Në një letër të hapur drejtuar autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar, Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka kërkuar mbajtjen e një qëndrimi të qartë dhe të guximshëm për situatën e rëndë humanitare në Rripin e Gazës.
Duke e cilësuar atë që po ndodh si një nga momentet më të errëta të ndërgjegjes njerëzore dhe të rendit ndërkombëtar, AGSH thotë se në Gaza po ndodh një gjenocid i mirëorganizuar ndaj një popullsie civile të pambrojtur. Në letër theksohet se “fëmijët po vdesin të uritur, spitalet janë kthyer në varreza heshtjeje dhe gazetarët, të vetmit zë i së vërtetës, po vriten.”
Letra nuk është vetëm një thirrje politike, por një apel njerëzor, që sfidon institucionet shqiptare të mos qëndrojnë neutrale përballë kësaj tragjedie. “Të qëndrosh neutral përballë gjenocidit nuk është diplomaci. Është bashkëfajësi,” thuhet në reagimin e gazetarëve shqiptarë.
Sipas të dhënave të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ), që nga fillimi i luftës janë vrarë të paktën 187 gazetarë dhe punonjës të medias. AGSH ngre alarmin se zërat e paktë që guxojnë të raportojnë nga Gaza po heshten qëllimisht — përmes vrasjeve, izolimit dhe urisë.
Në këtë kontekst, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i bashkohet fushatës ndërkombëtare për të kërkuar nga institucionet shtetërore shqiptare që:
Të dënoni publikisht gjenocidin që po ndodh në Gaza.
Të bëjnë thirrje për ndalimin e vrasjeve të civilëve dhe mbrojtjen e gazetarëve.
Të kërkojnë lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare dhe aksesin e gazetarëve ndërkombëtarë në Gaza.
Të mbështesin një hetim ndërkombëtar për përdorimin e urisë si armë lufte dhe për shkeljet sistematike të së drejtës ndërkombëtare.
Të mos fshihen pas deklaratave të kujdesshme diplomatike, por të shprehen me guxim moral dhe politik.
Të qëndrosh neutral përballë gjenocidit nuk është diplomaci. Është bashkëfajësi. Është nënshtrim para krimit. Dhe është turp që historia nuk e fal.
AGSH i kujton udhëheqësve shqiptarë se Shqipëria, megjithëse vend i vogël, ka një zë që mund të dëgjohet kur guxon të flasë dhe një histori që njeh dhimbjen e krimeve të heshtura.
Lexoni letren e plotë:
/Argumentum.al