Nga Marjana Doda
Deti i Kinës Jugore është një nga rrugët ujore më strategjike dhe me rëndësi të jashtëzakonshme në botë, jo vetëm për tregtinë ndërkombëtare, por edhe për burimet natyrore dhe stabilitetin rajonal. Ky rajon, i pasur me burime të çmuara dhe i vendosur në një pozicion kyç gjeopolitik, ka qenë prej kohësh skenë e përplasjeve të interesave midis Kinës dhe disa vendeve të ASEAN-it, sidomos Filipineve.
Konfliktet e hershme, përfshirë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Hagë në vitin 2016, një vendim që Kina e ka refuzuar dhe veprimet e Filipineve për të zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake me Shtetet e Bashkuara, dëshmojnë për tensionet e vazhdueshme dhe brishtësinë e situatës në rajon. Megjithatë, Kina ka vazhduar të luaje rolin e një aktori paqësor, duke theksuar rëndësinë e dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit reciprok për të ruajtur stabilitetin dhe paqen në Detin e Kinës Jugore.
Në këtë linje, Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, në takimet me homologët e vendeve të ASEAN-it, ka shprehur gatishmërinë për të zhvilluar bisedime të qeta dhe konstruktive, duke synuar që të gjitha palët të përfitojnë nga një bashkëpunim i ndërsjellë dhe i qëndrueshëm. Në prag të 9-vjetorit të vendimit arbitrar të Filipineve, Kina ritheksoi qëndrimin e saj për zgjidhjen e paqshme të mosmarrëveshjeve, duke kërkuar bashkëpunim të ndërsjellë dhe mirëkuptim për të siguruar një rajon të qetë dhe të sigurt.
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi/Ministria e Jashtme e Kinës
“Nuk ka probleme me lirinë e navigimit. Përkundrazi, në krahasim me shumë dete të tjera, Deti i Kinës Jugore është stabil dhe i hapur,” u shpreh Wang.
Ministri kinez theksoi se Kina dhe vendet anëtare të ASEAN-it janë në proces të përmirësimit të Deklaratës mbi Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore (DOC), përmes hartimit të një Kodi të Sjelljes (COC) që do të jetë efektiv, substancial dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS).
“Të gjitha palët janë të përkushtuara për ta përfunduar Kodin e Sjelljes brenda afatit të planifikuar. Konsultimet do të intensifikohen dhe procesi do të përshpejtohet,” tha Wang.
“Kemi besimin, aftësinë dhe mençurinë për të ruajtur stabilitetin në Detin e Kinës Jugore, për të penguar ndërhyrjet e jashtme dhe për ta kthyer këtë det në një hapësirë paqeje, miqësie dhe bashkëpunimi.”
Wang theksoi se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Detin e Kinës Jugore nuk është vetëm në interes të Kinës, por një kërkesë themelore për zhvillimin afatgjatë të gjithë rajonit të Azisë Juglindore. Ai theksoi se përpjekjet për të ndërkombëtarizuar çështjen apo për ta politizuar atë rrezikojnë të minojnë konsensusin rajonal të ndërtuar me përkujdesje për dekada.
Në këtë kontekst, ai kritikoi të ashtuquajturin rast arbitrazhi të nisur nga Filipinet në vitin 2013, duke e cilësuar si një ndërhyrje politike të maskuar si proces ligjor.
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, në takimet me homologët e vendeve të ASEAN-it/Ministria e Jashtme e Kinës
“Ky rast ka mungesa serioze në gjetjen e fakteve dhe zbatimin e ligjit. Ai e përdor emrin e Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit për të ndërmarrë veprime që në fakt bien ndesh me të,” u shpreh Wang.
“Nëse lejojmë abuzimin e arbitrazhit të detyruar, cili është më pas roli i diplomacisë? A duhet të braktisim konsultimet dypalëshe dhe marrëveshjet ekzistuese rajonale?”
Ai përfundoi duke thënë se Kina mbetet e hapur ndaj dialogut të bazuar në barazi dhe respekt të ndërsjellë, por do të kundërshtojë çdo përpjekje për të përdorur çështjen e Detit të Kinës Jugore si instrument presioni ose për të destabilizuar rajonin.
Padiskutim një nga prioritetet kryesore për të gjitha vendet që kanë interesa në Detin e Kinës Jugore është ruajtja e stabilitetit rajonal. Ky stabilitet përbën një sfidë të madhe për shkak të pretendimeve territoriale të kundërta, pranisë së forcave ushtarake dhe ndikimeve nga aktorë të jashtëm. Në këtë kontekst, çdo tension i ri rrezikon të përshkallëzojë konfliktet dhe të kërcënojë jo vetëm sigurinë e vendeve përreth, por edhe rrugët kryesore të tregtisë globale që kalojnë përmes këtij deti. Kjo është arsyeja pse Kina dhe vendet e ASEAN-it kanë nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe mekanizmave efektivë për menaxhimin e mosmarrëveshjeve, në mënyrë që të shmangen përplasjet e drejtpërdrejta.
Në këtë kuadër, nevoja për një kuadër gjithëpërfshirës bashkëpunimi është bërë gjithnjë e më e qartë. Një marrëveshje e tillë do të sigurojë një platformë të qëndrueshme ku palët mund të diskutojnë paqësisht interesat e tyre dhe të ndërmarrin iniciativa të përbashkëta për zhvillimin ekonomik, ruajtjen e mjedisit dhe sigurimin e sigurisë detare. Bashkëpunimi i tillë nuk do të ndikojë vetëm në qetësimin e tensioneve, por do të përkthehet në prosperitet për gjithë rajonin, duke rritur stabilitetin politik dhe duke ndihmuar në krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ministri i Jashtëm Wang Yi ka theksuar shpesh se Kina është e përkushtuar ndaj një qasjeje që mbështetet në respektin reciprok, dialogun dhe mirëkuptimin.
Në këtë mënyrë, përpjekjet diplomatike dhe dialogu i vazhdueshëm synojnë të ndërtojnë një atmosferë besimi dhe të heqin pengesat që mund të çojnë në konfrontime. Ky proces është kritik për të siguruar që Deti i Kinës Jugore të mbetet një hapësirë paqësore, e sigurt dhe e qëndrueshme, në të mirë të të gjitha vendeve përfshirëse dhe të komunitetit ndërkombëtar.
Kina përsërit refuzimin e saj të vendimit të Arbitrazhit të vitit 2016 për Detin e Kinës Jugore
Kina ka përsëritur refuzimin e saj të vendosur ndaj vendimit të Arbitrazhit të vitit 2016 për Detin e Kinës Jugore, duke e cilësuar atë si të paligjshëm, të pavlefshëm dhe jo detyrues. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës bëri këto komente në përgjigje të përkujtimit nga Filipinet të përvjetorit të nëntë të vendimit. Sipas Kinës, arbitrazhi, i nisur njëanshëm nga Filipinet ka shkelur parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjet bilaterale të mëparshme që kërkonin zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes negociatave. Zëdhënësi theksoi se vendimi ka shkelur si Deklaratën për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore (DOC) ashtu edhe Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), pasi çështjet territoriale tokësore dhe përcaktimi i kufijve detarë nuk përfshihen në arbitrazhin e detyrueshëm, nga i cili Kina ishte përjashtuar që në vitin 2006. Zëdhënësi kritikoi gjithashtu gjetjet e tribunalit, veçanërisht klasifikimin e Taiping Dao si shkëmb dhe jo si ishull, duke thënë se kjo shpërfill faktet gjeografike dhe ligjore themelore. Kina theksoi përkushtimin e saj për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve, bashkëpunim me vendet e ASEAN-it dhe miratimin sa më të shpejtë të një Kodi Sjelljeje për rajonin. Kina u bëri thirrje vendeve të tjera që të ndalojnë referimin ndaj vendimit të arbitrazhit dhe paralajmëroi se përmendja e mëtejshme e tij do të çojë vetëm në rritjen e tensioneve dhe destabilitetit në Detin e Kinës Jugore. Më 12 korrik 2016, një tribunal ndërkombëtar në Hagë dha një vendim në favor të Filipineve në një çështje të ngritur njëanshmërisht kundër Kinës lidhur me Detin e Kinës Jugore. Kina, që nga fillimi, ka deklaruar se vendimi është i paligjshëm, i pavlefshëm dhe pa asnjë fuqi detyruese. Dr. Wang Hanling, një nga ekspertët kryesorë kinezë për të drejtën detare ndërkombëtare, ka shprehur qëndrimin se arbitrazhi ka shtrembëruar natyrën e vërtetë të mosmarrëveshjes duke anashkaluar me qëllim çështjet e sovranitetit dhe duke injoruar marrëveshjet ekzistuese dypalëshe midis palëve. Ai argumenton se ky nuk ka qenë kurrë një proces i paanshëm ligjor, por një manovër gjeopolitike e maskuar si drejtësi ndërkombëtare. Në këtë këndvështrim, Kina e sheh vendimin si një përpjekje për të ndërhyrë në çështjet e saj sovrane dhe për të forcuar presionin ndërkombëtar ndaj saj nëpërmjet mjeteve juridike që, sipas saj, nuk kanë as bazë ligjore dhe as legjitimitet praktik në terren.
Filipinet dhe strategjia e re e sigurisë: Varësia nga fuqitë perëndimore dhe pasojat për stabilitetin në rajon
Në muajt e fundit, Filipinet kanë ndërmarrë hapa të qarta drejt thellimit të bashkëpunimit të tyre ushtarak me fuqitë perëndimore, në veçanti me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë. Një nga zhvillimet më të rëndësishme është interesimi i shprehur nga zyrtarët filipinas për blerjen e sistemit të raketave me rreze të mesme “Typhon”, tashmë i vendosur nga ushtria amerikane në territorin filipinas. Kjo iniciativë është lidhur drejtpërdrejt me tensionet në Detin e Kinës Jugore, ku Filipinet kanë pasur përplasje të vazhdueshme me Kinën për çështje sovraniteti dhe aksesesh detare.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është afrimi i një marrëveshjeje ushtarake me Kanadanë. Ambasadori kanadez në Filipine, David Hartman, bëri të ditur së fundmi se Statusi i Marrëveshjes së Forcave Vizituese midis dy vendeve është në fazën përfundimtare të negociatave dhe pritet të nënshkruhet brenda vitit. Kjo marrëveshje do t’u mundësojë të dyja palëve të vendosin trupa ushtarake në territoret respektive – një hap që rrit ndjeshëm profilin e sigurisë perëndimore në Azinë Juglindore.
Që kur administrata e presidentit Ferdinand Marcos Jr. mori pushtetin, strategjia e mbrojtjes dhe sigurisë e Filipineve ka ndryshuar në mënyrë domethënëse. Koncepti i ri i sigurisë kombëtare ka në qendër varësinë nga fuqitë e mëdha perëndimore. Kjo strategji synon të sigurojë një “ombrellë sigurie” përmes angazhimit aktiv të aleatëve si SHBA dhe Kanada.
Strategjia aktuale e sigurisë e qeverisë filipinase përfaqëson, sipas shumë ekspertëve, një keqvlerësim të situatës reale gjeopolitike. Mbështetja në “bamirësinë” dhe garancitë e fuqive perëndimore mund të sjellë lehtësim të përkohshëm politik për elitën në pushtet, por nuk përbën një zgjidhje afatgjatë për nevojat reale të sigurisë të vendit. Përkundrazi, kjo strategji rrezikon të thellojë ndasitë rajonale dhe të vendosë Filipinet në qendër të rivaliteteve të mëdha globale.
Në këtë kontekst, natyrshem lind pyetja: A mund të sjellë varësia nga fuqitë e mëdha sigurinë e dëshiruar për Filipinet, apo do ta zhysë vendin në një spirale të re pasigurie dhe tensioni?
Filipinet dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur stërvitjen ushtarake “Krah më Krah 2025”, pavarësisht protestave të qytetarëve filipinas dhe shqetësimeve për rritjen e tensioneve në rajon. Kjo stërvitje zhvillohet jo vetëm në ishullin Luzon, por edhe në ishujt Batan pranë Tajvanit, çka interpretohet si një lëvizje me synim strategjik kundër Kinës.
Policat detarë kinezë në rajonin detar afër ishullit Huang Yan të Kinës./VCG
Kina ka reaguar ashpër, duke e konsideruar stërvitjen si provokim dhe duke paralajmëruar se përdorimi i çështjes së Tajvanit për të justifikuar përforcime ushtarake është i papranueshëm. Sipas saj, Filipinet po luajnë me zjarrin duke u afruar ushtarakisht me SHBA-të për të fituar mbështetje në çështjen e Detit të Kinës Jugore.
Ndërkohë, qytetarët filipinas kanë protestuar kundër stërvitjes, duke e cilësuar atë si kërcënim për sovranitetin dhe sigurinë kombëtare. Kjo situatë rrezikon të prishë stabilitetin rajonal dhe të izolojë Filipinet nga solidariteti tradicional i ASEAN-it, i cili është përqendruar në dialog dhe bashkëpunim për paqe në rajon.
Shtetet e Bashkuara dhe Japonia duekt se synojnë të përfitojnë nga pozicioni strategjik i Filipineve në Paqësorin Jugor dhe nga mosmarrëveshjet e saj territoriale me Kinën në Detin e Kinës Jugore, për ta shndërruar vendin në një pikë kyçe për frenimin e ndikimit kinez dhe kontrollin e rrugëve detare në rajon. Për SHBA-në, ky është një përpjekje për të ruajtur hegjemoninë rajonale, ndërsa Japonia synon të avancojë planet për zgjerimin ushtarak dhe të forcojë praninë e saj gjeopolitike në Azinë Juglindore.
Megjithatë, strategjia e ndjekur nga Filipinet, që i beson fuqisë së aktorëve të mëdhenj për të garantuar sigurinë e saj, rrezikon të sjellë pasoja të kundërta: nxitje të tensioneve, humbje të autonomisë strategjike dhe rrezik për destabilitet më të madh në rajon.
Deti i Kinës shtrihet mbi një zonë të gjerë që lidhet me shumë shtete, dhe sipas së drejtës ndërkombëtare, si Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën Detare (UNCLOS), këto zona duhet të menaxhohen në mënyrë të drejtë dhe paqësore, duke respektuar të drejtat e të gjitha palëve dhe duke shmangur përplasje të njëanshme që rrezikojnë stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
Ashtu siç thekson Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Detin e Kinës Jugore nuk është vetëm në interes të Kinës, por është gjithashtu një kërkesë e domosdoshme për zhvillimin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit të Azisë Juglindore. Dialogu dhe bashkëpunimi janë çelësi për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe për të siguruar që ky rajon strategjik të mbetet një hapësirë paqeje dhe bashkëpunimi për të gjitha palët e përfshira.
Në këtë kontekst, është e nevojshme që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë aktive dhe konstruktive për të menaxhuar tensionet dhe për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, që do të sigurojë një të ardhme më të sigurt dhe të qetë për Detin e Kinës Jugore dhe për rajonin e Azisë Juglindore në tërësi.
Vetëm përmes bashkëpunimit të sinqertë dhe respektit reciprok mund të ndërtohet një e ardhme ku Deti i Kinës Jugore të mbetet një hapësirë paqësore dhe e sigurt për të gjitha kombet dhe aktorët ndërkombëtarë./CGTN
/Argumentum.al