Kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, zhvilloi të enjten një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, ku diskutuan për luftën në Ukrainë dhe mosmarrëveshjet tregtare mes dy vendeve. Merz e cilësoi SHBA-në si partner “të domosdoshëm” të Berlinit dhe theksoi nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy aleatëve.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë telefonatës së tyre të parë kanë theksuar nevojën për të forcuar bashkëpunimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Zëdhënësi i sapo emëruar i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius njoftoi se dy liderët ranë dakord për rëndësinë e “bashkëpunimit të ngushtë me qëllim përfundimin e luftës në Ukrainë”.
Kornelius tha se kancelari Merz gjithashtu mbështeti thirrjen e presidentit Trump që lufta Rusi-Ukrainë të përfundojë shpejt. “Rusia tani duhet të bie dakord për armëpushim për të krijuar hapësirë për negociata”, tha Kornelius, duke kërkuar nga Kremlini të ndërmarrë hapa të menjëhershme.
Trump u zotua për mbështetje “të fuqishme” ndaj përpjekjeve gjermane, së bashku me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Poloninë dhe partnerë të tjerë evropianë, për të kërkuar paqe të qëndrueshme në rajon.
Të dy liderët gjithashtu ranë dakord të vazhdojnë shkëmbimet e rregullta dhe të planifikojnë vizita reciproke në SHBA dhe Gjermani.
Merz, lideri konservator i cili të martën mori detyrën si kancelar i 10-të i Gjermanisë, të mërkurën në Paris shprehu mbështetje të plotë për iniciativën e armëpushimit të Trumpit gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin francez, Emmanuel Macron.
“Më lejoni të jem shumë i qartë, presidenti Trump ka mbështetjen tonë të plotë për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të ndaluar vrasjet në Ukrainë”, tha Merz.
“Ne do të punojmë ngushtë me SHBA-në, Ukrainën dhe partnerët tanë evropianë për një paqe të drejtë, të përhershme dhe të qëndrueshme. Sapo të arrihet një armëpushim, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në monitorimin e tij nën udhëheqjen dhe pjesëmarrjen e SHBA-së”, shtoi ai.
Kancelari i sapo zgjedhur gjerman gjithashtu njoftoi plane për të vizituar Kievin në javët e ardhshme për të riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën.
I pyetur për garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën, Merz tha se është shumë herët për të diskutuar detaje specifike. “Derisa të ketë armëpushim të përhershëm dhe marrëveshje të paqes me Rusinë, ne nuk mund të japim asnjë informacion në lidhje me shkallën e garancive të sigurisë që mund t’i ofrojmë Ukrainës, sepse thjesht nuk i dimë kushtet”, u tha ai gazetarëve.
Merz theksoi se nga pikëpamje e tyre, mbetet e rëndësishme që “SHBA-ja të mbetet e përfshirë në këtë proces” dhe gjithashtu në një kornizë të mëvonshme të garancive të sigurisë për Ukrainën.
“Mbi të gjitha, kjo luftë duhet të përfundojë përgjithmonë dhe jo siç po propozohet aktualisht, thjesht të ndalet për disa ditë”, tha Merz duke iu referuar armëpushimit 3-ditor të shpallur nga presidenti rus, Vladimir Putin, nga mëngjesi i 8 majit deri më 11 maj.