Zheljko Panteliç[i]
Nuk do të ketë luftë totale apo frontale mes Indisë dhe Pakistanit. Faktori pengues bërthamor, kur është i njëjtë, si në rastin indiano-pakistanez, gjithsesi funksionon. Megjithatë, Kashmiri edhe për një kohë të gjatë do të mbetet parajsa natyrore për njerëzit, ose më mirë të themi fanatikët fetarë, integralistët dhe nacionalistët, që t’a shndërrojnë atë në ferr, ndërsa politikanët në instrument të dobishëm për të fituar vota në zgjedhje.
India, në sajë të dinastisë politike Nehru-Gandi arriti për dhjetëvjeçarë me radhë ta anashkalojë kurthin e integralizmit fetar dhe atë të nacionalizmit në të cilin Pakistani ra pothuajse menjëherë me shpalljen e pavarësisë në vitin 1947. Megjithatë, me ardhjen në pushtet të populistit dhe nacionalitit Narendra Modi, India fitoi një udhëheqje politike e cila është pasqyrë e përkryer e rregjimit ushtarak pakistanez.
Rezultati i pushtetit nacionalisto-populist të Modit dhe Delhit dhe forcimi i shtypjes brutale në Kashmir është nxitje e gjeneratave të reja kundër pushtetit qendror dhe hapjen e dyerve për organizatat terroriste që financon Islamabadi. Për herë të parë ndodhi që në Kashmir, terroristët lokalë janë më të shumtë në numur sesa ata “të eksportuar” nga Pakistani. Modi ka filluar ta ndjejë aromën e fitores në zgjedhjet në Indi që mbahen në mjuajin prill dhe maj. Trajnimi i patriotizmit në deklaratat para qytetarëve ka qënë gjithmonë sport në të cilin kanë përparësi nacionalistët, sidomos kur ekziston armiku tradicional.
Pakistani dhe Indija që nga shpallja e pavarësisë para 78 vitesh, kanë luftuar katër herë. Megjithatë, urrejtja që ekziston mes hinduistëve dhe muslimanëve ka rrënjë shumë më të thella, ndërsa qeverisja treshekullore koloniale e britanikëve praktikisht e ka çimentuar armiqësinë mes tyre duke keqpërdorur të gjitha dallimet e mundshme: që nga ato etnike deri te ato gjuhësore. Rezultatet shihen në eksponatet e muzeut në Nju Delhi, Islamabad dhe Lahore të cilët dëshmojnë për krimet dhe egërsitë e njërës palë ndërsa heshtin për ato vetjaket.
Pakkush në Indinë dhe Pakistanin e sotëm, për të mos folur për pjesën tjetër të botës, ka dëgjuar për betejat në Samagura dhe në Deoraja në vitet 1658 dhe 1659. Beteja në të cilat është shembur ideja për islamin e ndritshëm, të gëzueshëm dhe tolerant që predikonte Dara Shukoh, djali më i madh i shahut Xhahan i njohur për atë se ndërtoi Taxha Mahallin në kujtim të gruas të tij të dashur Mumtaz Mahall. Në fushën e luftës doli fitimtar Aurangazeb, djali i vogël i Xhahanit, flamurtar i islamit të errët, brutal dhe reaksionar. Kush ka patur rastin të lexojë veprën kapitale të Dara Shukohut “Lidhja e dy oqeaneve”, e kupton se islami dhe nënkontinenti indian nuk patën fatin që djali i madh Xhahanit të mos bëhej moguli i madh i Indisë, por në fron të ulej vëllai i tij Aurangazebi. Shukohu ishta individ i mësuar, i arsimuar, i lexuar, dashamirës i arteve, i hapur ndaj arritjeve shkencore: ishte trashëgimtari ideal për babain dhe gjyshin e tij që propagandonin dhe realizonin politikën e bashkëjetesës paqesore mes muslimanëve dhe hinduve. Titulli i veprës “Lidhja e dy oqeaneve” është aluzion për lidhjen mes islamit dhe hinduzimit të cilët janë të përbërë, secili, nga një numur i madh “detesh”.
Shukohu ishte i gatshëm të bënte një hap më tej në drejtim të reformimit të Mbretërisë mogule dhe pacifikimin mes muslimanëve dhe hinduve që kishte nisur gjyshi i tij Ahbari dhe e ati Xhahani. Ahbari eleminoi haraçin, ose taksën xhezá, që paguanin ata që nuk ishin të besimit musliman, ndërsa Shukohu deshte të barazonte statusin e tempujve muslmanë dhe hindu, të eleminonte të gjitha format e diskriminimit me bazë fetare, të mundësonte hyrjen e hinduve në aparatin shtetëror përfshirë edhe në oborrin mbretëror.
Uzurpatori i fronit Aurangazeb i përkiste llojit më të keq të tiranëve: asket, i kufizuar, i keq dhe fanatik në përndezjen e tij fetare. Indinë e atëhershme e ktheu mbrapa një shekull e gjysëm, në kohën e ardhjes së dinastisë së mogulëve baburra. Vendosi përsëri pagesën e haraçit, format më të ashpra të sheriatit, asgjësoi tempujt hindù, shkatërroi statujat e Budës dhe nxorri vendime që ndalonin muzikën, këngët, vallet. Mbretërimin e terrorit të egër mbretëria mugule vërtetë e pagoi me zhdukjen e saj sapo ai vdiq, por urrejtjen që ajo mbolli Aurangazebi po e korrin sot muslimanët dhe hindutë në Indi dhe në Pakistan.
Perandoria mogule ishte kaq e gërryer nga qeverisja despotike e Aurangazebit saqë ra pjesë pjesë nën kontrollin e pushtetit kolonial britanik. India edhe para 300 viteve ishte një prej zonave më të banuara të planetit. Anglezët mund mund të qeverisnin nëpërmjet përdorimit të forcës sepse thjesht nuk kishin majftueshëm ushtarë që të ishin në gjendje të shuanin kryengritjet eventuale. Për këtë shfrytëzuar truallin e begatë që u kishte lënë Aurangazebi dhe zbatuan politikën “përça e sundo”. Anglezët qeverisën me lehtësi dhe mbështetën të gjitha llojet e ndasive, nga ato fetare deri te ato sipas kastave, zgjdhnin ushtarët nga zonat dhe fiset më luftarake, duke favorizuar pakicën muslimane. Gjatë shekullit 19 anglezët luajtën edhe rol të madh në ndarjen gjuhësore të muslimanëve dhe hinduve duke sponsorizuar përdorimin e germave persiane ndër muslimanët dhe germat abugida te hindutë.
Shfrytëzimi i paskrupullt i pasurive natyrore të Indisë, mbeledhja e taksave dhe rekrutimi i ushtarëve për ushtrinë perandorake ishin qëllimet kryesore të kurorës britanike. Zhvillimi i Indisë në sytë e Londrës ishte kontraproduktiv sepse krijonte konkurencë për industrinë britanike. Për qeverinë koloniale britanike muslimanët në Indi ishin “idiotë të dobishëm” për mbajtjen nën kontroll të shumicës hindù. Zotëruesit e mëdhenj të tokave, tregtarët, njerëzit e pasur, fisnikëria lokale në një masë të madhe ishin muslimanë dhe me këtë edhe aleat natyror i qeverisjes koloniale në raport me popullsinë shumicë hindù. Në ushtri dhe në polici gjithashtu ishin të privilegjuar dhe të përfaqësuar në përpjestim të zhdrejtë në zinxhrin komandues në krahasim me numurin e muslimanëve në Indinë e atëhershme. Nga ana tjetër, hindutë ishin dominues në aparatin burokratik. Pas ndarjes në vitin 1947 ,thuhej se Pakistani mori gjeneralët dhe ushtrinë, ndërsa indianët burokracinë si trashëgimi e qeverisë koloniale.
Britanikët, që me themelimin e Ligës muslimane, nxitnin dallimet e tyre me Kongresin kombëtar indian. Kështu erdhi një situatë në të cilën hindutë dhe muslimanët binin dakord vetëm për dëshirën që t’u shihnin shpinën sa më parë britanikëve. Lideri i muslimanëve Muhamed Ali Xhina që para Luftës së Dytë Botërore mori vendimin mbi formimin e vendit “të të pastërtve”, ose më mirë të themi të Pakistanit, megjithëse në 20 vitet e para të veprimtarisë së tij politike nuk mbështeste idenë e ndarjes. Al Xhina fitoi mbështetjen e Londrës për krijimin e Pakistanit me kushtin që muslimanët e Indisë të ishin besnikë të kurorës britanike deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Në anën tjetër, vetëm Gandi, ndër liderët e shumicës hindù, ishte sinqerisht për Indinë unike, shtetin e përbashkët të hinduve, muslimanëve, sikëve dhe të gjithë besimeve të tjera fetare. Prova gjenerale e asaj që do të ndodhte në vitin 1947, u luajt një vit më parë në Kalkutë. Lideri i Ligës muslimane Ali Xhina i frustruar nga zgjatja e bisedimeve mbi largimin e Britanisë së Madhe dhe ndarjen e Indisë u bëri thirrje të gjithë muslimanëve për të mbajtur protestë njëditore me 16 gusht të vitit 1946. Në qytetin e Nënë Terezës, në Kalkuta, shpërthyen konfliktet ndërfetare që morën mbi 4.000 jetë njerëzish dhe u përhapën në të gjithë nënkontinentin. Qëllimi ishte i qartë: të tregohej se shteti i përbashkët nuk ishte i mundur.
Mahatma Gandi u përpoq të luante kartën e fundit në stilin anglez: t’i ofronte Ali Xhinis të ishte kryeministër i Indisë unike. Lideri karizmatik i rezistencës indiane pa dhunë ndaj britanikëve u përplas me pengesën e pakapërcyeshme në Kongresin e tij kombëtar indian. Asnjëri, duke filluar që nga trashëgimtari i tij Nehru, nuk e mbështeti propozimin e tij, për hir të së vërtetës as vetë Nehruja nuk donte një marrëveshje me Ali Xhinën. I vetëdijshëm për atë që po përgatitej, Gandi i zhgënjyer refuzoi të merrte pjesë në festimet e përfundimit të mbretërimit treshekullor të Londrës dhe lindjes së Indisë së re.
Menjëherë, pothuajse të gjithë hindutë u dëbuan nga Pakistani i sotëm, ndërsa muslimanët në Indi praktikisht mbetën pa udhëheqje, meqënëse komplet elita politike, intelektuale, ushtarake, shoqërore, shkencore u zhvendos për të jetuar në Pakistan, në “vendin e të pastërtve”. Mbetën vetëm të varfërit, analfabetët dhe ata që buk kishin mundësi të largoheshin.
Një nga konfliktet më të përgjakshme që mban mend njerzimi e kishte epiqendrën e tij në Panxhab. Bëhet fjalë për zemrën e Indisë, djepin e shteteve indiane, në të cilin kishin jetuar për shekuj me radhë krahas njëri tjetrit muslimanët, hindutë dhe Sikët. Vetëm në Panxhab u vranë 200.000 njerëz, ndërsa në spastrimin etnik njëvjeçar u vranë nga njëra palë dhe tjetra më shumë se një milionë veta. Më shumë 15 milionë njerëz u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre në mënyrë që të shkonin në anën e “drejtë” të kufirit.
Gandi, i trishtuar dhe i zhgënjyer, mblodhi forcat e fundit të tij për të penguar këtë luftë vëllavrasëse që po zhvillohej në sytë e tij. Para syve të tij u zhduk ideja mbi Indinë si ambasadore e pacifizmit në botë. Me angazhimin dhe kërcënimin e tij se do të hynte në grevë urie arriti të pengojë banorët e Delhit që të nisnin një luftë fetare-civile. Pak kohë më pas u vra nga një fundamentalist hindu. Në mënyrë poaradoksale atë që nuk arriti ta bënte sa ishte gjallë, e arriti me vdekjen e tij. Vdekja e Gandit veproi si qetësues për shpirtërat e përndezur në Indi dhe daullet e luftës heshtën.
Indija dhe Pakistani u nisën në dy rrugë të ndryshme. Pakistani pati fatkeqësinë se Ali Xhina vdiq një vit pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të formuar nga ai. Ai nuk ishte i mëkuar me fundamentalizëm islamik, atij nuk i interesonte mbrojtja e islamit, por e njerëzve. Për këtë, në fjalimin e tij me rastin e shpalljes së pavarësisë, foli për Pakistanin si shtet laik në të cilin kishte vend për të gjithë. Fakti që Paksitani u bë republikë islamike, shtet të cilin e robëruan integralistët islamikë, gjeneralët e korruptuar, shërbimi informativ devijant në të cilin nuk dihet se ku shtrihet shteti dhe deri ku arrijnë metastazat e kriminelëve dhe fundamentalistëve, gjithsesi nuk është faji i Ali Xhinës.
India e kaloi më mirë në llotarinë historike në sajë të Nehrusë. Kryeministri i parë indian gjatë 17 viteve arriti t’a vendosë Indinë në shinat e shtetit laik dhe modern. Nëse është e saktë se nuk deshi të ndante një shtet të përbashkët me Pakistanin, po ashtu është e saktë edhe ajo se Nehruja nuk e formësoi Indinë vetëm sipas masës së hinduve si shteti të të cilin nuk do të kishte vend për muslimanët dhe të tjerët.
Vezët e qyqes që britanikët u imponuan indianëve ishte vija e kufirit mes Pakistanit dhe Indisë. Zëvendës mbreti, Lordi Mauntbeten luajti rolin e ndërmjetësit gjoja neutral në bisedimet mes Nehrusë dhe Ali Xhinës. Gjithçka ishte e sajuar në këtë lojë, përfshirë edhe kufirin që e vizatoi kolonel Siril Redklifi dhe planin e ndarjes në të cilin qëndronte nënshkrimi e Mauntbetenit. Redklifi nuk kishte asnjë eksperiencë me Indinë, me rajonet e saj, ndasitë fetare, madje as nuk ishte kushedi së çfarë i orientuar në politikën ndërkombëtare. Krahas së ashtuquajturës linja e Redklifit, e cila e ndante koloninë e dikurshme britanike në Indi dhe Pakistan, u përdor edhe i ashtuqujturi Instrument i përbashkimit. Bëhet fjalë për mekanzimin i cili u mundëson udhëheqësve lokalë të përcaktojnë se në cilën anë të kufirit duan të jenë.
Në këtë rast hyn në lojë Kashmiri dhe anomalija e tij. Sipas rregullit, në Indi, qeverisësit lokalë ishin muslimanët, ndërsa popullsinë e përbënin me shumicë hindutë. Kashmiri kishte një situatë të anbasjelltë: shumica e popullsisë ishte (edhe sot vazhdon të jetë) muslimane, por qeverisësi ishte hindù. Besohet se Nehruja kishte dijeni për planin britanik, meqënëse kishte marrëdhënie të afërta me Ledi Edvinën, bashkëshorten e zëvendës mbretit por edhe me vetë Lodrin Mauntbeten. Për më shumë, disa historianë mendojnë se bëhej fjalë për “lojë treshe” (menazh a trua), duke patur parasysh eksperiencën e Nehrusë në ditët e tij universitare në Britaninë e Madhe, reputacionin e Mauntbetenit dhe prirjen e ledi Edvinës për meshkujt “ekzotikë”. Kashmiri ishte i rëndësishëm për Nehrunë për tri arësye. E para strategjike, e dyta për shkak të rrjedhave ujore që kalojnë nëpër këtë rajon dhe e treta ishte e natyrës sentimentale: familja e Nehrusë nga ana e babait ishte me prejardhje nga Kashmir.
Gjithsesi, trupat indiane ishin të gatshme të hynin në Kashmir në të njëjtën sekondë me nënshkrimin e Instrumentit të përbashkimit me Indinë nga ana e maharazhait kashmiras. Në sajë të fuqisë numerike hindutë arritën fitoren në luftës e Parë indiano-pakistaneze, duke marrë dy të tretat e Kashmirit. Në anën indiane u krijuan territoret e Xhamas dhe Kashmirit, ndërsa në atë pakistaneze Gilgit Baltistani.
Kashmiri ishte teatër i luftës së Dytë indiano-pakistaneze në vitin 1965. Ushtria pakistaneze u përpoq të kryente një desantim me tanke me ndihmën e popullksisë muslimane. Kjo shkaktoi betejën më të madhe me tanke pas Luftës së Dytë Botërore, ku India doli fituese, ndërsa ndërprerja e luftimeve u arrit me ndërmjetësimin e OKB-së.
Lufta e Tretë indiano-pakistaneze e vitit 1971 anashkaloi Kashmirin meqënëse u zhvillua në kufinjtë lindorë të Indisë dhe rezultoi me ndarjen e Bangladeshit nga Pakistani. Në mbyllje të shekullit 20 kemi episodin e katërt të luftimeve indiano-pakistaneze. Më e saktë do të ishte – njëfarë incidenti disi më serioz, meqënëse India u përgjigj në mënyrë energjike ndaj pushtimit të disa vendeve të veçanta në malet Kargila dhe Kashmir.
Në thelb, pas humbjes në vitin 1965, Pakistani e ndryshoi taktikën në luftën për Kashmirin. Pasiqë në Islamabad e kuptuan se në realitet nuk kanë kurrfarë shansesh për një luftë frontale me Indinë – Delhi investon çdo vit afro 60 miljardë dollarë armatime, Pakistani mezi 10 miljardë, India në 30 vitet e fundit është një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë, ndërsa Pakistani është në krizë permanante borzhesh, India arriti 1.350.000.000 banorë, ndërsa Pakistani ka 210.000.000 – kësisoj kaluan në forma jokonvencionale lufte, domethënë përdorimin e terrorizmit dhe guerriljeve urbane. I vetmi segment në të cilin Pakistani mund të barazohet me Indinë është numuri i mbushjeve bërthamore, meqënëse vlerësohet se që të dy vendet kanë nga 80 syresh në dispozicion.
Duke filluar nga vitet shtatëdhjetë Islamabadi intensifikoi financimin e trajnimit mbështetjes logjistike të lëvizjeve muslimane separatisto-terroriste në Kashmir. Këtyre lëvizjeve Delhi i’u përgjigj me represion total. Çmimi: afro 40.000 njerëz kanë humbur jetën në tre dhjetëvjeçarët e fundit. Grupet më të njohura terroriste Xhais-e-Muhamed (ushtria e Muhametit) dhe Lashkar-e- Taiba (Ushtria e të drejtëve) janë krijuar në të njëjtën guzhinë që ka krijuar talebanët në Afganistan dhe një sërë organizatash të tjera terroriste në botë. Ushtria e Muhametit dhe Ushtria e të drejtëve janë përgjegjëse për një sërë aksionesh terroriste, përfshirë edhe atë më të përgjakshimin në Mumbaj në vitin 2008, ku humbën jetën 11 njerëz dhe ai i fundit me 14 shkurt të këtij viti ku u vranë më shumë se 40 njerëz.
Që në fillim Pakistani luajti një lojë të dyfishtë dhe, herë herë edhe të trefishtë. Meqënëse nuk ka pasuri natyrore, Pakistani gjatë gjithë kohës shfrytëzon pozitën e tij gjeopolitike. Gjatë Luftës së Ftohtë, Pakistani gëzonte mbështetjen politike dhe ekonomike të ShBA-ve meqënëse Uashingtoni shihte në mënyrë kritike Indinë e Nehrusë dhe sipmatitë e tij “socialiste”. Invazioni i BRSS-së në Afganistan i bëri gjeneralët pakistanezë akoma më kyç për Pentagonin, po ashtu edhe revolucioni islamik në Iran. Kur u zhduk lugati i komunzimit nga BRSS-ja, doli në dritë terrorizmi islamik gjë për të cilin, në një shkallë të lartë, kontrubuoi edhe shërbimi sekret pakistanez.
Pas durimit dhe gënjeshtrave gjysëm shekullore, Uashingtoni e kuptoi më në fund se në Islamabad nuk ekziston asnjë gjeneral, asnjë politikan dhe asnjë pjestar i shërbimeve sekrete të cilit mund t’i besohej. Gjithsesi, ShBA-të nuk kishin si të hiqnin dorë plotësisht nga Paksitani, por filluan pak nga pak t’ë lënë hapësirë të lirë në të cilën fluturuan Kina dhe Arabia Saudite.
Si edhe më parë, amerikanëve u nevojitet Pakistani në funksion të luftës kundër përhapjes së komunizmit dhe mbajtjes në vëzhgim të Indisë, ndërsa Pakistani është me rëndësi sot për kinezët për realizimin e planit mastodonik të Rrugës së re të mëndafshit dhe ai aleat natyror kundër rivalit të tyre Indisë. Kina mbron Pakistanin në KS të OKB-së, përshembull, Pekini bllokoi në Ist River vënien në listën e terroristëve të pakistanezit Masud Azhar, lider i organizatës terroriste Ushtria e Muhametit. Gjithashtu te Arabia Saudite Pakistani ka sponsor dhe aleat sepse Rijadi është në konflitk të egër me Iranin, ose mbajtjen e Teheranit mes dy zjarresh.
Me fjalë të tjera, pa pozitën e tij gjeostrategjike dhe Afganistanin jostabël, Pakistani do të ishte sot një shtet i lënë pas dore, i mbytur deri në grykë me borxhe, dhe i braktisur në mëshirë të fqinjëve të tij të fuqishëm: kinezëve dhe indianëve. Mjafton që kinezët të ndalojnë rrymat e parave ndërsa indianët ato të ujrave – lumi Ind dhe degëzimet e tij, kalojnë pikërisht nëpër Kashmir, para se të hyjnë në Pakistan – dhe atëherë do të mund të bëhet realitet vërejtja nën zë e disa politikanëve indianë, gjatë bisedimeve për ndarjen në vitin 1947, se muslimanët, heret apo vonë, do të luten të rikthehen në përqafimin e Indisë.
[i] https://velikeprice.com/svet/kasmir-rat-indija-pakistan-nuklearke/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA