Kancelari gjerman Friedrich Merz ka zhvilluar sërish një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke i bërë thirrje këtij të fundit që të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij për të lehtësuar situatën e rëndë humanitare në Gaza.
“Kancelari shprehu shqetësimin e tij të thellë për situatën katastrofike humanitare në Gaza. Ai i bëri thirrje kryeministrit Netanyahu të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të arritur menjëherë një armëpushim”, tha sot zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius.
“Masat e shpallura nga qeveria izraelite duhet të ndiqen tani me hapa të tjerë domethënës dhe të shpejtë”, thuhet më tej në deklaratën nga Berlini.
Qeveria gjermane planifikon të vendosë në ditët në vijim, në bashkërendim me vendet e E3-shit, që përfshijnë gjithashtu Francën dhe Britaninë e Madhe, si dhe me partnerë të tjerë evropianë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtete arabe, se si mund të kontribuojë për përmirësimin e situatës.
E3-shi publikoi të premten një deklaratë, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin e Gazës dhe për lirimin e pakushtëzuar të të gjithë pengjeve izraelite që mbahen nga “Hamas”.
Kornelius përsëriti se njohja e shtetit të Palestinës nuk është aktualisht në agjendën e Gjermanisë. Qeveria gjermane vazhdon ta konsiderojë këtë si një nga hapat përfundimtarë në drejtim të arritjes së një zgjidhjeje me dy shtete.