(Analiza e IFIMES – Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit, Lubjanë)
Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES), me seli në Lubjanë të Sllovenisë, ka publikuar një analizë të thelluar mbi zhvillimet politike në Shqipëri në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Sipas IFIMES, Shqipëria ndodhet në një moment kritik, i cili do të përcaktojë nëse vendi do të arrijë më në fund të funksionojë si një shtet normal ose do të vijojë rrugën e kapjes së institucioneve dhe rrënimit të demokracisë.
Në analizë thuhet se situata aktuale në Shqipëri është thellësisht shqetësuese. Qytetarët përballen me probleme të përsëritura, përfshirë korrupsionin endemik, klientelizmin, një sistem të brishtë të sundimit të ligjit, emigrimin masiv dhe humbjen e kapitalit njerëzor, si dhe ngecjen e reformave në drejtësi dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
IFIMES thekson se ndërtimi i një shteti të ‘normal’ kërkon një demokraci funksionale me institucione të pavarura, administratë publike transparente dhe efikase, drejtësi të barabartë për të gjithë, si dhe një shoqëri ku qytetarët besojnë në procesin zgjedhor dhe institucionet shtetërore. Rritja ekonomike është gjithashtu jetike për të frenuar emigrimin dhe për të krijuar kushte për mirëqenie afatgjatë.
Sipas analizës, fillimet e qeverisjes së Partisë Socialiste dhe Edi Ramës ishin të mbushura me premtime për reforma thelbësore dhe ndërtimin e një shteti modern dhe evropian. Megjithatë, IFIMES vlerëson se Shqipëria ka rrëshqitur gjithnjë e më shumë drejt një narkoshteti që, në thelb, funksionon si një kartel droge i kamufluar si qeveri. Pavarësisht kësaj, autoritetet evropiane kanë vazhduar të shprehin përkrahje për qeverinë, një qëndrim që, sipas analizës, ngre dyshime për ndikimin e rrjedhave të dyshimta financiare dhe lidhjeve korruptive.
Arrestimi i liderëve të opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, cilësohet në raport si shkelje e hapur e ligjit dhe kushtetutës, dhe dëshmi e përdorimit selektiv të drejtësisë nga qeveria aktuale. IFIMES thekson se zgjedhjet e 2025-ës mund të përfaqësojnë shansin e fundit për qytetarët shqiptarë për të ndalur përkeqësimin e demokracisë dhe për të zgjedhur një alternativë që ofron drejtësi reale dhe luftë të sinqertë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Analiza përfshin edhe dëshmi të rëndësishme nga figura kyçe të së kaluarës së afërt politike. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, që më parë ka mbajtur disa poste ministrore, është kthyer në një nga dëshmitarët më të zëshëm kundër qeverisë, pas përfshirjes së tij në “aferën e inceneratorëve”. Ai akuzon personalisht Edi Ramën për orkestrimin e skemave korruptive dhe për kërkesa direkte për ndryshime ligjore në favor të interesave klienteliste.
Po ashtu, raporti nënvizon përplasjen mes Ramës dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas arrestimit të këtij të fundit në shkurt 2025 për korrupsion dhe pastrim parash. Veliaj akuzohet për përvetësim të fondeve publike të lidhura me projektin e inceneratorit në Tiranë dhe ndodhet aktualisht në paraburgim.
Sipas IFIMES, zgjedhjet e ardhshme janë më shumë se një proces politik rutinë — ato janë një provë ekzistenciale për demokracinë dhe një test për të parë nëse Shqipëria do të vazhdojë rrëshqitjen drejt autoritarizmit, apo do të rikthejë kursin drejt një shteti demokratik evropian.
Analiza gjithashtu nënvizon se teknologjitë moderne, si inteligjenca artificiale (AI), kanë hapur mundësi të reja në luftën kundër korrupsionit. Përmes analizës së të dhënave masive, AI mund të zbulojë kontrata fiktive, tenderë të manipuluar, lidhje me krimin e organizuar dhe rrjedha të fshehura parash — një mjet që nuk korruptohet dhe nuk harron.
Në përfundim, IFIMES thekson se edhe pse sondazhet mund të mos reflektojnë plotësisht ndjeshmërinë e votuesve, është pikërisht vota e qytetarëve që do të përcaktojë të ardhmen e Shqipërisë — nëse ajo do të mbetet një “shtet i kapur”, apo do të nisë më në fund rrugën e ndërtimit të një shteti të vërtetë demokratik.
Analiza e plotë: https://www.ifimes.org/en/researches/parliamentary-elections-in-albania-2025-the-last-chance-for-albania-to-become-a-normal-state/5508
/Argumentum.al