Shqipëria po shkon drejt përmbylljes së hapjes së të gjithë kapitujve të negociatave me BE-në.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi sot Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grup-kapitullin 5: “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
Ky zhvillim i rëndësishëm i hap rrugën organizimit të Konferencës Ndërqeveritare në muajt në vijim, duke përmbyllur hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave me Shqipërinë.
Ky vendim konfirmon vlerësimin e BE-së për përgatitjen teknike, institucionale dhe ekonomike të Shqipërisë, si dhe angazhimin e saj ndaj perspektivës evropiane.
Rëndësia e Grup-kapitullit 5 është thelbësor për ekonominë shqiptare, pasi përfshin fusha kyçe për zhvillimin ekonomik dhe social të qëndrueshëm, mbështetjen e fermerëve dhe peshkatarëve, dhe sigurinë ushqimore.
Grup-kapitulli 5 përbëhet nga 5 kapituj: Kapitulli 11 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural); Kapitulli 12 (Siguria Ushqimore, Politika Veterinare dhe Fitosanitare); Kapitulli 13 (Peshkimi); Kapitulli 22 (Politika Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore) dhe
Kapitulli 33 (Dispozitat financiare dhe buxhetore).
Negociatat e këtij grup-kapitulli do të nxisin reforma për modernizimin e bujqësisë, përmirësimin e standardeve të prodhimit ushqimor dhe forcimin e politikave të kohezionit.
Shqipëria synon të hapë të gjithë kapitujt e negociatave gjatë vitit 2025 dhe të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, me synimin për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.