Ministria e Jashtme e Kinës kritikoi të enjten komentet e një zyrtareje të lartë të BE-së se Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut po formojnë “një aleancë autokratike” për të sfiduar rendin botëror të bazuar në rregulla, duke i quajtur ato “shumë të gabuara dhe të papërgjegjshme”.
Deklaratat e bëra nga zyrtarja përkatëse e BE-së, janë të mbushura me paragjykime ideologjike, u mungon logjika themelore historike dhe nxisin hapur rivalitetin dhe konfrontimin, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Guo Jiakun në një konferencë për shtyp. “Është një mungesë respekti ndaj historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe dëmton interesat e vetë BE-së.”
Komentet e Guos ishin një qortim ndaj shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila tha të mërkurën se “ndërsa udhëheqësit perëndimorë mblidhen në diplomaci, një aleancë autokratike po kërkon një rrugë të shpejtë drejt një rendi të ri botëror”.
Guo tha:”Vetëm duke kujtuar historinë mund ta ruajmë vërtet paqen.”
Ai tha se Kina organizoi aktivitetet përkujtimore të 80-vjetorit të fitores së Luftës së Rezistencës së Popullit Kinez Kundër Agresionit Japonez dhe Luftës Botërore Antifashiste për të kujtuar historinë, për të nderuar heronjtë e rënë, për të çmuar paqen dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Qëllimi është të mbrohen së bashku rezultatet e fitores së Luftës së Dytë Botërore dhe rendi ndërkombëtar i pasluftës me të gjitha vendet paqedashëse në mbarë botën.
Në aktivitetet e mbajtura të mërkurën, morën pjesë 26 krerë shtetesh dhe qeverish të huaja, më shumë se 20 përfaqësues të nivelit të lartë të qeverive të huaja dhe krerë të organizatave ndërkombëtare, si edhe mbi 100 të dërguar diplomatikë nga vende të tjera, përfshirë 19 vende evropiane.
“Kemi pjesëmarrje nga pesë kontinentet anembanë botës. Pjesëmarrja është shumë përfaqësuese. Kjo tregon qartë se komuniteti ndërkombëtar e njeh gjerësisht kontributin historik të luftës së rezistencës së Kinës dhe rëndësinë e saj botërore, si edhe aspiratën dhe vendosmërinë e përbashkët për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin botëror”, shtoi Guo.
Në peizazhin aktual të paqëndrueshëm dhe të trazuar ndërkombëtar, ajo që i duhet botës, tani më shumë se kurrë, është solidariteti dhe bashkëpunimi, tha zëdhënësi.
“Evropa, pikërisht aty ku shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, pritet të ketë një kuptim shumë më të thellë të mësimeve të historisë dhe rëndësisë së unitetit”, tha ai.
Guo tha: “Megjithatë, disa udhëheqës të BE-së janë kapur fort pas mentalitetit të Luftës së Ftohtë dhe paragjykimeve të forta ideologjike, duke krijuar qëllimisht përçarje dhe konfrontim. Kjo nuk i shërben interesave të vetë BE-së dhe do të dëmtojë më tej reputacionin dhe ndikimin e saj në mbarë botën. Shpresojmë që disa në BE do të heqin dorë nga paragjykimet dhe arroganca e tyre, do të përqafojnë një perspektivë të saktë historike mbi Luftën e Dytë Botërore dhe një pikëpamje racionale për Kinën, do të korrigjojnë menjëherë deklaratat e rreme, do të fshijnë ndikimet negative dhe do të punojnë drejt një bote më paqësore dhe të qëndrueshme, duke nxitur marrëdhënie të shëndosha Kinë-BE dhe jo të kundërtën.