Nga 1 deri më 8 qershor, Kultura italiane vjen në zemër të Tiranës për të ndarë me publikun shqiptar traditat, emocionet dhe pasionin për artin.
Java Kulturore Italiane rikthehet në kryeqytet me një program të pasur që do të sjellë më të mirën e artit, muzikës, kinemasë, teatrit dhe gastronomisë nga Italia. Një javë feste që afron më shumë Italinë dhe Shqipërinë përmes vlerave të përbashkëta kulturore dhe shpirtit mesdhetar.
Përgjatë gjithë javës, artdashësit do të kenë mundësi të marrin pjesë në aktivitete të hapura për publikun me hyrje të lirë, që do të zhvillohen në disa nga sheshet dhe hapësirat kulturore më të njohura të qytetit.
Java e Kulturës Italiane do të nisë me një koncert në Kishën Katolike tek Rruga e Kavajës, nga Orkestra Rinore e Magna Grecia, që vjen nga rajoni i Puglia-s.
Diçka e veçantë do të jetë aktiviteti Fashion Chat me stilistë të rinj, që do të zhvillohet datën 2 qershor në COIN, ndërkohë që koncerti i muzikës klasike zhvendoset në hapësirën e Amfiteatrit të Durrësit. Gjithashtu dhe Vlora do të gjallërohet nga koncerti i grupit italian “Neri per caso”, të cilët do të festojnë 30-vjetorin e fitores së tyre në Sanremo.
Tek Piramida në Tiranë do të nisë një cikël diskutimesh mbi arkitekturën, ndërkohë që mbrëmjen e 4 qershorit banorët dhe turistët e Beratit mund të shijojnë një koncert jazz-i nga “Aperitivo Italiano”.
Një tjetër qytet i përfshirë në kalendarin e Javës Kulturore Italiane do të jetë Gjirokastra, ku do të vihet në skenën teatrore një produksion i përbashkët, titulluar “Onora tuo padre”, gjithashtu do të ketë edhe një projeksion filmi mbi këngëtaren Mia Martini.
/Argumentum.al