Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli të enjten dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Në dekret thuhet se zoti Hoti ka 15 ditë afat për të paraqitur përbërjen e qeverisë së re dhe të kërkojë miratimin e saj në parlamentin e Kosovës.
Presidenti Thaçi e shpalli dekretin pasi mori nga Lidhja Demokratike letrën me të cilën ajo e njofton se ka siguruar shumicën parlamentare.
“Në ditët në vijim një tjetër qeveri e re, mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, sërish në përputhje të plotë me Kushetutën e Kosovës dhe më rendin demokratik të Republikës sonë, duke marrë parasysh legjitimitetin e qartë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe zotimin që u dëshmua sot i shumicës së re parlamentare”, tha ai.
Presidenti Thaçi tha se të gjithë duhet t’i respektojnë në tërësi këto procedura.
“Duhet të pajtohemi me faktin që pushteti fitohet dhe humbet në respektim të plotë të Kushtetutës dhe rendit demokratik të vendit. Askush nuk mund të pretendoj që me metoda tjera krejtësisht jo demokratike mund ta marrë ose ta mbajë apo uzurpoj pushtetin”, tha presidenti Thaçi.
Pak kohë pas dekretimit, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzoi kërkesën që parlamenti i Kosovës të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme ditën e shtunë në orën 13 për të votuar kabinetin e zotit Hoti.
Ky proces kundërshtohet nga lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon zgjedhje të reja pas pandemisë së koronavirusit.
Ajo ka paralajmëruar se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentit dhe do të kërkojë edhe opinionin e Komisionit të Venecias.