Nga Eljanos Kasaj
Varshavë(Warszawa), Poloni- Në orën 3:44 të mëngjesit të ditës së sotme, Ushtria Polake(Wojsko Polskie ) njoftoi se një operacion ushtarak ishte duke u zhvilluar dhe u bëri thirrje banorëve të provincave lindore të qëndronin brenda shtëpive. Njëkohësisht Forcat Ajrore të NATO-së të dislokuara në territorin polak ngritën avionët në ajër në përgjigje të situatës së jashtëzakonshme.
Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura të Polonisë raportoi se më shumë se një duzinë objektesh(të identifikuara si “dronë”) kishin hyrë në hapësirën ajrore polake, 19 prej të cilave u rrëzuan prej Forcave Ajrore Polake dhe sistemeve anti-dron/raketore të NATO-së. Njëkohësisht u lëshua një alarm për ushtarët e Forcës së Mbrojtjes Territoriale dhe afati për raportimin në njësitë ushtarake u shkurtua.
Ndërkohë që Aeroporti Chopin në Varshavë(Lotnisko Chopina w Warszawie), më i madhi në vend, mbylli hapësirën e tij ajrore për disa orë dhe lajmëroi se do të kishte ndërprerje dhe vonesa gjatë gjithë ditës.
Rreth orës 7:40 të mëngjesit, komanda ushtarake njoftoi fundin e aktiviteteve operative. Ajo gjithashtu u bëri thirrje banorëve të mos i afroheshin mbetjeve të droneve të rrëzuara.
Deri më tani,është raportuar se janë gjetur shtatë dronë, përfshirë në Czosnówka pranë Biała Podlaska, Mniszków pranë Opoczno (Vojvodeship Łódź), Wyryki në rajonin e Lublinit (njëri dëmtoi çatinë e një ndërtese banimi) dhe Cześniki pranë Zamość.
Në mëngjes, Kryeministri Donald Tusk thirri një mbledhje të jashtëzakonshme qeveritare. Ai tha: “Testi i parë është kaluar. Procedurat dhe planet për incidente të tilla janë zbatuar. Nuk ka arsye për panik.” Më vonë, në Sejm, ai raportoi se shkeljet kishin vazhduar gjatë gjithë natës. “Ne kemi regjistruar dhe zbuluar 19 shkelje, por këto nuk janë shifra përfundimtare,” tha ai.
Pas orës 7:30 të mëngjesit, operacionet e fluturimit në Aeroportin Chopin rifilluan. Pasagjerët kanë qenë në gjendje të hyjnë në zonën e terminalit pa asnjë pengesë për momentin. Aeroportet në Rzeszów, Warszawa-Modlin dhe Lublin janë rihapur gjithashtu.
Ndërkaq Presidenti i Polonisë Karol Nawrocki ka njoftuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare(Rada Bezpieczeństwa Narodowego), i cili është një organ këshillimor për presidentin i përbërë nga kryeministri, ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm, si dhe shefi i shtabit të forcave të armatosura, ndër zyrtarë të tjerë të lartë. Ndër rolet e tij është këshillimi mbi kërcënimet e sigurisë dhe situatat e emergjencës.
Njoftimi i Presidentit Nawrocki se këshilli do të mblidhet pasoi lajmin se Varshava synon të përdorë Nenin 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili është një dispozitë brenda Traktatit të Atlantikut të Veriut që urdhëron konsultime midis vendeve anëtare kur ndonjëra prej tyre beson se integriteti i saj territorial, pavarësia politike ose siguria e saj është e kërcënuar.
Në të njëjtën kohë me Poloninë, Bjellorusia ka konfirmuar se ka rrëzuar disa dronë që kanë dalë nga kursi gjatë sulmeve të natës midis Rusisë dhe Ukrainës. Forcat e Mbrojtjes Ajrore Bjelloruse i kanë ndjekur dronët e humbur, duke neutralizuar disa mbi territorin bjellorus. Autoritetet gjithashtu kanë ndarë informacion në kohë reale me Poloninë dhe Lituaninë, duke u lejuar forcave të tyre të reagojnë shpejt.
Gjeneral Major Pavel Mikallajeviç Muravejka(Павел Мікалаевіч Муравейка), Zëvendësministër i Mbrojtjes së Bjellorusisë dhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm, theksoi se një koordinim i tillë forcon sigurinë rajonale dhe ndërton besim midis vendeve fqinje.
Pala polake informoi gjithashtu njësitë bjelloruse të shërbimit luftarak rreth afrimit të mjeteve ajrore të paidentifikuara nga territori i Ukrainës në kufirin e Republikës së Bjellorusisë. “Ndarja e informacionit rreth situatës ajrore është një komponent i rëndësishëm në përpjekjet që synojnë të sigurojnë sigurinë në rajon në tërësi dhe ndihmon në krijimin e besimit dhe forcimin e sigurisë. Republika e Bjellorusisë do të vazhdojë të respektojë angazhimet e saj duke ndarë informacion rreth situatës ajrore me Republikën e Polonisë dhe shtetet baltike”, theksoi zoti Muravejka.
Ndërkaq, NATO oficialisht nuk po e trajton inkursionin me dronë në territorin polak si një sulm, tha një burim i NATO-s për median amerikane Reuters të mërkurën, duke shtuar se indikacionet fillestare sugjeronin një inkursion të qëllimshëm të gjashtë deri në dhjetë dronëve rusë dhe duke e komplikiar edhe më shumë situatën.
/Argumentum.al