Për herë të parë në Shqipëri, Arabia Saudite sjell në zemër të Tiranës një javë të pasur me art, kulturë dhe trashëgimi të çmuar, në kuadër të Javës Kulturore Saudite, një ngjarje unike që synon të ndërtojë ura njohjeje dhe dialogu ndërmjet dy kulturave.
Java Kulturore Saudite do të jetë një përvojë gjithëpërfshirëse, ku tradita, arti dhe moderniteti do të ndërthuren në një program të pasur e interaktiv. Për pesë ditë me radhë, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, nga data 16 deri më 20 shtator 2025, vizitorët do të kenë mundësinë të njohë nga afër trashëgiminë unike të Arabisë Saudite, përmes një programi të larmishëm dhe gjithëpërfshirës që kombinon traditën me elementë modernë të kulturës saudite.
Çfarë ofron Java Kulturore?
Artizanat tradicional – Mjeshtër të zanateve saudite do të demonstrojnë punën e tyre në kohë reale, duke përfshirë vizitorët në punëtori interaktive që hedhin dritë mbi teknikat e trashëguara brez pas brezi.
Trashëgimia UNESCO – Ekspozita me replika arkeologjike, elemente të arkitekturës tradicionale dhe hapësira fotografike me veshje karakteristike do të sjellin më afër thesaret kulturore të Arabisë Saudite.
Kaligrafia arabe – Mjeshtër të kaligrafisë do të shkruajnë emrat e vizitorëve me stilin elegant të artit të shkrimit arab.
Dorëshkrime digjitale – Një ekspozitë moderne që sjell në formë interaktive dorëshkrime të rralla, të ruajtura ndër shekuj.
Letërsi & dialog kulturor – Seminare, prezantime librash dhe diskutime që përfshijnë edhe promovimin e qytetit Taif si Qytet Kreativ i UNESCO-s, për letërsinë dhe artin.
Kulinaria saudite – Gatime “live” nga shefa të njohur të kuzhinës saudite, të shoqëruara me degustime të kafesë tradicionale dhe hurmave të shkretëtirës.
Art performues & muzikë tradicionale – Shfaqje muzikore dhe valle autentike që do të sjellin ritmin dhe shpirtin e Lindjes së Mesme në skenën shqiptare.
Instrumente muzikore – Ekspozita, diskutime dhe performanca që do të përfshijnë edhe artistë shqiptarë, duke krijuar bashkëpunime kulturore të reja.
Moda tradicionale – Veshje me dizajne të veçanta që bartin historinë, simbolikën dhe finesën e kulturës saudite.
Filma të shkurtër – Projeksione kinematografike që pasqyrojnë jetën, artin dhe traditat e ndryshme të rajoneve saudite.
Kultura si urë miqësie
Kjo javë nuk është thjesht një ekspozitë, por një festë e dialogut kulturor, që do të theksohet edhe përmes bashkëpunimeve mes artistëve shqiptarë dhe atyre nga Arabia Saudite. Një mundësi e rrallë për të njohur nga afër miktpritjen saudite, si dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet dy vendeve përmes artit dhe trashëgimisë kulturore.
Java Kulturore e Arabisë Saudite në Shqipëri është një ftesë për të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e një përvoje të veçantë, ku e kaluara dhe e tashmja ndërthuren në mënyrë artistike, për të sjellë më afër popujt dhe traditat.
Kujtojmë se Javët Kulturore Ndërkombëtare janë një nismë nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, që u ofron shqiptarëve mundësinë për të njohur nga afër kulturat e vendeve të ndryshme me përfaqësi diplomatike në Tiranë.
Ky aktivitet zgjat një javë për çdo vend pjesëmarrës dhe sjell një mozaik të pasur me art, kulturë, muzikë, ekspozita, kuzhinë tradicionale dhe ngjarje sociale, duke i afruar qytetarët shqiptarë me vendet që deri më tani i kanë njohur vetëm përmes përfaqësive diplomatike.
Tashmë, përmes Javëve Kulturore, këto vende janë më pranë se kurrë: kemi mundësinë t’i përjetojmë, t’i shijojmë dhe t’i prekim nga afër kulturat dhe traditat e tyre unike, një mënyrë për të ndërtuar ura mirëkuptimi dhe shkëmbimi ndërkulturor në zemër të Tiranës
/Argumentum.al