Pasojat e pandemisë botërore COVID 19, që ka përfshirë edhe Shqipërinë, mund të jenë mjaft të rënda në afatgjatë për ekonominë, bizneset dhe qytetarët dhe bota rrezikon recesion të thellë ekonomik.
Për këtë vendet e G20 u angazhuan në një front të përbashkët përballë këtij rreziku. Përmes një videokonference të drejtuar nga mbreti Salman i Arabisë Saudite, vendet vendosën të injektojnë plot 5 trilionë dollarë në ekonominë globale për luftuar efektet negative që ka nisur dhe pritet t’i thellojë në ekonomi koronavirusi.
Mbreti Salman i Arabisë Saudite, kërkoi një bashkëveprim të koordinuar kundër pandemisë.
Kjo masë vjen në përgjigje të kritikave se G20 ka qenë e ngadaltë për të adresuar pandeminë COVID-19, e cila ka lënë më shumë se 21 000 të vdekur në të gjithë botën sipas të dhënave zyrtare, dhe ka shkaktuan një valë shoku financiar, pasi më shumë se tre miliardë njerëz janë mbyllur në shtëpitë e tyre.
“Ne jemi të përkushtuar fuqimisht për një front të bashkuar kundër këtij kërcënimi të përbashkët”, thanë udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët pas samitit. “Ne po injektojmë mbi 5 trilion dollarë në ekonominë globale, si pjesë e politikës fiskale, masave ekonomike dhe skemave të garantuara për t’i kundërpërgjigjur ndikimit social, ekonomik dhe finaciar të pandemisë”, thanë ata.