rrezikon të mbetet një pingpong diplomatik, i shkëputur nga realitetet dhe nevojat e kohës.
Bota e sotme është më e ndërlidhur, më e ndërvarur dhe më shumëpalëshe. Fuqitë në zhvillim kërkojnë dinjitet, popujt kërkojnë paqe dhe bota ka nevojë për bashkëpunim, jo për ndarje të reja. Një rend i ri global nuk mund të ndërtohet mbi negociata të fshehta dhe marrëveshje të njëanshme, por mbi pjesëmarrje të barabartë dhe transparencë.
Nëse Trump aspiron të hyjë në histori si një arkitekt i rendit të ri botëror, ai duhet të shohë përtej logjikës së sferave të influencës dhe të ndërtojë një platformë gjithëpërfshirëse. Sepse pa Kinën, pa Europën dhe pa respekt për sovranitetin e kombeve të vogla, nuk ka Jaltë 2.0 – ka vetëm një përsëritje të gabimeve të së shkuarës.
© 2025 Argumentum