Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë reagoi sot me shqetësim të thellë ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik me Kosovën. Këshilli paralajmëron se një veprim i tillë “rrezikon të minojë një nga partnerët më besnikë të SHBA-së në rajon”, duke krijuar hapësirë për ndërhyrje nga Serbia dhe aleatët e saj strategjikë – Rusia, Kina dhe Irani. Në këtë kontekst, theksohet nevoja për mbështetje të vazhdueshme ndaj Kosovës në forcimin e institucioneve demokratike dhe për rifillimin e dialogut me SHBA-në, si një garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon, thuhet ndër të tjera në deklaratën e mëposhtme.
Deklarata e plotë e KASH:
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën. Një vendim i tillë rrezikon të minojë një nga partnerët më besnikë të SHBA-së në rajon, duke krijuar në të njëjtën kohë hapësira për Serbinë, e cila po rreshtohet hapur me Kinën, Rusinë dhe Iranin.
Kosova mbetet një nga vendet më pro-amerikane në botë, me një përkushtim të palëkundur ndaj paqes, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike. Pezullimi i dialogut me Prishtinën, ndërkohë që hapet një proces i ngjashëm me Beogradin, përçon një mesazh shqetësues dhe krijon rrezikun e destabilizimit të rajonit duke inkurajuar ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë përmes Listës Serbe.
Në këtë moment të ndjeshëm, Kosovës i nevojitet mbështetje për forcimin e institucioneve të saj demokratike dhe shtetërore, jo presion që mund t’i dobësojë apo paralizojë ato. Bashkëpunimi strategjik SHBA–Kosovë është thelbësor për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë në Evropë.
Nga ana tjetër, Kosova duhet të ndërmarrë përpjekje të përbashkëta për të dalë sa më parë nga sanksionet e Bashkimit Evropian dhe tashmë edhe të Shteteve të Bashkuara, përmes rishikimit të sjelljes së saj politike dhe duke vlerësuar siç duhet rolin jetik të mbështetjes perëndimore për zhvillimin demokratik, forcimin e sigurisë dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Ndërhyrjet e Beogradit në Kosovë përmes strukturave politike serbe duhet të adresohen në koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, duke respektuar në çdo rast normat kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje Kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti, si fituesi i parë i zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe forcave të tjera politike në Kosovë, që të gjejnë konsensus rreth interesave madhore të shtetit dhe kombit. Njëkohësisht, inkurajohet rifillimi i dialogut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushat e mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë.
Po ashtu, forcat politike në Kosovë duhet të harmonizojnë qëndrimet e tyre në lidhje me dialogun Kosovë–Serbi, për të arritur një marrëveshje përfundimtare që do të siguronte njohjen reciproke mes dy shteteve, duke i hapur kështu rrugë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Tiranë, 15 Shtator 2025
/Argumentum.al