Këshilli i Shtetit i Kinës miratoi të mërkurën ndërtimin e zonës së mbrojtur natyrore kombëtare në ishullin Huangyan. Kjo është një masë tjetër e rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit ekologjik në hapësirën detare rreth ishullit Huangyan, pas publikimit në korrikun e vjetshëm të “Raportit mbi hetimin dhe vlerësimin e gjendjes së mjedisit ekologjik në hapësirën detare rreth ishullit Huangyan”. Por Ministria e Punëve të Jashtme e Filipineve paraqiti “protestë kategorike” për këtë. Në përgjigjen e saj, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës vuri në dukje solemnisht se ishulli Huangyan është një pjesë e qenësishme territoriale e Kinës dhe pala kineze nuk i pranon akuzat e pabaza dhe të ashtuquajturën “protestë”. Në një koment të Grupit Mediatik të Kinës (CMG) vihet në dukje se Filipinet e kanë lakmuar për një kohë të gjatë ishullin Huangyan dhe e ashtuquajtura “protestë” vërteton ligjshmërinë dhe arsyeshmërinë e masave mbrojtëse të Kinës,duke mishëruar përgjegjësinë e palës kineze për shndërrimin e Detit të Kinës Jugore në një det të paqes, miqësisë dhe bashkëpunimit.
Shkëmbinj koralorë në ishullin Huangyan / VCG
Ishulli Huangyan, që ndodhet në qytetin Sansha të provincës Hainan të Kinës Jugore, ka qenë një zonë tradicionale e veprimtarisë së peshkatarëve kinezë dhe një strehë e tyre natyrore. Sipas planifikimit, zona e mbrojtur natyrore kombëtare e ishullit Huangyan, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 3523.67 hektarësh, synon mbrojtjen e ekosistemit të shkëmbinjve koralorë. Krijimi i rezervatit kombëtar në territorin e vet është një çështje brenda sovranitetit të palës kineze dhe përputhet me Ligjin e Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Kinës, si edhe me Rregulloren e Zonave të Mbrojtura Natyrore të Kinës, komenton CMG-ja. Ndërsa territori i Filipineve, i përcaktuar nga një sërë traktatesh ndërkombëtare, përfshirë Traktatin e Parisit ShBA-Spanjë (1898), nuk e përfshin ishullin Huangyan. Filipinet s’kanë të drejtë të ndërhyjnë në masat e mbrojtjes që merr Kina në territorin e vet.
Ishulli Huangyan / VCG
Njëkohësisht, Konventa e Ligjit Detar e OKB-së dhe ligje të tjera ndërkombëtare i japin Kinës detyrimin për “mbrojtjen dhe garantimin e mjedisit detar”. Ishulli Huangyan, si një ishull koralor me kushte të veçanta gjeografike, ka një mjedis ekologjik relativisht të brishtë. Marrja në kohë e masave mbrojtëse nga Kina është një zbatim i të drejtave dhe detyrimeve sipas ligjit ndërkombëtar. Sipas praktikës ndërkombëtare, ShBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Australia, Zelanda e Re dhe vende të tjera kryesore oqeanike kanë formuar rezervate të ndryshme detare.
Forcimi i mbrojtjes ekologjike të ishullit Huangyan niset edhe nga këndvështrimi praktik. Qysh prej vitit 2016, Kina ka treguar vullnet të mirë për peshkimin normal të një numri të vogël të anijeve peshkatare fipilinase në hapësirën detare rreth ishullit Huangyan dhe, njëkohësisht, ka administruar dhe ka kontrolluar veprimet përkatëse të peshkatarëve filipinas. Por, prej disa kohësh, qeveria filipinase ka fryrë me qëllim ndjenjat nacionaliste dhe, duke shfrytëzuar dashamirësinë e palës kineze, ka organizuar peshkatarët filipinas të zgjerojnë peshkimin në hapësirën e ishullit Huangyan, dhe madje të bëjnë peshkim të paligjshëm në lagunë, gjë që ka sjellë sfida afatgjata për mjedisin ekologjik të kësaj hapësire detare. Kështu, krijimi nga Kina i rezervatit kombëtar për normalizimin e peshkimit rreth ishullit Huangyan ka rëndësi të madhe për zhvillimin e vazhdueshëm të peshkatarisë në këtë rajon, komenton CMG-ja.
Shkëmbinj koralorë në ishullin Huangyan / VCG
Prej kohësh, pavarësisht nga ambicia e Filipineve për zgjerimin e territorit, e stimuluar dhe e mbështetur nga ShBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore, Kina nuk ka hequr dorë në asnjë mënyrë përpjekjet për krijimin e një Deti të Kinës Jugore me paqe, bashkëpunim dhe miqësi.
Pala kineze është treguar shumë e përmbajtur në çështjen e Detit të Kinës Jugore, ka ngulur këmbë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve territoriale nëpërmjet dialogut e konsultimeve midis vendeve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë problem, dhe i është përmbajtur mbrojtjes së paqes detare bashkë me vendet e ASEAN-it. Megjithatë, Kina nuk do të lejojë keqpërdorimin e dashamirësisë së saj dhe nuk do të pranojë shtrembërimin e ligjit detar, përfundon komenti i CMG-së.