Shqipëria po përballet me një emergjencë të rënduar zjarresh, me 30 vatra aktive në mbarë vendin dhe komunitete nën kërcënim të madh.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë theksoi sot se, “BE qëndron në solidaritet me zjarrfikësit shqiptarë trima që po luftojnë flakët anembanë vendit, si dhe me familjet që kanë parë shtëpitë dhe jetesën e tyre të shkatërrohen”.
“Nëpërmjet Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, solidariteti evropian është në terren: avionë dhe helikopterë zjarrfikës nga Kroacia, Suedia, Italia, Greqia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia kanë luftuar krah për krah me ekipet shqiptare”, theksoi Delegacioni i BE në një postim në rrjetet sociale.
Delegacioni i BE u bën thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të shmangin çdo veprimtari që mund të rrezikojë ndezjen e zjarreve të reja.