Grupi i ekonomive kryesore demokratike, G7 do të heqë dorë nga deklarata e përbashkët gjithëpërfshirëse në samitin e ardhshëm, i pari ku merr pjesë presidenti i SHBA-së, Donald Trump që nga kthimi i tij në detyrë, sipas “Bloomberg”.
Samiti i G7 nuk do të miratojë një deklaratë të përbashkët për shkak të mosmarrëveshjeve mbi Ukrainën.
Udhëheqësit e vendeve të G7 ndoshta do të kufizohen në deklarata individuale.
Vendet e G7 nuk do të përpiqen të arrijnë një konsensus për një deklaratë të përbashkët në samitin e liderëve, i cili do të mbahet më 15-17 qershor në Kanada.
Ky vendim u mor për shkak të mosmarrëveshjeve të konsiderueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një numër çështjesh, në veçanti, luftën ruso-ukrainase.
Samiti pritet te fokusohet në tregtinë globale, inteligjencën artificiale, sigurinë energjetike, zjarret në pyje dhe konfliktet ushtarake globale, duke përfshirë Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.
Dakordësia për një deklaratë përfundimtare zakonisht, është një ritual për udhëheqësit që mblidhen në takime të tilla si samiti i G7.
Ndërsa dokumenti nuk ka fuqi ligjore, ai përbën një deklaratë parimesh dhe është hartuar për të demonstruar unitetin midis pjesëmarrësve për çështje me rëndësi globale.
Për shembull, deklarata nga samiti i vitit të kaluar ishte 36 faqe dhe përmbante premtime për të mbështetur Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë, për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të promovuar barazinë gjinore.
Por, presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka ndryshuar politikën e SHBA-së për të gjitha këto çështje dhe shumë të tjera, duke refuzuar të shprehë mbështetje për Ukrainën në favor të Rusisë, duke anuluar iniciativat për ndryshimet klimatike dhe duke hedhur poshtë iniciativat gjinore.