Australia do të njohë shtetin palestinez, tha të hënën kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, duke iu bashkuar sinjlaizimin e liderëve të Francës, Britanisë dhe Kanadasë.
Deklarata e tij erdhi pas shumë kërkesash nga brenda kabinetit të tij dhe nga opinioni në Australi për të njohur një shtet palestinez, si dhe pas kritikave në rritje nga zyrtarë të qeverisë së tij për vuajtjet në Gaza, të cilat Albanese të hënën i quajti një “katastrofë humanitare”, raporton AP.
Qeveria e Australisë gjithashtu ka kritikuar planet e shpallura ditët e fundit nga lideri izraelit Benjamin Netanyahu për një ofensivë të re të gjerë ushtarake në Gaza.
Albanese u tha gazetarëve pas një mbledhjeje të kabinetit të hënën se vendimi i Australisë për të njohur shtetin palestinez do të formalizohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator. Ai tha se kjo njohje ishte “e bazuar mbi angazhimet që Australia ka marrë nga Autoriteti Palestinez.”
Këto angazhime përfshinin mos-përfshirjen e Hamasit në një qeveri palestineze, çmilitarizimin e Gazës dhe mbajtjen e zgjedhjeve, tha ai.
“Një zgjidhje me dy shtete është shpresa më e madhe e njerëzimit për të thyer ciklin e dhunës në Lindjen e Mesme dhe për t’i dhënë fund konfliktit, vuajtjeve dhe urisë në Gaza,” tha Albanese.