Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur me shumicë votash shkarkimin e Ardian Dvoranit, si anëtar i Gjykatës së Lartë. Vendimi është marrë me 6 vota pro dhe 3 kundër, ndërsa pas këtij vendimi, Dvoranit i lind e drejta për të qenë gjyqtar në Apel. Me këtë vendim, Dvorani humbet dhe detyrën si drejtues i këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas largimit nga Gjykata e Lartë, Ardian Dvoranit i lind e drejta për të filluar punë si gjyqtar i Gjykatës së Apelit.
Vendimi për largimin e kreut të KED nga Gjykata e Lartë vjen pas një betejë të gjatë mes tij dhe Presidentit, Ilir Meta, i cili ka kërkuar largimin nga detyra pasi vijonte të ushtronte funksionin pas përfundimit të mandatit në mënyrë të paligjshme. Madje, Presidenti i Republikës e ka akuzuar atë për vendime të njëanshme në favor të qeverisë gjatë proceseve për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Ardian Dvorani, është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë në shkurt 2005, ndërsa më parë ka kryer dhe funksionin e prokurorit që para rrëzimit të sistemit monist. Mandati i anëtarëve të Gjykatës së Lartë zgjat 9 vjet dhe për rrjedhojë, mandati i z. Dvorani ka përfunduar që prej vitit 2014.