Kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën greke “Ta Nea”, është shprehur se të drejtat pronësore të pakicës etnike greke tashmë janë gati për tu paraqitur në parlamentin shqiptar.
Gazeta greke shkruan se Rama i është shmangur çështjes së problemit që kanë zonat me pakica etnike Greke, ku banorëve u është mohuar e drejta për tu identifikuar si Grekë. Por vlen të përmendet, se ekzistojnë dy çështje të veçanta, përkatësisht vetëvendosja dhe ruajtja e të drejtave pronësore të pakicës etnike Greke në Shqipëri.
“Ta Nea”, shkruan se Rama siguroi që “vendi i tij është përgatitur plotësisht dhe u është përgjigjur kërkesave të Unionit në mënyrë që të hapin proceset e pranimit”.
“Unë nuk e di çështjen e vetëvendosjes por e di se ligji i pronës, i cili ka të bëjë jo vetëm me pakicën greke, por të gjithë qytetarët shqiptarë, është i gatshëm për tu paraqitur në Parlamentin shqiptar”, u shpreh Rama.
Ai shtoi më tej se “pakicat në Shqipëri dhe në veçanti pakica greke jetojnë me të njëjtat të drejta dhe të njëjtat probleme si qytetarët shqiptarë. Përpjekja ka për qëllim përmirësimin e kushteve për të gjithë qytetarët dhe në të njëjtën kohë adresimin e çështjeve që lidhen me pakicat “.