Njohja e Palestinës si shtet nga gjithnjë e më shumë vende “tregon plotësisht opinionin publik dhe pritjet e përbashkëta të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Kina.
“Çështja e Palestinës është në thelb të çështjes së Lindjes së Mesme. Zgjidhja me dy shtete është e vetmja mënyrë e qëndrueshme për t’i dhënë fund kësaj çështjeje”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, në një konferencë për media.
Kina do të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të “mbështetur fort popullin palestinez në realizimin e shtetësisë së tyre të pavarur”, tha Guo.
Deklarata e Pekinit erdhi ndërsa gjashtë vende të tjera njohën zyrtarisht shtetin palestinez.
Luksemburgu, Belgjika, Andorra, Franca, Malta, Monako dhe San Marino njohën Shtetin e Palestinës të hënën gjatë një samiti të nivelit të lartë në New York përpara seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila filloi të martën.
Ky veprim erdhi një ditë pasi Britania, Kanadaja, Australia dhe Portugalia njoftuan njohjen, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendeve që njohin Palestinën në 159 nga 193 shtete anëtare të OKB-së, që kur udhëheqësi i ndjerë palestinez, Yasser Arafat, shpalli shtetin palestinez nga Algjeria në vitin 1988.
Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 65.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Bombardimet e pandërprera e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapje të sëmundjeve.