Danas[i]
Presidenti rus Vladimir Putin ka “përcjellë” disa kolegë amerikanë, që nga Bill Klintoni deri të Xhozef Bajdeni. Është takuar me pesë syresh, dhe toni, me kalimin e kohës, ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më pak miqësor. Që nga “ndjeshmëria” e Klintonit dhe e Bushit për shpirtin e Putinit, pastaj përpjekja për resetim (ose gafa e madhe) në kohën e Obamës, nëpërmjet akuzave për përzierje ruse në favor të Trampit, e deri te ndërprerja përfundimtare me Bajdenin – a do të vazhdojë apo do t’a ndërpresë prirjen negative takimi i 15 gushtit në Alaskë?
Putini dhe Bajdeni – përpjekja e fundit
Takimi i fundit mes presidentit rus dhe atij amerikan ka qënë disa muaj para sulmit rus në Ukrainë – Putini dhe Xhozef Bajdeni u takuan vetëm një herë si presidentë – në Gjenevë, në muajin qershor të vitit 2021. Biseduan për tri orë rresht, por nga takimi nuk doli asnjë përparim. Shkëmbyen shprehjet e respektit reciprok, por përsëritën fuqishëm qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta mbi çështjet kryesore, para së gjithash në lidhje me Ukrainën, drejt së cilës Rusia kishte filluar të grumbullonte trupat ushtarake.
Biseduan përsëri në një video-konferencë në muajin dhjetor të vitit 2021, kur tensionet në lidhje me Ukrainën u rritën. Bajdeni kërcënoi me sanksione nëse Rusa kryen invazion, ndërsa Putini kërkoi garanci se Kievi nuk do të hynte në NATO – gjë të cilën Uashingtoni dhe aleatët e tij e hodhën poshtë si të papranueshme.
Në muajin shkurt të vitit 2022, dy javë para sulmit rus mbi Ukrainën, u mbajt edhe një bisedë telefonike.
Më pas kontaktet në nivel të lartë u ndërprenë, dhe nuk u zhvillua më asnjë bisedë mes Putinit dhe Bajdenit që nga fillimi i luftës.
Tramp 1.0 me Putinin: kam besim të zbuluesit e mi
Putini është takuar më Donald Trampin gjashtë herë gjatë mandatit të tij të parë – në periferitë e samitit G-20 dhe APEK-ut (Bashkëpunimi Azitatiko-Pacifik) – por takimi më i njohur u zhvillua në Helsinki në muajin qershor të vitit 2018. Atëbotë, Trampi, duke qëndruar përballë Putinit, dukej sikur e pranonte insistimin e tij se Moska nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në ShBA në vitin 2016, duke vënë dukshëm në dyshim vlerësimin e zbuluesve të tij.
“Kam besim të madh te zbuluesit e mi, por po ju them se presidenti Putin ishte sot jashtëzakonisht i fortë dhe bindës në hedhjen poshtë të akuzave… Tha se nuk e ka bërë Rusia. Unë po them këtë: nuk shoh ndonjë aresye që të mos jetë kështu”, tha Trumpi.
Putini – Obama dhe gafa e famshme – risetim dhe(ose) mbingarkesë
Presidenti i ShBA-ve Barak Obama është takuar me Putinin nëntë herë, ndërsa me Dmitrij Medvedevin, i cili ishte presidenti i Rusisë në vitet 2008-2012 – 12 herë.
Në vitin 2008, Putini u bë kryeministër, gjë që i mundësoi të risetojë kufizimin e numurit të mandateve presidenciale dhe të kandidojë përsëri në vitin 2012. Obama shkoi në Rusi dy herë – një herë në vizitë dypalëshe që të takojë Medvedevin në vitin 2009 dhe më pas në itin 2013, në samitin e G-20. Edhe Medvedevi edhe Putini kanë udhëtuar në ShBA. Në kohën e mandatit presidencial të Medvedevit Moska dhe Uashingtoni folën për “risetimin” e marrëdhënieve pas Luftës së Ftohtë dhe punuan për marrëveshjet mbi kontrollin e armatimeve.
Gafa e famshme e sekretares së shtetit Hillari Klinton ndodhi atëherë kur ajo i dhuroi një buton të kuq të madh me mbishkrimin në anglisht “reset” kolegut rus Sergej Lavrov. Problemi ishte, ndoshta gabimisht, se në gjuhën ruse shkruhej “peregruzka” (mbingarkesë), në vend të fjalës “perezagruzka” (risetim).
Mbasi Putini u rikthye në pushtet në vitin 2012, tensionet mes dy vendeve u rritën. Kremlini akuzoi Perëndimoin për përzierje në punët e brendshme të Rusisë, duke pohuar se kishte nxitur protestat antiqeveritare në kohën kur Putini kishte kandiduar përsëri.
Obama e shyu vizitën në Moskë në vitin 2013, mbasi Rusia i miratoi azilin Eduard Snoudenit, alarmuesit dhe ish bashkëpuntorit të Agjensisë kombëtare të sigurisë amerikane.
Në vitin 2014, Rusia aneksoi Krimenë dhe mbështeti forcat proruse në Ukrainën Lindore. Amerika dhe aleatët saj ranë dakord për sanksione të ashpra.
Marrëdhëniet ranë në vielin më të ulët që nga koha e Luftës së Ftohtë. Ndihma ruse për Bashar el Assadin në Siri në vitin 2015 i ndërlikoi akoma më shumë raportet.
Putini dhe Obama u takuan për herë të fundit në Kinë, në muajin shtator të vitit 2016, në periferinë e samitit G-20, biseduan për Ukrainën dhe Sirinë.
Putini dhe Xhorxh Bushi, i riu- shpirti në sy
Putini dhe Xhorxh Bushi, i riu, u takuan 28 herë gjatë dy mandateve të Bushit. Ishin mikpritës të njëri tjetrit në takime formale dhe joformale në Rusi dhe në ShBA, takoheshsin rregullisht në periferitë e samiteve ndërkombëtare dhe lavdëronin përmirësimin e raporteve të rivalëve të dikurshëm.
Pas takimit të parë me Putinin në vitin 2001, Bushi deklaroi se “ka parë njeriun në sy”, dhe e ka konstatuar si “shumë të hapur dhe shpresëdhënës”, duke marrë kësisoj “ndjesinë për shpirtin e tij”.
Në vitin 2002, nënshkruan Marrëveshjen mbi zvoglimin e armatimit ofensiv strategjik (SORT) – marrëveshje e cila uli ndjeshëm numurin e kokave bërthamore të të dy vendeve.
Putini ishte lideri i parë botëror që thirri në telefon Bushin pas sulmeve terroriste të 11 shtattorit, i shprehu ngushëllimin dhe mbështetjen, dhe përshëndeti zhvendosjen e ushtrisë amerikane në territorin e aleatëve të Moskës në Azinë Qendrore për operacionet ushtarake në Afganistan.
Bushi e quajti “njeri dinjitoz dhe mik të mirë”, duke shtuar se marrëdhëniet e mira me të kanë ndihmuar për gjetjen e rrugëdaljeve nga “situatat me akute dhe konfliktuale”.
Putini dhe Klintoni – takimi i parë me shefin e Shtëpisë së Bardhë
Presidenti i parë amerikan me të cilin është takuar Putini ishte Bill Klintoni. Samiti u mbajt në Kiev me 20 qershor 2000, disa muaj mbasi Putini ishte bërë president i Rusisë. Biseduan mbi kontrollin e armatimeve, mospërhapjen e teknologjive bërthamore, luftën kundër terrorizmit dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Nënshkruan dokumente mbi bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe stabilitetin strategjik.
Po atë vit dy liderët biseduan edhe në samitet e G-8 në Okinava dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Këto takime, megjithëse nuk sollën përparime dramatike, përfaqësun përpjekjet që në prag të fundit të mandatit të Klintonit dhe në fillim të atij të Putinit të përcaktohej toni në marrëdhëniet amerikano-ruse.
[i] https://www.danas.rs/svet/diplomatija-crvenog-dugmeta-svi-sastanci-putina-i-americkih-predsednika/
/Përktheu për Argumentum Xhelal FEJZA