Grupimi i majtë i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian i bëri thirrje sot Komisionit dhe vendeve anëtare të përfshijnë vendet e Ballkanit Perëndimor në veprimet që po ndërmerren për ndalimin e përhapjes së Coronavirusit në Evropë.
Në një komunikatë për shtyp të majtët deklarojnë se BE duhet t’i mundësojë vendeve të rajonit të ri-drejtojnë fondet e pashpenzuara IPA në luftën kundër krizës së coronavirusit, të konsiderojnë mobilizimin e instrumenteve të tjera të jashtme financiare si dhe t’i mundësojnë vendeve të Ballkanit blerjen e pajisjeve mjekësore si maska apo ventilatorë nga vendet anëtare.
“Virusi nuk njeh kufinj dhe kombësi. Nëse duam të luftojmë me efikasitet coronavirusin, nuk duhet të harrojmë vendet në mes të Evropës. Si Socialistë dhe Demokratë i bëjmë thirrje Komisionit dhe vendeve anëtare të përfshijnë vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjigjen tonë të përbashkët evropiane dhe në marrjen e masave për parandalimin dhe luftën kundër pasojave të kësaj epidemie”, deklaroi Zëvendës Presidentja e këtij grupimi, eurodeputetja holandeze Kati Piri.
Sipas koordinatorit të këtij grupimi në Komisionin europarlamentar të punëve të jashtme, dhe raportuesit për zgjerimin me vendet e Ballkanit, Tonino Picula, prova e parë e solidaritetit të BE-së do të jetë ndihma për të garantuar se sistemet e shëndetësisë në rajon të pajisen më mirë për të kontrolluar dhe trajtuar sëmundjen.
“Ata janë shpesh të pa financuar mjaftueshëm dhe iu mungojnë mjekët profesionistë që kanë emigruar. Prandaj Ballkani Perëndimor duhet të përjashtohet nga skema e re e autorizimeve për mjetet mbrojtëse për vendet e treta, dhe t’i jepet mundësia të blejnë pajisjet jetike mjekësore në tregjet e BE-së”, deklaroi eurodeputeti kroat.
Për momentin vendet e Ballkanit, megjithëse brenda kufijve të BE-së, konsiderohen si të gjithë vendet e treta jashtë BE-së dhe duhet të marrin autorizimin e vendeve anëtare të BE-së para blerjes së mjeteve të nevojshme mjekësore.