Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, njoftoi sot mobilizimin e ndihmave të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor në përballimin e krizës shëndetësore.
“Ne po mobilizojmë mbështetje të menjëhershme për Ballkanin Perëndimor nëpërmjet një fondi prej 38 Milion Euro për të përballuar emergjencën shëndetësore, duke mbështetur furnizimin me mjete mjekësore dhe personale si ventilatorë, pajisje laboratorike, maska, dorashka dhe kostume mbrojtëse”, tha zëdhënësja e KE.
“BE po ri-drejton gjithashtu 374 milionë euro për të ndihmuar ringritjen ekonomiko-sociale të rajonit. Kjo do të përfshijë në veçanti mbështetjen për sektorin privat, rritjen e mbrojtjes sociale, me vëmendje të veçantë ndaj grupeve të cënueshme, si dhe për përforcimin e aftësive të sektorit shëndetësor”.
Përveç vendeve të Ballkanit, Komisioni njoftoi masa të ngashme edhe për vendet e lindjes që po përballen me të njëjtën krizë nga pandemia e Covid-19.
Ballkani vazhdon të përballet me coronavirusin, duke pasur mungesa të thella në mjekë, infrastrukturë e ilaçe.
Në Kosovë, tridhjetë e shtatë nga të infektuarit me COVID-19 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Prej tyre, 32 janë në gjendje stabile, ndërsa 5 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi. Sipas QKUK, të testuarit e dyshuar nga stafi i Klinikës Infektive kanë rezultuar negativ ndaj virusit. Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë është 94, prej tyre një është shëruar dhe një tjetër ka ndërruar jetë
Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka deklaruar numri i personave të prekur nga coronavirusi ka shkuar në 223, ndërsa një 79-vjeçar nga Tirana që ndodhej prej 18 ditësh i shtruar në spital ka ndërruar jetë duke e çuar numrin e të vdekurve deri tani në 11.
Në Maqedoninë e Veriut, një 91-vjeçar dhe një 31-vjeçar nga Shkupi kanë ndërruar jetë ditët e fundit. Numri total i të ndjerëve si pasojë e coronavirusit të ri ka shkuar në gjashtë. Sa i takon numrit të të infektuarve, ai ka shkuar në 255 pas 16 rasteve të reja të diagnostikuara në Maqedoninë e Veriut. 7 persona këto ditë do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre për ta marrë mjekimin prej aty.
Në Serbi janë 741 të infektuar e 13 të vdekur, ndërsa në Mal të Zi 91 të infektuar dhe 1 i vdekur./euronewsalbania