Java Kulturore Ndërkombëtare vijon rrugëtimin e saj në këtë fillim vjeshte me edicionin e katërt, duke mirëpritur Javën Kulturore Malazeze, nga data 8 deri më 11 shtator në Tiranë.
Mbrëmja hapëse, më 8 shtator, do të sjellë një koncert të veçantë pianistik me Karlo Gjurgjević, një talent i ri nga Mali i Zi. Ai do të interpretojë kryevepra të muzikës klasike nga Beethoven, Bach, Liszt dhe Chopin, duke krijuar një atmosferë plot elegancë dhe emocione.

Pas programit klasik, Karlo do të dhurojë një moment të veçantë: një improvizim mbi tema tradicionale malazeze, ku tradita muzikore ndërthuret me virtuozitetin modern – një urë që lidh të kaluarën me të tashmen.

kspozita “Përfaqësitë Konsullore të Malit të Zi 1880–1914” na kthen pas në kohë përmes dokumenteve të rralla diplomatike, duke hedhur dritë mbi marrëdhëniet historike të rajonit.
Një tjetër ekspozitë e pasur do të paraqesë libra të vjetër, harta dhe kartolina që dokumentojnë Shqipërinë e shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX – një udhëtim unik nëpër kujtesën kolektive.

Në skenë vjen shfaqja teatrale “Rasti i Virginia-s”, që trajton tema të forta sociale si të drejtat, barazia dhe sfidat e shoqërisë bashkëkohore.
Nga muzika klasike te performancat skenike, nga arkivat historike te literatura e rrallë – Java Kulturore Malazeze fton publikun shqiptar të përjetojë një mozaik të pasur emocionesh, reflektimesh dhe zbulimesh kulturore.

Kujtojmë se Javët Kulturore Ndërkombëtare janë një nismë nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, që u ofron shqiptarëve mundësinë për të njohur nga afër kulturat e vendeve të ndryshme me përfaqësi diplomatike në Tiranë.
Ky aktivitet zgjat një javë për çdo vend pjesëmarrës dhe sjell një mozaik të pasur me art, kulturë, muzikë, ekspozita, kuzhinë tradicionale dhe ngjarje sociale, duke i afruar qytetarët shqiptarë me vendet që deri më tani i kanë njohur vetëm përmes përfaqësive diplomatike.
Tashmë, përmes Javëve Kulturore, këto vende janë më pranë se kurrë: kemi mundësinë t’i përjetojmë, t’i shijojmë dhe t’i prekim nga afër kulturat dhe traditat e tyre unike – një mënyrë për të ndërtuar ura mirëkuptimi dhe shkëmbimi ndërkulturor në zemër të Tiranës.
/Argumentum.al