Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka komentuar për herë të parë aktakuzën e paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerëve. Vuçiç ka thënë se gjëja me e rëndësishme për Serbinë është të tregojë përmbajtje ndaj kësaj situate.
”Gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi të përmbajtur. Ne e dimë që kanë ndodhur krime të tmerrshme. Në çdo gjë tjetër, duhet të tregojmë përmbajtje, pasi kështu mbrojmë popullin serb në Kosovë nga çdo dhunë, incident dhe sulm”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar të mërkurën se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.